KOSID Padit Ministrinë për Jotransparencë

Grupi i organizatave joqeveritare, KOSID, njoftoi të martën se do të ngrejë padi ndaj Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) për jotransparencë dhe shkeljen e detyrimeve ndaj Ligjit për Qasje në Dokumente Publike dhe parregullsi në procesin e tenderimit për shitjen e Distribucionit të Energjisë.

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka kundërshtuar sërish procesin e privatizimit të Rrjetit të Distribuimit dhe Furnizimit të Energjisë Elektrike (KEDS).

NDËRLIDHUR

Përfaqësuesit e KOSID-it, në një konferencë për shtyp, theksuan se çmimi i shitjes së Distribucionit për 26.3 milionë euro është tejet i ulët, përderisa vetëm vlera e investimeve në periudhën 2007-2012 është 55 milionë euro.

Ky grup i organizatave joqeveritare, po ashtu, njoftoi se do të ngrejë padi ndaj Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për jotransparencë dhe mbylljen e saj ndaj shoqërisë civile, për shkelje të detyrimeve ndaj Ligjit për Qasje në Dokumente Publike dhe parregullsi në procesin e tenderimit për shitjen e Distribucionit.

Organizatat joqeveritare të cilat janë pjesë e KOSID-it kanë kërkuar vazhdimisht qasje në dokumentet zyrtare për privatizimin e KEDS-it dhe tenderin për “Kosovën e Re”, kërkesa këto të adresuara në MZHE, por edhe në Njësinë Implementuese për Privatizim të KEDS-it dhe këshilltarit të transaksionit të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), por kanë marrë vazhdimisht përgjigje negative.

Më 1 tetor, Instituti për Studime të Avancuara, GAP, publikoi analizën “Procesi i privatizimit dhe vlera e aseteve të Kompanisë Kosovare të Distribucionit dhe Furnizimit të Energjisë”, në të cilën, ndër të tjera, MZHE-ja kritikohet për mostransparencë në procesin e privatizimit. Një ditë më vonë, kjo ministri reagoi duke i klasifikuar si të pabaza analizat e GAP-it, dhe duke pohuar se kanë qenë mjaft transparent.

Po në këtë konferencë, u publikua dosja në të cilën është paraqitur korrespodenca e GAP-it me MZHE-në dhe përgjigjet negative të kësaj ministrie si dhe moslejimi në qasje në dokumente zyrtare. Sipas KOSID-it, faktet e prezantuara në këtë dosje dëshmojnë se i tërë procesi i privatizimit të KEDS-it dhe “Kosovës së Re” ka qenë jotransparent dhe si i tillë ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.

Njëra ndër kërkesat e adresuara MZHE-së në vitin 2011 mban emrin e Agron Demit, drejtor ekzekutiv në GAP. Ai në mënyrë kronologjike ka treguar për kërkesat që i kanë bërë për qasje në “planin afarist të KEDS-it”, nga korriku i vitit 2011 e deri në shtator të 2012, por kanë hasur në refuzim dhe përgjigje negative nga MZHE-ja.

Fisnik Korenica nga KOSID kërkoi që procesi i privatizimit të mos bëhet në mënyrë të ngutshme, por të ketë transparence. Sipas tij, MZHE-ja po shkel detyrimin e saj bazik ndaj shoqërisë civile dhe mediave, duke u mbyllur për informata.

Kurse, Nezir Sinani nga Instituti për Politika Zhvillimore, INDEP, shtoi se Kuvendi i Kosovës duhet të marrë iniciativë për hetimin e këtij procesi të privatizimit dhe në fund të dalë me një raport.

Folës të tjerë theksuan se çmimi i vendosur nga Qeveria e Kosovës për të shitur KEDS-in, për 26.3 milionë euro është qesharak, nëse krahasohet me çmimin e aseteve të ngjashme në rajon, si në Maqedoni (280 milionë euro) dhe në Mal të Zi (380 milionë euro).

Pjesë e këtij KOSID-it janë: Dokufest, Forumi për Iniciativa Qytetare – FIQ, Instituti për Studime të Avansuara – GAP, Instituti i Prishtinës për Studime Politike – PIPS, Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS,Internews Kosova, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – YIHR, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN.

09 Tetor 2012 - 14:20

Art Haxhijakupi 09/10/2012 - 14:20
NDËRVEPRIMI0

KOSID Padit Ministrinë për Jotransparencë

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend