Kosova dhe Kuvajti Gati t'i Heqin Vizat... Për Diplomatët

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, tha se kjo marrëveshje ka për qëllim kryesor lirimin nga vizat hyrëse për shtetasit e dy vendeve të cilët bartin pasaporta diplomatike dhe të shërbimit në dy territoret.

Sipas Selimit marrëveshja në pajtim me legjislacionin në fuqi i nënshtrohet procesit të ratifikimit nga Presidentja.

“Republika e Kosovës ka për qëllim që muajt në vijim posaçërisht të intensifikojë zhvillimin ekonomik dhe interaksionin diplomatik në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në shumë organizata dhe një marrëveshje e tillë e ndihmon dhe është hapi i parë në këtë drejtim”, tha Selimi.

Në mbledhje u miratua edhe Projektligji për Mjekësinë Ligjore.

Lirak Çelaj, zëvendësministër i Drejtësisë, tha se me miratimin e këtij projektligji Departamenti aktual i Mjekësisë Ligjore do të avancohet në nivel të agjencisë si organ qendror i administratës shtetërore dhe do të funksionojë nën varësi të ministrit të drejtësisë.

“Me miratimin e këtij projektligji do të arrihen këto synime. Avancimi i fushës së mjekësisë ligjore në Kosovë, rritja e efikasitetit dhe efektivitetit sa i përket autopsive dhe ekzaminimeve mjekoligjore, harmonizimi i dispozitave ligjore të ligjit për mjekësinë ligjore dhe Ligjit për Departamentin e Mjekësisë Ligjore me dispozitat përkatëse të kodit të procedurës penale”, tha Çelaj.

Edhe zëvendëskryeministri Kujtim Shala ka prezantuar Projektligjin për Statusin dhe të Drejtat e personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik.

Sipas tij përfituesit nga ky ligj mbrohen nga të gjitha llojet dhe format e diskriminimit apo abuzimit, fyerjes dhe gëzojnë të drejtat dhe liritë e tyre në mënyrë të barabartë me të tjerët.