KOSID-i Kundër Termocentralit Ndotës

KOSID-i ka filluar një fushatë vetëdijesimi kundër ndërtimit të termocentralit të ri “Kosova e Re”. Në shtator 2012, Banka Botërore publikoi një raport alarmant mbi ndikimin e ndotjes, nga termocentralet dhe automjetet, në shëndetin e kosovarëve. Por, Qeveria dhe BB-ja ende planifikojnë ndërtimin e termocentralit me linjit. Pulmologët kosovarë thonë se “vërehet tendencë në rritje të sëmundjeve respiratore”. Jeta Xharra tha se shoqëria, por sidomos shteti, duhet të bëjnë më shumë për mbrojtjen e mjedisit. “Në Zyrën e Rregullatorit për Energji janë deponuar 100 aplikime për prodhim të energjisë së pastër e nuk u jepet leje”, tha ajo.

(E plotësuar) Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka filluar një fushatë vetëdijesimi kundër ndërtimit të termocentralit të ri “Kosova e Re”.

Përfaqësues të KOSID-it thanë se përkundër të dhënave “shokuese” që kanë dalë nga një raport i Bankës Botërore për ndikimet e ndotjes në shëndetin e kosovarëve, Qeveria dhe vetë Banka Botërore ende planifikojnë ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, me linjit.

NDËRLIDHUR

Në shtator 2012, Banka Botërore publikoi një raport alarmant me të dhëna mbi ndikimet e ndotjes në shëndetin e kosovarëve. Përgjegjës bëhen termocentralet dhe automjetet e vjetra.

Kurse sipas hulumtimit katërvjeçar të Shoqatës së Pulmologëve të Kosovës, rajoni i Prishtinës, ku ndodhen termocentralet, është dyfish më i prekur nga sëmundjet që lidhen me ndotjen e ambientit krahasuar me atë të Prizrenit.

Në konferencë për media të mbajtur në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë, mjeku Gazmend Zhuri nga Shoqata e Pulmologëve, që tashmë është pjesë e KOSID-it, tha se për vitin 2010, rajoni i Prishtinës ka pasur 69 raste të të sëmurëve me kancer në 100 mijë banorë, që është dyfish më shumë krahasuar me Prizrenin që kishte 32 raste.

“Vërehet tendencë në rritje të sëmundjeve respiratore”, tha Zhuri.

Jeta Xharra, drejtoreshë e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), gjithashtu pjesë e KOSID-it, tha se si gazetare është e pavarur, por për problemin e ndotjes së mjedisit ka vendosur të mbajë anë.

“Si nënë e dy fëmijëve, jam shokuar kur i kam parë shifrat”, tha Xharra. Ajo rikujtoi se BB-ja vetë i ka nxjerrë rezultatet dhe vetë i jep mbështetje ndërtimit edhe të një termocentrali të ri.

Ajo tha se shoqëria, por sidomos shteti, institucionet duhet të bëjnë më shumë për mbrojtjen e mjedisit. “Në Zyrën e Rregullatorit për Energji janë deponuar 100 aplikime për prodhim të energjisë së pastër e nuk u jepet leje”.

Problem tjetër, ajo tha, se janë edhe veturat e vjetra, kamionë e autobusë. “Ne duhet të bëjmë më shumë. Jo që katër anëtarë të familjes të vozisin katër vetura”, tha Xharra.

“Politikanët duhet të kenë patriotë në vepra, e jo në letra e fjalë. Ka vite që nuk realizohet linja e interkonjeksionit me Shqipërinë që do të mundësonte shkëmbim të energjisë ndërmjet shqiptarëve”.

Kurse, Nezir Sinani nga KOSID-i tha vendi duhet të shikojë drejt energjisë së ripërtërishme.

“Të dhënat për sëmundjet nga ambienti i ndotur janë alarmante”, tha Sinani.

Ai tha se si pasojë e paaftësisë shtetërore, rreth 40% e energjisë së prodhuar në vend ka humbur në rrjetin elektrik.

“Nëse Qeveria dhe palët tjera të interesit të cilat e përkrahin sektorin energjetik në vend, do të investonin në këto fusha, Kosova do të mund të mbulonte kërkesën për energji elektrike vetëm me Termocentralin ‘Kosova B”.

Ndotja tejmase e mjedisit po përshpejton vdekjen e kosovarëve. Ky është rezultati i raportit të Bankës Botërore për vitin 2010, i publikuar në shtator të vitit të kaluar.

Në përpjekje për t’u ballafaquar me sëmundjet që kryesisht kanë të bëjnë me organet e frymëmarrjes, brenda vitit 2010, kosovarët kanë shpenzuar më shumë se 100 milionë euro nëpër spitale.

Pasojë e ndotjes nga dy termocentralet e vendit, Kosova A dhe B, të cilët energji elektrike prodhojnë duke djegur linjit, e automjeteve të vjetra që lirojnë sasi të madhe bloze, raporti vëren se 835 persona në vitin 2010 kanë pësuar vdekje të parakohshme.

Dokumenti i BB-së thekson se brenda vitit 2010, ka pasur edhe 310 raste të bronkitit kronik, 22 mijë e 900 raste të reja të sëmundjeve të frymëmarrjes ndër fëmijë e plot 11 mijë e 600 vizita emergjente.

KOSID-i këto rezultate i ka cilësuar shokuese. Sipas këtij konsorciumi, Kosova deri në vitin 2025 mund të zhvillojë projekte në fushën e energjisë të ripërtërishme deri në 780 MW. Kjo është vërtetuar nga një nga laboratorët më prestigjioz në botë, ai i Universitetit të Kalifornisë Berkeley.

KOSID-i shpreson që kjo fushatë mediale do të vetëdijesojë edhe aktorët e përfshirë në këtë projekt shkatërrues dhe që ata do të ndryshojnë qasjen e tyre karshi zhvillimit të sektorit energjetik në vend.

Pjesë e Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) janë: Dokufest, Forumi për Iniciativa Qytetare – FIQ, Instituti për Studime të Avansuara – GAP, Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS, Internews Kosova, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – YIHR, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN.

Fushata është punuar me përkrahjen nga Asociacioni Amerikan i Pulmologëve, Asociacioni Kosovar i Pulmologëve, Sierra Club, European Climate Foundation dhe Forumi për Iniciativa Qytetare.

KOSID kërkon takim me Jahjagën, pas vizitës së saj në EBA

Përfaqësues të KOSID-it thanë se i kanë bërë kërkesë edhe presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, që të takohen me të, në mënyrë që të mësojnë më shumë nga ajo për burimin e energjisë alternative.

Kjo për faktin se me 14 janar 2013, ajo ishte pjesëmarrëse në samitin Botëror për Energji Alternative, në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“KOSID-i i ka dërguar kërkesë për takim Presidentes pas vizitës së saj atje. Nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga ajo, por presim përgjigje pozitive”, tha Visar Azemi.

Presidentja Jahjaga qëndroi në EBA deri me 17 janar 2013, ku mori pjesë edhe në Konferencën e pestë ndërkombëtare për energjinë, “World Future Energy Summit” që u mbajt nën patronazhin e Princit të Abu Dhabit, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Në Samitin ndërkombëtar për energjinë mbajtur në Abu Dhabi të EBA-së, ishin të pranishëm një numër i madh i udhëheqësve botërorë dhe të atyre të organizatave ndërkombëtare. Samiti trajton çështjen e energjisë dhe të ujit me qëllim të sigurimit të përparimit dhe mirëqenies njerëzore.

Gjatë qëndrimit në EBA, presidentja Jahjaga takoi udhëheqësit më të lartë shtetëror të Emirateve si dhe pjesëmarrës të tjerë, udhëheqës të delegacioneve shtetërore, në këtë konferencë ndërkombëtare.

Kjo është hera e dytë që presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga merr pjesë në këtë konferencë tradicionale ndërkombëtare për energjinë në botë, me ftesë zyrtare të Princit të Abu Dhabit.

01 Shkurt 2013 - 13:40

Jeton Musliu 01/02/2013 - 13:40
NDËRVEPRIMI0

KOSID-i Kundër Termocentralit Ndotës

by Gazeta JNK
NA NDIQNI