Azem Syla. Foto: Atdhe Mulla

Kontrolli i Grupit të Azem Sylës mbi Burgjet

Siç shkruhet në aktakuzë, anëtarët e grupit kishin përdorur vizitat mjekësore dhe qëndrimet në spitalin e burgut për të koordinuar aktivitetin e tyre kriminal.

Në përgjimet e prokurorisë së EULEX-it të cilat ishin kryer nga fundi i vitit 2015 dhe mesi i vitit 2016, anëtarët e grupit ishin zënë duke biseduar për aktivitetet kriminale e po ashtu tentativat për t’u liruar më herët  nga burgu.

Prokuroria përshkruan se Fahredin Gashi kishte një smart phone gjatë kohës kur ishte në burg, ndërsa anëtarët e tjerë përdornin telefonin e burgut për të kryer aktivitete kriminale.

Biznesi i Drejtuar nga Dubrava

Një metodë tjetër të cilën grupi e kishte përdorur ishte vizita në spitalin e Prishtinës. Gjatë këtyre vizitave sipas Prokurorisë së EULEX-it gardianët i lejonin anëtarët e grupit të takoheshin me persona të tjerë, edhe pse një gjë e tillë nuk lejohet.

“D.H. çdo të martë ka shansin që të shkojë në spital për ekzaminime të pretenduara mjekësore në Spitalin e Prishtinës ku ai zakonisht takohet me anëtarët e grupit,” thuhet në aktakuzë.

“Në një bisedë të datës 3 mars 2016, Shaban Syla e udhëzon djalin e tij L.S.  që të takohet me D.H. për t’i pranuar disa dokumente,” shkruan aktakuza.

Në disa përgjime të tjera si ato të datës 2 mars 2016, 3 mars 2016, 5 mars dhe 11 mars 2016, del në pah se si Shaban Syla mundohet ta mbështesë financiarisht Arton Vilën (Minukin) sepse ai është i përfshirë në një rast gjyqësor lidhur me një tokë ku edhe H.B. është i përfshirë dhe se i duhet të paguajë 3500 euro.

Pjesëtari tjetër i grupit Fahredin Gashi, sipas aktakuzës, kishte ndërprerë aktivitetin e tij  pas paraburgosjes. Megjithatë, Fahredin Gashi vazhdonte të operonte me biznesin e tij nga Burgu i Dubravës në vitin 2016 dhe këtë e dëshmojnë përgjimet në smartfonin e tij dhe janë provë se ai vazhdonte të ishte i përfshirë  në biznesin e tokave në Veternik.

Aktakuza: Pronat Përdoreshin për Blerjen e Dëshmitarëve Kundër Nazim Bllacës

Aktakuza e Prokurorisë së EULEX-it shpjegon se telefonat e Gashit dhe Shpresim Ukës ishin vënë nën përgjim gjatë kohës kur ata mbaheshin në burg.

“Në çdo raport përgjimi që bëhet, çdo 15 ditë vihen në pah biseda që përfshijnë Shaban Sylën,  në veçanti biseda me Ilaz Sylën  dhe shpesh me djalin tjetër të Shaban Sylës, Leotrimin, në të cilat biseda diskutohen transaksione të tokave. Në biseda përfshihet lokacioni, sipërfaqja e parcelave të tokës dhe çmimet. Shaban Syla shpesh bën referenca në bisedat me Leotrimin për vendndodhjen e dokumenteve në shtëpinë e tij relevante për biznesin e tokave,” thuhet në aktakuzë.

Gjithashtu përgjime ka edhe për komunikimet e Fahredin Gashit me anëtarët e familjes së tij që diskutojnë për transaksione të tokave.

Nga përgjimet e siguruara sipas prokurorisë është shumë e qartë që anëtarët e grupit janë ende në kontakt me njëri-tjetrin.

Një lëvizje interesante sipas prokurorisë është edhe një përpjekje që ishte bërë për të sjellë Shpresim Ukën nga një burg tjetër në burgun e Dubravës dhe sipas prokurorisë kjo me gjasë kjo po tentohej që të riaktivizonte anëtarët e grupit që tashmë ishin në Dubravë si Shaban Sylën, Fahredin Gashin dhe D.H. që të komunikonin në mënyrë më efikase me Shpresim Ukën. Sidoqoftë aktakuza përshkruan se kjo përpjekje nuk u realizua.

Aktakuza: Pensioni i Zvicrës Financoi Grupin e Azem Sylës

Sipas përgjimeve të prokurorisë, kohën e fundit është vënë re edhe një përpjekje për të siguruar një lirim të hershëm për Shaban Sylën dhe Fahredin Gashin nga burgu i Dubravës. Prokuroria pretendon se një lëvizje e tillë do të lehtësonte vazhdimin e biznesit të tokave me lehtësi të madhe.

Azem Syla Bleu Banesë e Veturë me Paratë e Tokave

Grupi prej 22 personash përfshirë deputetin Azem Syla u arrestuan dhe shtëpitë e tyre u bastisën në prillin e këtij viti nën dyshimet për krim të organizuar në shitjen dhe transaksionet me pronat e serbëve dhe pronat e ndërmarrjeve shoqërore. Siç e përshkruan prokurori Italian, grupi kishte arritur të shtrinte ndikimin në Gjykatën Komunale të Prishtinës dhe në Kadastrën e Prishtinës ku disa prona ishin tjetërsuar dhe ishin vënë në emër të anëtareve të grupit.

Avokatët mbrojtës të tyre në vazhdimësi kanë mohuar akuzat e prokurorisë duke pretenduar pafajësinë e klientëve të tyre. Deklarata të tilla janë dhënë nga të gjithë avokatët duke u thirrur në mohimet të cilat klientët e tyre ua kanë bërë pikave të akuzës pas aksionit të EULEX-it.

Aksioni ishte filmuar ekskluzivisht nga kamerat e emisionit “Drejtësia në Kosovë”.

KALLXO.com në vazhdimet e radhës sjell deklaratat të cilat Azem Syla i ka dhënë para prokurorit Italian për akuzat ndaj tij e po ashtu pjesë të tjera të mesazheve dhe bisedave në mes anëtarëve të grupit.