KOSID: Trepça të Ketë Trajtim të Veçantë (TV)

Në një konferencë për çështjen e Trepçës mbajtur të hënën në Prishtinë, u konkludua që me anë të ndryshimit të statusit të kësaj kompanie, qeveria e Kosovës mëton që të marrë në duart e veta menaxhimin dhe të ardhmen e saj, duke e larguar nga administrimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ky konzorcium në analizën e tyre tha se Trepça duhet të trajtohet me një ligj të veçantë, për shkak të rëndësisë së saj dhe të mos shkohet drejt transferimit të statusit të saj, përmes Ligjit për Ndërmarrje Publike.

“Një gjë të tillë nuk e lejon edhe Ligji për Ndërmarrje Publike, meqë ai në nenin tre thotë se asnjë ndërmarrje shoqërore që administrohet prej Agjencisë Kosovare të Privatizimit nuk mund të shtohet në aneks si një ndërmarrje publike, sipas këtij ligji”, tha Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, pjesë e KOSID-it.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli tha se shndërrimi i statusit të Trepçës, nga ndërmarrje shoqërore në atë publike përmes këtij ligji, nuk parasheh ndonjë pengesë ligjore.

Ministri Ismajli theksoi se kthimi i aseteve të Trepçës në pronësi të shtetit, nuk do të nënkuptojë se qeveria e Kosovës do të investojë, por përkundrazi do të ftohen investitorët e huaj për të zhvilluar Trepçën edhe më tutje.

“Shteti, ose qeveria, nuk do të duhet të futet në aso investime me buxhetin e qytetarëve të Kosovës, sepse dalja në treg gjithmonë përcillet me benefitet potenciale, por është edhe rreziku – menaxhimi i riskut”, tha Ismajli.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se qeveria e Kosovës duhet të mendojë edhe për dy asetet tjera të Trepçës dhe jo vetëm për minierat, por edhe për shkritoren dhe industrinë metalurgjike të saj.

Për më shumë, Ymeri shtoi se qeveria e Kosovës nuk duhet të fusë si temë çështjen e Trepçës në bisedimet me Serbinë.

“Por edhe në rrafshin e thjeshtë praktik, kjo automatikisht nënkupton që pronësia mbi Trepçën është e paqartë, prandaj duhet ta diskutojmë. Ky është sinjali që po dërgohet dhe kjo është ajo që faktikisht do të ndodhë, nëse nisin këto negociata”, tha Ymeri.

Po ashtu edhe KOSID-i rekomandoi se çështja e Trepçës nuk duhet të negociohet me Serbinë për asnjë segment të saj.

Në analizë është përfshirë edhe çështja e kreditorëve të supozuar të Trepçës, ku analiza e konzorciumit të shoqërisë civile rekomandoi se në këtë çështje duhet të përfshihet një arbitrazh ndërkombëtar.

Konzorciumi rekomandoi se pretendimet potenciale të kreditorëve ndërmjet viteve 1990 e deri më 1999 të shpallen të pavlefshme,m pasi që këto kreditime në Trepçë janë bërë gjatë kohës së menaxhmentit ilegal, pasi që kanë hyrë në angazhime kontraktuale me qëllim të dëmtimit të Trepçës.

Një rekomandim tjetër është bërë për bashkimin e Trepçës veriore me atë jugore që ka rëndësi të madhe për ekzistencën e kompanisë dhe potencialin e saj për të tërhequr investime të huaja direkte.