Ndërtesa e Komunës së Pejës. Photo: Atdhe Mulla.

Kontratat Milionëshe të Pejës Jashtë Planit të Prokurimit

Sipas auditorit, në raportin e vitit 2016 për Komunën e Pejës janë gjetur pesë kontrata të nënshkruara të cilat nuk ishin paraparë me planin e prokurimit të ko,munës të dërguar në Agjencine Qendrore të Prokurimit.

“Kontratat ‘Furnizim me Material Stomatologjik’, ‘Mirëmbajtja dhe Servisimi i Sistemit të Klimatizimit’, ‘Furnizim me Material Administrativ dhe Ushqimor’, ‘Transporti me Autobus dhe Furnizim me Material Higjienik, nuk ishin të përfshira në planin e prokurimit të dërguar në AQP. Vlera e këtyre pesë (5) kontratave është 1,431,670€”, thuhet në raport.

Për auditorin “lidhja e kontratave jashtë planit të prokurimit, rrezikon realizimin e kontratave që janë planifikuar dhe ndryshimin në prioritete, apo edhe hyrjen në obligime pa mbështetje buxhetore”.

Në njërën nga pesë kontratat e nënshkruara auditori ka gjetur edhe shkelje të rregullave të prokurimit publik.

“Te kontrata ‘Furnizim me Material Stomatologjik’ në vlerë 239,634€, kritere në dosje të tenderit ishte që qarkullimi bankar për tri (3) vite të jetë jo më pak se 150,000€ dhe largësia e depos jo më shumë se 15km nga qyteti i Pejës. Ne nuk kemi gjetur dëshmi se fituesi i ka plotësuar këto kërkesa”, tregoi auditori.

Edhe një kontratë tjetër, sipas auditorit, ishte në kundërshtim me rregullat e prokurimit.

Kryetari i komisionit për vlerësimin e ofertave të tenderit ‘Furnizim me Material Administrativ’ në vlerë 69,706€, është caktuar edhe mbikëqyrës (menaxher projekti) për këtë kontratë. Kjo është në kundërshtim me rregullat dhe udhëzuesit operativ për prokurimin publik nga KRPP.6”, thotë auditori.

Mospërputhja e të hyrave nga tatimi

Auditori në Komunën e Pejës ka gjetur edhe dallim të hyrash të regjistruara në programet për tatimin në pronë- protax dhe freebalance.

“Të hyrat nga tatimi në pronë të arkëtuara gjatë vitit 2016 sipas programit që menaxhohet nga Ministria e Financave/Protax ishin 1,524,625€, ndërsa sipas Freebalance-it, këto të hyra janë 1,562,511€. Pra kemi një diferencë për 37,886€”, thotë auditori.

Për auditorin ky dallim në të hyra në dy programet paraqet rrezik të mosnjohjes së pagesës së tatimit në pronë dhe ngarkimin e qytetarëve me borxhet që i kanë paguar.

“Mosharmonizimi i të hyrave nga tatimi në pronë ndërmjet këtyre sistemeve paraqet rrezikun që qytetarëve që kanë paguar obligimin mos t’u zbritet kjo shumë e paguar në sistemin e Protax-it dhe të njëjtit të ngarkohen përsëri me obligimin e paguar”, thuhet në raportin e auditorit.

Auditori ka zbuluar se në Komunën e Pejës në disa raste autotaksitë dhe ata që kanë paguar taksa administrative janë ngarkuar gabimisht.

“Gjatë testimit të të hyrave nga taksa administrative dhe licenca për autotaksi, në nëntë (9) raste qytetarët ishin ngarkuar me tarifa jo të sakta. Në gjashtë (6) raste ishte përdorur rregullorja e vjetër, ndërsa në tri (3) raste është përdorur rregullorja aktuale, por tarifat ishin aplikuar gabimisht. Pagesa për këto taksa ishte bërë 117€, ndërsa sipas rregullores në fuqi kjo shumë duhej të ishte 182€”, thuhet në raport.

Auditori ka gjetur shkelje edhe në pagesat e qirasë Komunës së Pejës.

“Komuna kishte kontratë me një qiramarrës që pagesa e qirasë vjetore të paguhet në fillim të vitit kalendarik për tërë vitin. Qiramarrësi nuk kishte respektuar kushtet e kontratës për pagesën e kësaj qiraje. Drejtoria për Çështje Pronësore – juridike kishte nxjerrë vendim në kundërshtim me kontratën që pagesa të kryhet në katër këste”, tregon auditori.

Në një rast tjetër qiraja Komunës së Pejës iu pagua me vonesë.

“Në një rast tjetër të qiradhënies, sipas kontratës, parashihej që qiramarrësi brenda pesë (5) ditëve pas fillimit të vitit të paguajë qiranë. Mirëpo, pagesa në vlerë 4,260€ për hapësirën në objektin e administratës ishte kryer me pesë (5) muaj vonesë”, thuhet në raportin e auditorit.

Subvencionet

Auditori shkelje ka gjetur edeh gjatë shpërndarjes së subvencioneve në Komunën e Pejës.

“Kryetari kishte lejuar ndihmë financiare sipas kërkesës së përfituesit individual në shumë 2,500€ me arsyetim se mjetet do të përdoren për ndihmë financiare për furnizim me material për ta finalizuar objektin e shtëpisë së ndërtuar për banim familjar, si rast i rëndë social. Ndërmjetësuesi i cili kishte marrë përsipër ndihmën financiare, gjatë raportimit të mjeteve të shpenzuara nuk kishte ofruar dëshmi të besueshme dhe relevante se mjetet janë shpenzuar për qëllimin e mësipërm”, bën të ditur raporti.

Kurse në një rast tjetër, Komuna e Pejës i kishte dhënë subvencionet me 7 muaj vonesë.

“Subvencioni në vlerë 7,500€ në emër të përfituesit publik ishte dhënë me rreth shtatë (7) muaj vonesë. Vendimi ishte marrë me datë 22.02.2016, kurse mjetet ishin transferuar tek përfituesi me datën 25.10.2016. Neni 14.2 i Rregullores për Subvencione përcakton që subvencioni të paguhet jo më vonë se 30 ditë pas datës së aprovimit”, sqaron auditori.

Borxhet e komunës

Sipas auditorit, Komuna e Pejës ka obligime të papaguara ndaj kryerësve të punëve për të në vlerën 657,472 euro.

Këto obligime që duhet t’i kryente vjet, sipas auditorit komuna i ka bartuar për t’i paguar këtë vit.

“Në 16 raste kemi vërejtur vonesa në pagesa prej 7 ditë deri 15 muaj, në shumë totale prej 343,208€”, tregoi auditori.

Auditori i tërhoqi vërejtjen Komunës së Pejës se vonesa në pagesa mund të shkaktojë padi dhe kosto shtesë nga gjobat e mundshme dhe pagesa e interesit.

Auditori ia kujton komunës se çdo faturë të pranuar për mallra dhe shërbime dujet të paguajë më së largu tridhjetë ditë pas pranimit të saj.