Foto nga Atdhe Mulla

Kosova: Burimi i Radikalëve?

Kam jetuar, punuar apo e kam vizituar Kosovën që nga viti 2004. Kam qenë në Ballkan duke studiuar, punuar, shëtitur dhe jetuar atje që nga viti 1998. I kam kryer të dyja tezat e Masterave të mi mbi çështje të Ballkanit.

Mendoj se është e ndershme të them se e njoh mirë këtë rajon. Do dëshiroja që edhe perëndimorët e tjerë, gjithashtu, ta njihnin apo ta kuptonin rajonin më mirë.

Besoj fuqimisht që nëse e kupton Ballkanin, ti kupton Evropën. Tejkalojini stereotipat e Ballkanit të “trazuar”, “fuçi baruti”, “zemër e errësirës” dhe kuptoni se është një zonë që i ka mbijetuar më shumë pushtimeve, revolucioneve dhe ringritjeve me shpirtin e tij shumë-kulturor të paprekur, sesa shumë vende të tjera.

Por çka ne në Perëndim kemi është këndvështrimi i gazetarit turist që mbështetet mbi qasje sensacionale të lehta dhe sipërfaqësore, që nuk ju thonë asgjë. Ballkani nuk ‘meriton’ raportim cilësor sepse askush nuk po masakrohet më.

Dhe ja ku është edhe artikulli i Carlotta Gall në New York Times për Kosovën, ndryshe vendi më i varfër në Evropë: “Si u shndërrua Kosova në terren pjellor për ISIS-in”.

Çka ne në Perëndim kemi është këndvështrimi i gazetarit turist që mbështetet mbi qasje sensacionale të lehta dhe sipërfaqësore

Tani Kosova është “Fronti i Radikalizmit”, ku “sauditët kanë minuar islamin liberal të Kosovës” dhe mbështetjen pro-SHBA-ve dhe pro-BE-së.

Le ta themi troç: Rreth 300 kosovarë – sipas Prishtina Insight, një revistë lokale – kanë shkuar në Siri, disa për të luftuar me ISIS-in, disa për të luftuar me grupe të tjera kundër Asadit.

Imami më radikal Zekerija Qazimi, i cili merrte para nga grupe të Gjirit, përfshi sauditët, është dënuar me 10 vjet burg. Sipas autoriteteve kosovare, askush nuk ka udhëtuar drejt Sirisë gjatë vitit të fundit.

Edhe Gall mundi të gjejë vetëm këtë: “Pas dy vitesh hetime, policia akuzoi 67 njerëz, arrestoi 14 imamë dhe mbylli 19 organizata islamike që kishin vepruar kundër Kushtetutës, duke nxitur urrejtje dhe duke rekrutuar për terrorizëm”.

“Kosova mban rekordin evropian sa i takon masave të ashpra kundër terrorizmit”

Sipas Prishtina Insight, Gall mund të jetë në gabim edhe këtu: “Deri më sot, Kosova mban rekordin evropian sa i takon masave të ashpra kundër terrorizmit, me një total prej rreth 120 arrestimesh dhe afër 60 të dyshuar që po gjykohen”. [këtu artikulli në shqip]

Shpend Kursani, të cilin Gall e falënderoi si burim në një artikull tjetër që ndoqi të parin, thotë në artikullin e Prishtina Insight se “ndërkohë që disa ekstremistë të dhunshëm vërtet u arrestuan gjatë procesit, të tjerë u paraburgosën shpejt dhe pa shumë prova”. Kursani beson që motivi për këtë fushatë me shumë gabime ishte politik – shkruan revista. “Politikanët e Kosovës duan të krenohen ndërkombëtarisht si kampionë të luftës kundër terrorizmit, prandaj kemi arrestimin e një numri kaq të madh të personave, me shumë ngut dhe pak prova”.

A është bërë Kosova më fetare pas luftës? Gall vëren se Kosova ka mbi 800 xhami, nga të cilat 240 janë ndërtuar pas luftës. Ajo nuk përmend se para luftës qeveria e Serbisë i shtypi shqiptarët dhe ishte armiqësore ndaj shfaqjes së islamit.

Një nga pamjet më rrëqethëse pas luftës ishin xhamitë e hedhura në erë ku vetëm minaret kishin mbetur

Serbët shkatërruan shumë xhami – liderët serbë u dënuan nga ICTY (Tribunali Ndërkombëtar për Krimet në ish-Jugosllavi) për shkatërrimin e qëllimshëm të trashëgimisë fetare, si një ndër shumë strategjitë e spastrimit etnik.

Një nga pamjet më rrëqethëse pas luftës ishin xhamitë e hedhura në erë me shpërthime në fshatra si Bari pranë Mitrovicës, ku vetëm minaret kishin mbetur në këmbë.

Më tej, pas luftës Kosova u rindërtua në tërësi. Turqit sponsorizuan dhe rindërtuan një xhami të re të madhe në Mitrovicë që ishte shkatërruar nga serbët. Ndaj, mund ta shihni rritjen e numrit të xhamive brenda këtij konteksti.

Gjithashtu, mund të shihni edhe numrin e shtuar të të rinjve, kryesisht në jug të Kosovës, të cilët janë qartazi besimtarë.

Njerëzit që kanë vuajtur nga lufta priren ose të heqin dorë nga Zoti ose të rendin te Zoti

Por me përvojën që kam nga puna në shumë mjedise të pasluftës, njerëzit që kanë vuajtur nga lufta priren – për të parafrazuar Primo Levi: ose të heqin dorë nga Zoti ose të rendin te Zoti.

Dhe njerëzit janë shumë të varfër këtu, çka mund të shpjegojë se përse “fondacionet myslimane” ashtu si “fondacionet e krishtera”, zgjedhin këtë stacion për të siguruar të konvertuar, duke i paguar pak që të lehtësojnë vuajtjen e tyre në këtë proces.

Nëse kaloni pak kohë nëpër Kosovë, do ta kishit të vështirë ta mendoni si vend tepër fetar. Ka disa gra që mbulojnë kokën apo djem që kanë rritur mjekrat, por shumica dërrmuese nuk janë veçanërisht fetarë.

Dhe do të ishte shumë e lehtë të gjeni një grua që ka veshur minifund sesa hixhab. Të thuash që “vetë natyra e shoqërisë së saj [Kosovës] është fundamentaliste sipas kastave”, është një e pavërtetë flagrante.

Personalisht, ndjej më shumë parehati me fetarizimin e tepruar në disa pjesë të SHBA-ve sesa në Kosovë, kur feja konsiderohet pak a shumë një çështje private.

Këto janë disa gjëra të tjera që Gall nuk ka denjuar t’i përmendë. Prej shumë muajsh, Kosova ka qenë në grahmat e një krize politike. Ekonomia është e dobët, norma e papunësisë është 35%, dhe 70% e popullsisë janë nën 35 vjeç. 60.2% e të rinjve nga 15-24 vjeç janë të papunë, sipas shifrave të UNDP.

Ndjej më shumë parehati me fetarizimin e tepruar në disa pjesë të SHBA-ve sesa në Kosovë

Pavarësisht suksesit të fundit të njohjes nga UEFA, FIFA dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Kosova ende nuk njihet nga OKB-ja. UNESCO nuk e votoi me shumicë orvatjen e kohëve të fundit nga Kosova për t’u bërë pjesë e kësaj organizate. Rreth 100,000 persona u munduan ta lëshojnë Kosovën në janar-shkurt 2015, duke përfshirë vëllain e Kryeministrit, për të kërkuar azil në Evropë.

E gjithë kjo situatë ndjek projekte kontroversiale të mbështetura nga SHBA-të, siç është autostrada Kosovë-Shqipëri e ndërtuar nga korporata Bechtel. Ky projekt u inkurajua me forcë nga ish-ambasadori i SHBA-ve Kristopher Dell, i cili më pas e la Kosovën dhe Departamentin e Shtetit për të marrë një pozitë të nivelit të lartë për Bechtel në Mozambik.

Rruga e re kushtoi 1.12 miliardë euro për 77 kilometra, duke e bërë projektin më të shtrenjtë rrugor në Evropë. Buxheti i qeverisë së Kosovës në 2012 ishte 1.5 miliardë euro.

Gjithashtu, qeveria e Kosovës, së bashku me SHBA-të dhe Bankën Botërore, mbështet një termocentral të ri me qymyr, kundër të cilit janë pozicionuar Sierra Club dhe organizata të tjera mjedisore, përfshi edhe OJQ-në kosovare KOSID.

Një pjesë e konsiderueshme e popullatës fajësojnë qeverinë e mbështetur nga SHBA-të dhe BE-ja për ekonominë e dobët, krahas këtyre problemeve. Opozita në udhëheqjen e partisë Vetëvendosje [më parë] ka nxitur protesta masive (të cilat me raste janë bërë të dhunshme), ka lëshuar gaz lotsjellës në parlament për të penguar negociatat me mbështetura nga BE me Serbinë dhe për të ndalur një marrëveshje kontroversiale të demarkacionit kufitar me Malin e Zi.

Turma ende valëviste flamuj të SHBA-ve dhe të BE-së siç ndodh në shumicën e demonstratave këtu, si një shfaqje e besnikërisë

Por pas gjithë kësaj qëndron mungesa e mundësive dhe rritjes ekonomike për shumicën e popullit të Kosovës. Në 17 shkurt – Dita e Pavarësisë së Kosovës – rreth 100,000 njerëz (rreth 1.8 milionë njerëz jetojnë në Kosovë, po aq sa në Filadelfia) dolën për të protestuar kundër qeverisë dhe për të kërkuar që ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, të mos zgjidhej President.

Unë isha aty kur turma borohoroti “Thaçi hajn” dhe kur bërtiti kundër qeverisë. Turma ende valëviste flamuj të SHBA-ve dhe të BE-së siç ndodh në shumicën e demonstratave këtu, si një shfaqje e besnikërisë.

Pjesa më shqetësuese e storjes së Gall është gjuha alarmante dhe e bujshme. Ajo thotë se burra që dilnin nga një xhami e “panë me inat”. Unë jam person me ngjyrë dhe kurrë nuk më ka ndodhur që dikush në Kosovë të më “shohë me inat” (përveç rasteve kur mund të kem pasur përvoja të mëhershme me ndonjë person).

Shumica e njerëzve këtu janë kureshtarë ndaj të huajve dhe pothuajse të gjithë janë miqësorë pa rezerva, veçanërisht nëse je amerikan (dhe po, si kudo tjetër në botë, Kosova ka një problem me ngacmimin e grave në rrugë).

Duke qenë se unë vetë i përkas një pakice, jam e ndjeshme ndaj mesazheve me nënkuptime

Ajo gjithashtu vë në dukje se disa burra ishin duke “dhënë shfaqje tek gjunjëzoheshin për t’u lutur” në një xhami pranë statujës së Bill Clinton. Nuk e kam idenë se çfarë nënkupton kjo, dhe Gall nuk i është përgjigjur pyetjeve mbi këtë çështje.

Kjo më bën të vë në dyshim qëllimin. Duke qenë se unë vetë i përkas një pakice, jam e ndjeshme ndaj mesazheve me nënkuptime – ajo mënyra e zgjuar për të dhënë sinjale se është krejt në rregull të kesh paragjykime për këta njerëz. Shumë shpesh, shqiptarët vihen në shënjestër të kësaj qasjeje në këtë rajon dhe në Perëndim.

Qasja duket se është që ata mund të jenë të bardhë, por janë përfundimisht myslimanë dhe nuk mund t’u zihet besë, pavarësisht sa shumë ne bëjmë për ta. Ky është leksioni që unë duhet të marr nga kjo storje. Do kisha shpresuar që New York Times të mos kishte rënë në këto nivele.

Shkrimi është botuar fillimisht në Medium.com