Mijëra njerëz protestuan kundër konfiskimit të kutive të votimit dhe akuzave ndaj civilëve të paarmatosur gjatë referendumit të të dielës për ndarjen e Katalunjës nga Spanja. Foto: Santi Palacios/AP

Kosova dhe Katalonia Kanë Shumë Pak të Përbashkëta

Qeveria spanjolle ka marrë kontrollin mbi Kataloninë gjatë ditëve të fundit për të shuar përpjekjen e saj për pavarësi.

Qeveria e Serbisë bëri një lëvizje të ngjashme në Kosovë në vitin 1989, duke vepruar për të parandaluar pavarësinë e provincës së saj jugore. Kjo çoi në shpërbërjen e dhunshme të ish-Jugosllavisë, ndërkohë që veprimet e mëvonshme të Serbisë e dëmtuan legjitimitetin e pretendimit të saj ndaj Kosovës.

Këto ditë, shumë ekspertë, zyrtarë dhe njerëz të zakonshëm po mendojnë nëse këto dy situata janë të krahasueshme.

Në një botë me shumë më tepër etni sesa shtete, autonomia është një mjet i admirueshëm për menaxhimin e konflikteve territoriale pa ndarje. Në teori, autonomia lejon vetëvendosjen e brendshme duke respektuar kufijtë ndërkombëtarë të shteteve aktuale.

Fatkeqësisht, kur populizmi pushton çdo gjë dhe kur “le të rimarrim vendin tonë” bëhet loja kryesore në qytet, autonomia – si një terren i mesëm i jep rrugë pavarësisë, ndërsa integrimi etnik bëhet qëllimi i kapitalit dhe i periferisë.

Ky ishte rasti i Kosovës në vitet tetëdhjetë dhe është, në një sasi më të vogël, rasti në Spanjë sot.

Në të dyja rastet, autonomia ishte pjesë e një procesi afatgjatë në të cilin si liderët qendrorë ashtu edhe ata provincialë u përpoqën t’ia hidhnin njëri-tjetrit në përpjekje të veçanta për të ndërtuar kombin.

Nacionalizmi, siç kuptohet nga Ernest Gellner, si vullneti për ta përshtatur kombëtarin me një identitet politik, ishte parimi gjithëpërfshirës i këtij procesi.

Nxitës të ndryshëm të krizës

Megjithatë, një nga ndryshimet më të mëdha midis këtyre dy rasteve ishte fakti që në Kosovë, lëvizja e Serbisë për të forcuar pushtetin e saj qendror u bë nxitësi kryesor i krizës.

Në Kataloni, ishte lëvizja katalanase për pavarësi ajo që përmbysi anijen.

Serbia ndërmori masa kundër autonomisë së Kosovës nëpërmjet reformave kushtetuese dhe masave emergjente, që forcuan pushtetet e qeverisë qendrore dhe reduktuan kompetencat e “Provincës Autonome Socialiste të Kosovës në nivelet e saj para vitit 1968.

Në Kataloni, kriza buronte nga nismat që vinin nga periferia, që synonin kompetenca dhe pushtet më të gjerë.

Ndryshe nga qeveria serbe, qeveria socialiste e Spanjës në vitin 2006 përforcoi autonominë e Katalonisë duke miratuar një ligj – Statutin e Autonomisë së Katalonisë – të cilin e miratoi fillimisht legjislatura në komunitetin autonom spanjoll dhe më vonë u miratua nga parlamenti i Spanjës dhe më pas u ratifikua me referendum nga votuesit katalanas.

Politikanët konservatorë spanjollë e sfiduan atë ligj para Gjykatës Kushtetuese të Spanjës, e cila në vitin 2010 e kufizoi pjesërisht statutin origjinal.

Megjithatë, duke marrë parasysh se nga 223 nene të statutit gjykata hodhi poshtë “vetëm” 14 dhe shkurtoi 27 të tjerë, disa e panë këtë ndërhyrje më shumë si të padëmshme.

Të tjerë pretenduan se ky vendim historik pa dashje hodhi themelet për referendumin e kohëve të fundit të Katalonisë për pavarësi.

Vendimi u pa si një sulm ndaj vetëqeverisjes katalanase, pavarësisht se ajo përbëhej kryesisht nga dispozita interpretuese, duke lënë të paprekura shumicën e kompetencave (gjuhën, arsimin, shëndetësinë, policinë).

Çështjet simbolike si njohja e Kombit Katalanas (në Kushtetutën spanjolle si një “shtetësi”) dhe refuzimi i gjuhës katalanase si “preferenciale” dhe jo si “bashkë-zyrtare” e nxehën debatin.

Por, duke pasur parasysh se edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, Katalonia ruajti një shkallë të lartë autonomie, me pushtet legjislativ dhe duke ruajtur kulturën dhe gjuhën e Katalunjës, kjo situatë zot se mund të krahasohet me Kosovën, pushteti i dobët i të cilës u hoq krejtësisht nga qeveria serbe.

Pas vendimit të gjykatës në vitin 2010, konservatorët katalanas atëherë pro-autonomisë më pas ndërmorën një agjendë për pavarësinë, duke zhvendosur një ekuilibër të vjetër.

Shtatë vjet dhe disa mobilizime pro pavarësisë më vonë, më 1 tetor 2017, një qeveri koalicioni nacionaliste katalanase organizoi një referendum mbi pavarësinë, pavarësisht se kjo gjë u pezullua nga Gjykata Kushtetuese.

Ndërkohë që vetëm votues pro-pavarësisë morën pjesë (dy milionë nga 7 milionë votues në Kataloni, eventi ishte një sukses i marrëdhënieve me publikun.

“Masa speciale” të ndryshme

Një krahasim i masave që qeveria serbe përdori kundër autonomisë së Kosovës në vitin 1989 dhe ato të përdorura nga Spanja kundër pavarësisë së Katalonisë në vitin 2017, gjithashtu tregojnë më shumë dallime sesa ngjashmëri.

Deputetët serbë në vitin 1989 në mënyrë efikase shfuqizuan autonominë e Kosovës, të garantuar në Kushtetutën Jugosllave nga viti 1974, ndërsa parlamenti i Kosovës në atë kohë ishte i rrethuar nga tanke dhe puna e tij u pengua nga incidente dhe parregullsi.

Qeveria spanjolle u përpoq gjithashtu të përdorte forcën për të parandaluar referendumin e pavarësisë në Kataloni. Para referendumit të 1 tetorit, mijëra policë kombëtarë dhe “Garda Civile” u vendosën në Kataloni.

Megjithatë, pavarësisht përmasës së saj, forca policore spanjolle në Kataloni nuk mund të krahasohej me praninë e madhe ushtarake të Serbisë në Kosovë në vitin 1989.

“Masat speciale” ligjore të imponuara në Kosovë dhe Kataloni anë janë gjithashtu shumë të ndryshme. Ndërkohë që qeveria e Serbisë përdori forcën për të rrëzuar autonominë administrative të Kosovës, Spanja, pasi nuk arriti të parandalonte mbajtjen e referendumit të pavarësisë, u përqendrua në përdorimin e nenit 155 të kushtetutës spanjolle.

Kjo e lejon atë të ndërhyjë në rajonet e saj që të sigurojë sundimin e ligjit. Megjithatë, neni 155 nuk anulon autonominë e Katalonisë apo ndryshon Statutin e saj të Autonomisë. Në thelb, kjo është një masë e përkohshme që synon rikthimin e autoriteteve katalanase nën sundimin e ligjit.

Qeveria spanjolle ka shkarkuar qeverinë aktuale katalanase dhe i ka zëvendësuar funksionet e saj nëpërmjet një autoriteti që i përgjigjet Shtëpisë së Lartë (ku janë të pranishme partitë pro pavarësisë) dhe ka kërkuar zgjedhje rajonale që janë planifikuar për në dhjetor 2017.

Por problemi me Nenin 155 është mungesa e përkufizimit dhe shumë përdorin atë për të kundërshtuar veprimet e qeverisë spanjolle.

Shkalla e represionit shumë ndryshe

Dallimet socio-politike midis Kosovës dhe Katalonisë janë të mëdha. Katalonia është rajoni më i pasur i Spanjës, ndërsa Kosova ishte territori më i varfër i ish-Jugosllavisë.

Ndryshimet midis katalanasve, pro-pavarësisë ose jo, dhe spanjollëve të tjerë, janë kryesisht linguistike. Nuk ka ndryshim etnik midis katalanasve pro-pavarësisë dhe pro-bashkimit.

Liderët katalanas shpesh i referohen Kosovës si një precedent që Katalonia të bëhet shtet. Argumenti bazohet në Opinionin Këshillëdhënës të vitit 2010 të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, GJND, e cila nuk gjeti asnjë ndalim ndërkombëtar në deklaratat e pavarësisë (pa marrë ndonjë vendim mbi ligjshmërinë e ndarjes juridike).

Partitë pro pavarësisë kanë fituar kryesisht luftën propagandistike. Ato kanë bindur shumë njerëz se e drejta për të votuar përfshin një të drejtë për të votuar në referendume bindëse për vetëvendosje. Nëse shkëputja e njëanshme tani është e paligjshme, ky argument është njësoj me të drejtat për martesa homoseksuale dhe të drejta të tjera.

Por ndërkohë që policia spanjolle ka vepruar brutalisht, është ende e pavlerë të krahasohet me represionin që ndodhi në Kosovë.

Ndërkohë që burgosja e dy liderëve katalanas të shoqërisë civile dhe akuzat e ngritura nga prokurori i Spanjës kundër presidentit të rrëzuar të Katalunjës, Carles Puigdemont, mund të krahasohen me arrestimet e liderëve të Kosovës si Azem Vllasi, represioni në Kosovë në vitin 1989 rezultoi me vrasjen e të paktën 20 personave. U shpall ligji ushtarak.

Nivelet e mbështetjes për të dyja lëvizjet për pavarësi janë gjithashtu shumë të ndryshme. Shumica dërrmuese e shqiptarëve të Kosovës ishin pro pavarësisë. Por në Kataloni, vetëm 47.5 për qind ishin pro në zgjedhjet e fundit rajonale.

Strategjia katalanase mund të krahasohet me atë të shqiptarëve të Kosovës në vitet 1990 me përdorimin e zgjedhjeve jozyrtare dhe të strukturave paralele.

Megjithatë, strategjitë e tyre më të fundit janë të ndryshme. Kosova në vitin 2008 nxori një “Shpallje të Koordinuar Pavarësie” në marrëveshje të plotë me SHBA-në dhe shumicën e vendeve të BE-së. Blloqet ndërtuese të Kosovës ishin vendosur mirë para se të nxirrej kjo deklaratë.

Në Kataloni, nacionalistët e nisën shtëpinë nga çatia, duke deklaruar pavarësinë para se të ekzistonin funksione të tilla siç janë mbledhja e taksave apo një regjistër civil.

Në tërësi, Kosova në vitin 1989 dhe Katalonia sot kanë shumë pak të përbashkëta.

Siç ka thënë edhe Marksi, historia e përsërit veten në fillim si një tragjedi dhe pastaj si një farsë. Tragjedia e Kosovës nuk krahasohet me dramën teatrale midis Madridit dhe Barcelonës.

Kjo do të thotë se rrahja e protestuesve dhe burgosja e politikanëve bazuar në akuza të dyshimta është një taktikë e rrezikshme. Një shkëputje shoqërore mund të zhvillohet me pasoja të paparashikueshme.

Spanja duhet të forcojë legjitimitetin e saj për të sunduar mbi Kataloninë. Nacionalistët katalanas duhet të dalin nga fshikëza e tyre shumëngjyrëshe dhe të ulin premtimet e tyre. Pak më pak mund të sjellë shumë më tepër.

 

Chema Arraiza ka punuar për organizata ndërkombëtare që trajtojnë pasojat e konfliktit dhe parandalimin e tij, përfshirë OSBE-në në Kosovë.

 

Opinionet e shprehura në sektorin e komenteve janë vetëm ato të autorëve dhe nik pasqyrojnë domosdoshmërish pikëpamjet e BIRN.