Kontrata e UP-së me Çmime të Manipuluara

Një biznesmen që u kontraktua për ta furnizuar Universitetin e Prishtinës me material zyrtar pranon se ofertoi me çmime manipuluese  në tenderë.

UP-ja bleu produkte shumëfish më shtrenjtë sesa çmimet e tregut nga firma “KGT”, në pronësi të Tomë Gashit.

Gazeta Jeta në Kosovë zbuloi se UP-ja shpenzoi 34 mijë e 283 euro për blerjen e një sasie të fletëve të tipit A4, përkundër që në treg e njëjta sasi mund të blihej me vetëm 23 mijë e 257 euro.

Po ashtu UP-ja harxhoi 10 mijë euro për blerjen e 6 mijë e 674 markerëve të cilët në treg nuk kushtonin më shumë se sa 2 mijë e 669 euro.

Gashi deklaroi për Gazetën Jeta në Kosovë se është i vetëdijshëm që konkurroi me çmime që nuk përputhen me vlerën e tregut.

“Vetëm në këtë mënyrë kemi mundësi që të fitojmë punë”, thotë ai.

“Për të fituar pak, shpeshherë edhe humbim shumë”, tha ai kur e arsyetoi se pse kishte vënë çmime shume herë  me të larta sesa ato që ishin në treg.

Ai tregoi mënyrën se si kompanitë ofertojnë me çmime joreale.

Gashi thotë se kur aplikojnë në tenderë bëjnë një përllogaritje se cilat janë produktet që Universiteti ka nevojë më shumë dhe për to vendosin çmime të larta

Ndërsa produkteve të cilat porositen shumë rrallë nga UP-ja, sipas tij, u vendosen çmime jashtëzakonisht të ulëta.

“Ka ndodhur që ne e kemi vendosur çmimin e çantave 0.009 centë, sepse kemi menduar që UP-ja s’do i porosisë, por kur i ka porositë ne i kemi dërguar edhe pse kemi pasë humbje të mëdha, afër 4 mijë euro”, thotë Tomë Gashi.

Bazuar në këtë kalkulim, që ofron çmim të ulët për produktet të cilat nuk porositen dhe çmim të lartë për produktet që porositen, oferta totale e kësaj kompanie doli si më e ulëta në tenderin e hapur nga Universiteti i Prishtinës.

Ky institucion vendosi që të shpallë fitues ofertën e kësaj kompanie, duke e konsideruar si më të ulëtën në krahasim me kompanitë tjera konkurrente.

Tenderi jotransparent

Kontrata për furnizim me material shpenzues mes kësaj kompanie dhe Universitetit të Prishtinës ishte nënshkruar më 7 qershor të vitit 2012 me kohëzgjatje deri më 6 qershor të vitit 2014.

Në njoftimin për dhënie të kontratës të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik shënohet se tenderi është i ndarë lote apo pjesë.

Nuk ka shpjegime se çfarë furnizime përfshin loti i parë, e çfarë furnizime përfshin loti i dytë.

Po ashtu njoftimi nuk tregon vlerën e përafërt të kontratës së lidhur mes UP-së dhe kompanisë “KGT”.

Publikimi i vlerës së përafërt është obligim ligjor i autoriteteve kontraktuese.

Ndërkaq në njoftimin e publikuar në KRPP figuron vetëm çmimi për njësi i ofruar nga kompania fituesedhe nuk ceket vlera e përafërt totale e kontratës.

“KGT”-ja për lotin e parë ofertoi me 44.53 euro ndërsa për lotin e dytë ofertoi me 93. 417 euro.

Mirëpo në njoftim nuk ceket numri i sasisë së përafërt të furnizimit të kërkuar nga Universiteti i Prishtinës.

Esat Kelmendi, sekretar i Universitetit të Prishtinës, nuk deshi të komentojë lidhur me mënyrën se si  ky institucion i dha këta tenderë kësaj kompanie.

“Këto pyetje do të ishte mirë t’i adresoni në zyrën e prokurimit, pasi ata i kanë informatat e sakta”, tha Kelmendi.

Ai ishte sekretar i universitetit edhe në qershor të vitit 2012 në kohën kur u nënshkrua kontrata me kompaninë “KGT”. Atëkohë në pozitën e rektorit të universitetit ishte Mujë Rugova.

Hysni Krasniqi ishte shef i prokurimit në UP në kohën e nënshkrimit të kontratës në qershor të vitit 2012.

Ai i tha Gazetës Jeta në Kosovë se ishin të vetëdijshëm që çmimet e ofruara nga kompania private nuk ishin reale, por, sipas tij, kjo firmë kishte ofruar garancion bankar që tregonte se mund të mbulonte ofertën e saj.

“Ka pasë edhe çmime shumë të ulëta, por edhe çmime të larta. Ne e dimë këtë. Por OShP-ja ka kërkuar që kjo kompani të japë një garancion bankar. Pasi kompania e ka dhënë garancionin, ne e kemi dhënë tenderin”, tha Krasniqi.

Aktualisht drejtues i Zyrës së Prokurimit në UP është Afrim Bajraktari.

Ai tregoi se pse UP-ja vendosi që të procedojë tutje dhe të lidhte tenderin. Thotë se ky institucion u bazua në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit të datës 29 maj të vitit 2012.

Sipas tij, vendimi i OShP-së dëshmon se oferta e kompanisë “KGT” në total ishte më e ulët në krahasim me kompanitë tjera.

Ankesë në OShP kishte dorëzuar kompania private NTP “Bussines World” që pretendonte se firma fituese “KGT” kishte ofruar çmime jonormalisht të ulëta në disa produkte në mënyrë që oferta në total të dilte me e ulët sesa e konkurrentëve.

“KGT”-ja ka kërkuar pagesë  jonormalisht të ulët për produktet që UP-ja nuk i ka kërkuar asnjëherë, ndërsa në ofertë ka kërkuar pagesë shumëfish më të madhe sesa në treg për produktet që janë porositur nga UP-ja.

OShP-ja më datën 29.05.2012. ka marrë vendim për refuzimin e ankesës të kompanisë NTP “Bussines World që ankohej për çmimet në shpërputhje më vlerën e tregut të ofruara nga kompania fituese.

Eksperti shqyrtues i OShP-së ka konstatuar se operatori ekonomik (KGT) i rekomanduar për kontratë ka ofruar çmimin më të lirë për të dy lotet në krahasim me operatorët e tjerë të përgjegjshëm.

“ Autoriteti Kontraktues (UP)  ka kërkuar  nga OE i rekomanduar për kontratë një përgjigje me shkrim nëse qëndron pranë atyre çmimeve që i ka dhënë në ofertë dhe nëse është në gjendje që të bëjë sigurimin ekzekutimit në vlerë prej 15 mijë eurove për një afat prej 13 muajve,” thuhet në vendimin e OShP-së.

Bazuar në këtë vendim, KGT-ja kishte deklaruar se qëndron prapa çmimeve që ia ka dorëzuar në ofertë.
Organi Shqyrtues i Prokurimit drejtohet nga Hysni Hoxha, një ish-ligjvënës lokal i Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren.

Ndaj tij janë ngritur dy aktakuza. Njëra u ngrit më 4 dhjetor të vitit të kaluar nga Prokuroria Speciale lidhur me tenderin e fituar nga kompania “Conex Group” nga Ndërmarrja Publike Banesore.

http://live.kallxo.com/sq/MTL/Ngritet-Aktakuze-Ndaj-Shefit-te-Tendereve-Hysni-Hoxha-3457

Ndërsa tjetra është ngritur më 16 janar të vitit 2015 lidhur me tenderin milionësh të KEK-ut të fituar nga kompania “Security Code” që është në pronësi të djalit të vëllait dhe ish-truprojës së kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut.

http://live.kallxo.com/sq/MTL/7-Persona-Akuzohen-per-Mbi-6-Milione-Euro-Deme-te-Shkaktuara-Ndaj-KEK-ut-4139

Ndërkohë Ligji për Prokurim Publik lë hapësirë për ofertim me çmime më të larta në treg dhe po ashtu për ofertim me çmime më të ulëta sesa vlera e tregut.

Në ligj nuk qartësohet decidivisht që është obligative nga autoritetet kontraktuese që të blejnë produkte konform vlerës së tregut.

Shpjegime lidhur me  këtë jepen në nenin 61 të këtij ligji. Ky nen u jep mundësinë autoriteteve kontraktuese që kur hasin në oferta që kanë çmime jonormalisht të ulëta të kërkojnë shpjegime me shkrim nga kompania konkurruese.

Dallimet në çmime

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar ofertën e kompanisë private “KGT” të dorëzuar në Universitetin e Prishtinës si dhe çmimoren e Komisionit Rregullativ të Prokurimit publik për vlerën në treg të produkteve.
Në bazë të këtyre dy dokumenteve del se kompania kërkoi çmime shumëfish më të shtrenjta sesa në treg për produktet që i ofroi Universitetit të Prishtinës.

UP-ja pagoi 1 euro e 50 cent për një marker për tabelë të bardhë (lloji ËB).
Bazuar në çmimoren e KRPP-së një marker i tillë në treg kushton rreth 40 centë.

UP-ja shpenzoi rreth 10 mijë euro gjatë vitit 2014 për blerjen e  6 mijë e 674 markerëve të këtij lloji.
Nëse ky produkt do të blihej me çmimin e tregut, atëherë UP-ja do të harxhonte vetëm 2 mijë e 669 euro.

Ky institucion veproi ngjashëm edhe për produkte tjera.

UP-ja pagoi 3 euro e 98 centë për të blerë 500 fletë të tipit A4.

Bazuar në  çmimoren e KRPP-së kjo letër po të blihej në librari kushton vetëm 2 euro e 70 centë.

UP-ja në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014 bëri 8 mijë e 614 porosi për furnizim me pako prej 500 fletësh të tipit A4.

Për këtë letër UP-ja vetëm për gjashtë muaj  të vitit 2014 pagoi hiq më pak se 34 mijë e 283 euro bazuar në faturat e kompanisë të dërguar në administratën e Rektoratit të UP-së.

Gjithashtu edhe kjo letër po të blihej me çmimin e tregut, atëherë UP-ja do të shpenzonte vetëm 23 mijë e 257 euro.

Por përveç këtyre çmimeve të cilat janë më të shtrenjta sesa ato të tregut, ka edhe çmime të cilat UP-së do t’i kushtonin më pak nëse do t’i porosiste.

250 fletë të letrës A/3 të tipit DCP që kushton 20 euro në treg, i është ofruar UP-së nga  kjo kompani me çmimin prej vetëm 0.009 centë që i bie 11 herë më pak sesa një cent.

Por një produkt të tillë UP-ja në vitin 2014 asnjëherë nuk e kërkoi.

Ndërkohë kompania “KGT” përveç kësaj kontrate ka fituar nga UP-ja edhe dy tenderë tjerë.

Më 3 qershor të vitit 2013  kjo kompani kishte fituar tenderin për furnizim me material zyrtar në vlerë prej 6 mijë e 365 eurosh.

Më 18  nëntor të vitit 2013 kjo kompani fitoi tenderin në vlerë prej 5 mijë eurosh për furnizim me libra.

Problemi tjetër i UP-së me kompaninë “KGT”

Kjo kompani kishte fituar edhe një tender tjetër nga Zyra e Prokurimit e UP-së, por që ishte anuluar më pas nga ana e sekretarit të përgjithshëm.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar në maj të vitit 2012 lidhur  me tenderin problematik të Universitetit të Prishtinës të fituar nga kjo kompani.

http://gazetajnk.com/?cid=1,979,2202

Më 26 tetor 2012, UP-ja kishte shpallë fitues kompaninë “KGT”, në tenderin për shtypjen e katër librave akademikë, me tirazh prej 2 mijë e 500 kopjesh.

Kjo kompani kërkonte 38 mijë euro për kryerjën e kësaj pune.

Por pas një jave tenderi ishte anuluar nga ana e sekretarit të përgjithshëm të UP-së.

Në tetor të vitit 2012 pozitën e sekretarit e mbante Vaxhid Sadriu.

Vaxhid Sadriu deklaroi se kompania fituese në tender i kishte fryrë çmimet për shtypin e librave.

Ai pati deklaruar se UP-ja kishte krijuar një komision i cili kishte bërë hulumtimin e tregut dhe kishte konkluduar se çmimi më i lartë për këtë printim do të arrinte deri në 11.000 euro.

Sipas tij kompania “KGT” kishte pasur për detyrë vetëm të printojë librat, ndërsa përgatitja teknike e tyre ishte bërë nga ana e UP-së, që rezulton me më pak punë për kompaninë në fund.