Arsimtarët gjatë një greve në Fushë Kosovë

Kontrata e Pazbatuar Kolektive

Bajram Gashi ka punuar për 41 vjet mësimdhënës i gjuhës shqipe në shkollën fillore “Naum Veqilharxhi” në fshatin Mohlan të komunës së Suharekës. Në korrik të vitit 2015, ai ishte pensionuar pasi kishte arritur moshën e pensionit (65 vjeç). Për më shumë se një vit, ai nuk ishte i informuar për të drejtat e tij që buronin nga Kontrata Kolektive për Arsimin Parauniversitar, e cila ishte nënshkruar në prill të vitit 2014 nga Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) dhe nga ministri i atëhershëm i Arsimit, Ramë Buja.

Kontrata Kolektive për Arsimin Parauniversitar ia mundëson pensionistëve që t’i marrin deri në 6 paga në emër të pagave përcjellëse dhe asaj jubilare.

Me të kuptuar përmbajtjen e kësaj Kontrate, Gashi kishte bërë kërkesë në Komunën e Suharekës që t’i paguhen këto paga që i takojnë në bazë të Kontratës Kolektive. Por, ai ka pranuar një përgjigje negative nga Komuna.

“Ju njoftojmë se Departamenti Komunal i Arsimit ka shqyrtuar kërkesën tuaj, mirëpo për shkak të mungesës së buxhetit kërkesa juaj nuk mund të aprovohet”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Suharekës.

Gashi është vetëm njëri nga pensionistët e arsimit të cilët kanë marrë përgjigje negative nga komunat e Kosovës për zbatimin e dispozitave të Kontratës Kolektive.

Të gjitha dispozitat e kësaj kontrate, të cilat kanë pasur implikime financiare është dashur të fillojnë të zbatohen nga 1 janari i vitit 2015.

“Punëtorët e arsimit që dalin në pension përfitojnë shpërblimin jubilar. Shpërblimi jubilar paguhet në afat prej një muaji pas plotësimit të kushteve”, thuhet në nenin 36, pika 9.

Tutje në këtë nen thuhet se punëtorët e arsimit që dalin në pension dhe kanë përvojë pune mbi 10 vjet i takon një shpërblim jubilar në vlerë të një page bazë. Atyre që i kanë përvojë pune mbi 20 vjet i takon shpërblimi në vlerë të dy pagave bazë, kurse pensionistëve me mbi 30 vjet përvojë pune i takon shpërblimi jubilar në vlerë të tri pagave bazë.

Pagesat përcjellëse

Pika 10 e të njëjtit nen (36) flet për pagesat përcjellëse.

“Punëtorët (anëtarë të SBASHK-ut) që dalin në pension përfitojnë pagesë përcjellëse në lartësi të tri (3) pagave sipas mesatarës së tri pagave të fundit të punëtorit”, thuhet në pikat 10 të nenit 36 të Kontratës Kolektive për Arsimin Parauniversitar.

Zbatimin e kësaj kontrate është dashur ta bëjnë komunat përkatëse.

“Dispozitat e kësaj kontrate kolektive janë të zbatueshme për të gjithë punëdhënësit, DKA-të dhe MAShT në sektorin publik dhe institucionet edukativo-arsimore private në mbarë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën dytë të nenit 2 në Kontratën Kolektive për Arsimin Parauniversitar.

Por, komunat nuk e kanë zbatuar këtë Kontratë duke mos i paguar mesimdhënësit që kanë dalë në pension. Kontrata e nënshkruar më 11 prill të vitit 2014 ishte trevjeçare, pra asaj i ka përfunduar koha e vlefshmërisë me 11 prill 2017.

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBAShK-ut tha për KALLXO.COM se komuna e ka për obligim t’i paguajë tri pagat përcjellëse pasi kjo është e precizuar në Kontratë, por edhe sepse ajo vetë e bën rekrutimin e mësimdhënësve.

“Si kontratë në tërësi është e nivelit qendror, mirëpo atje precizohet në kontratë thotë se çështjen e udhëtimit dhe tri pagat me rastin e pensionimit është i obliguar që këtë obligim ta kryejë punëdhënësi, me Ligjin mbi Arsimin Parauniversitar punëdhënës për mësimdhënësit tonë konsiderohet komuna. Aq më tepër ngase edhe rekrutimin apo pranimin e kuadrove nëpër shkolla e bën Drejtoria e Arsimit me panelin e vet që e ka”, tha Jasharaj.

Sherif Berisha, drejtor i Arsimit në Komunën e Suharekës për KALLXO.COM ka thënë që në këtë komunë janë përafërsisht 42 kërkesa për pagesa përcjellëse (në vlerë të tri pagave) dhe shpërblimin jubilar, por që këto paga nuk janë dhënë.

“Përafërsisht diku janë rreth 42 kërkesa. Nuk janë dhënë se nuk janë të planifikuara me buxhet komunal”, tha Berisha.

Përveç Suharekës edhe drejtoritë e Arsimit nëpër komunat kryesore të Kosovës nuk i kanë zbatuar dispozitat që kanë pasur implikime financiare në Kontratën Kolektive për Arsimin Parauniversitar. Sipas drejtorive të Arsimit arsyeja pse nuk janë zbatuar këto dispozita është mungesa buxhetore.

“Asnjë pagë përcjellëse pas pensionimit nuk është bërë për ish-nëpunësit arsimorë. Numri i kërkesave të parashtruara nga viti 2015 e deri më tani përafërsisht është mbi shtatëdhjetë (70). Komuna nuk ka pasur mjete të ndara për pagesat e tilla. Gjithashtu sipas informatave që kemi nga Drejtoria për Buxhet dhe Financa edhe për këtë vit nuk ka mjete financiare të ndara për kryerjen e këtyre pagesave”, tha Shqipe Haziri, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Gjilanit.

Ndërsa, Komuna e Ferizajit po planifikon të ndajë buxhet për pagesat përcjellëse dhe shpërblimet jubilare për vitin 2018, edhe pse më kontrata kolektive e nënshkruar në vitin 2014 nuk është valide.

“Nuk ka mundësi buxhetore për zbatueshmërinë e këtyre pikave, por planifikojmë që në hartimin e buxhetit për vitin 2018 të ndajmë mjete për realizimin e këtyre pikave”, tha Muhamet Halili, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt.

Në Komunën e Prizrenit nga viti 2015 e deri në mesin e muajit mars kanë qenë 110 kërkesa për pagesën përcjellëse. Kjo Komunë deri më tani nuk i ka kryer asnjë nga pagesat që u ka takuar pensionistëve, me arsyetimin se nuk kanë mjete financiare. Edhe kjo Komunë po synon të zbatojë Kontratën vetëm pasi ajo është bërë jovalide.

“Ne kemi parapa me rishikim të buxhetit të ndahet shuma e nevojshme që t’u paguhen mësimdhënësve pensionistë pagat përcjellëse”, tha Zahadin Shemsedini, drejtor i Arsimit në Prizren.

Në Komunën e Pejës kanë thënë se janë duke e bërë pagesën e udhëtimit dhe të shujtës për mësimdhënëse, një tjetër obligim që del nga kontrata Kolektive, por jo edhe pagesën përcjellëse dhe shpërblimin jubilar. Besim Avdimetaj, drejtor i Arsimit në Komunën e Pejës ka thënë se as në buxhetin e vitit 2017 Komuna nuk ka ndarë mjete financiare për pagesën e obligimeve ndaj mesimdhënësve që kanë dalë në pension.

Skender Avdiu, drejtor i Arsimit në Komunën e Mitrovicës, tha se nuk kanë ndarë mjete për pensionistë të arsimit.

“Në komunën e Mitrovicës përfaqësuesja e SBASHK-ut znj. Vjollca Shala ka bërë një kërkesë për dhjetëra të pensionuar pas vitit 2015 me kërkesë që t’u bëhet pagesa e 6 pagave: 3 jubilare dhe 3 përcjellëse, e që vlera e përgjithshme e borxhit sipas saj ndaj të pensionuarve kalon shumën mbi 80 mijë euro. Me keqardhje mund të konstatojmë se për shkak të vështirësive buxhetore as këtë vit nuk janë ndarë mjete për destinacione të tilla”, shtoi Skender Avdiu, drejtor i Arsimit në Komunën e Mitrovicës.

Në Komunën e Gjakovës thonë se kanë pranuar 70 kërkesa për paga përcjellëse.

“Për momentin nuk zbatohet asnjëra nga pikat e shënuara, sepse nuk kemi mundësi buxhetore… Nuk është ndarë buxhet sepse këtë vit kemi mungesë buxhetore edhe për stafin aktual ku jemi duke u përballur me vështirësi financiare”, tha Diana Qarkaxhija, drejtoreshë e Arsimit në Gjakovë.

Por, kjo Komunë u ka dhënë nga një pagë kompensim drejtorëve, zëvendësdrejtorëve, sekretarëve që kanë dalë në pension, bazuar në Ligjin për Shërbyesit Civilë.

Shujta dhe udhëtimi

Pika 6 e nenit 36 të Kontratës Kolektive flet për garantimin e pagës e cila ka gjithashtu implikime financiare është zbatuar vetëm në Komunën e Prizrenit dhe pjesërisht në komunën e Mitrovicës.

 

“Mësimdhënësve që udhëtojnë në vendbanimet e komunës përkatëse ku punojnë u paguhen shpenzimet e rrugës 70 për qind të biletave të trafikut urban”, thuhet në nenin 36 të Kontratës Kolektive për Arsimin Parauniversitar.

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBAShK-ut, tha se Prizreni është e vetmja komunë që mësimdhënësve të saj ua paguan udhëtimin.

“Prizreni e ka kry çështjen e udhëtimit, e vetmja komunë, të tjerat jo”, tha Jasharaj. Kjo është konfirmuar edhe nga Zahadin Shemsedini, drejtor i Arsimit në Komunën e Prizrenit, i cili tha se 760 mësimdhënësve u bëhet pagesa e udhëtimit. Këtë nen pjesërisht e zbaton edhe Komuna e Mitrovicës.

“Pjesërisht zbatohet KK (Kontrata Kolektive) kur është fjala tek kompenzimi i shpenzimeve të udhëtimit të mësimdhënësve të cilët udhëtojnë në viset rurale”, tha Skender Avdiu, drejtor i Arsimit në Komunën e Mitrovicës.

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBAShK-ut thotë se e kanë zgjedhur dialogun për zbatimin e Kontratës Kolektive. Jashari tha se mesimdhënësit u janë drejtuar gjykatave për të fituar të drejtat që ju takojnë me Kontratën Kolektive. Tha se Sindikata, aktualisht, është duke u ndihmuar atyre në përgatitjen e shkresave të tyre për gjykatë.

“Procedura ka shku deri te gjykata ngase qeveritë lokale nuk kanë dashur ta realizojnë këtë të drejtë që e kanë të punësuarit në arsim me negociata dhe dialog”, tha Jasharaj.

Ai pret që gjykata do t’i detyrojë komunat që t’i paguajnë obligimet ndaj mësimdhënësve.

“U detyruam që çështjen ta dërgojmë në gjykatë, të bindur që gjykatat komunale uroj që mos të jenë të ndikuara nga politika, do të sjellin vendim meritor. Këtë po e them aq më tepër me guxim ngase në rastet individuale veq i kanë fituar lëndët dhe i kanë marrë”, tha Jashari.

Ai tha se bazuar në Kontratën Kolektive, mesimdhënësve që kanë dalë në pension u takon pagesa përcjellëse në vlerë të tri pagave, si dhe shpërblimet jubilare.

“Të gjithë të punësuarit në arsim, çdo dhjetë vite pune në arsim do të duhej të shpërbleheshin me një pagë jubilare. Ligjërisht pagat jubilare do të duhej të jepeshin pas çdo dhjetë viteve pune por meqenëse kjo nuk është bërë atëherë ne kemi shkuar për t’i përgatitur lëndët të cilat janë në gjykatë, të cilat jemi të sigurtë që do të sjellin vendim pozitiv që ata do t’i marrin edhe tri pagat jubilare edhe tri pagat përcjellëse me rastin e pensionimit”, tha Rrahman Jasharaj, kryetar i SBAShK-ut.

Në Kontratën e pazbatuar Kolektive ishte paraparë edhe kompensimi për ushqim gjatë punës, për ditët e pranisë në punë.

“Vlera e kompensimit të shpenzimit të ushqimit në punë, për një ditë pune, është së paku dy euro, varësisht nga rrethanat dhe mundësitë për rastet konkrete. Aty ku nuk ka shtesa mbi pagën bazë dhe ka mundësi financiare, mund të paguhet kompensimi për ushqim gjatë orarit të punës. Punëdhënësi i cili ka të rregulluar ushqimin e të punësuarve përmes restorantit, kuzhinës, ose në një formë tjetër, nuk ka obligim pagese (dy euro) të të punësuarve për ushqim”, thuhet në pikën 8 të nenit 36 për garantimin e pagës në Kontratën Kolektive për Arsimin Parauniversitar të cilës po i skadon afati.

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBAShK-ut tha se sa i përket ushqimit kanë bërë marrëveshje me mësimdhënësit që mos të ngrihet si çështje edhe pse me kontratën kolektive u takon.

“Jemi marrë vesh me mësimdhënësit në mënyrë të drejtpërdrejtë apo nganjëherë tërthorazi që të mos e ngrisim si çështje ngase na është dukur se shumë ma me rëndësi janë tri pagat pas një pune 40 e sa vjeçare dhe çështjen e udhëtimit”, potencoi Jasharaj.

Në mbledhjen e fundit të këshillit drejtues të Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës u propozua edhe Kontrata e re Kolektive pasi Kontratës së vjetër i skadon afati në bazë të Ligjit të Punës më 11 prill 2017.

“Kontrata e re e propozuar nga SBAShK-u nuk përfshin vetëm arsimin parauniversitar po brenda saj rregullohen edhe çështjet e universiteteve të Kosovës”, tha Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut gjatë këtij takimi.

Bajram Gashi, i pensionuar në vitin 2015 nuk e ka në plan të ndalet për të kërkuar të drejtën e tij. Pas përgjigjes negative që mori nga Drejtoria e Arsimit në Suharekë, Bajram Gashi bëri ankesë, e cila iu miratua nga Komisioni për Zgjidhjen e Ankesave dhe Parashtresave.

“Komisioni për Zgjidhjen e Ankesave dhe Parashtresave, për të dy kërkesat e mia, me aktvendim ka miratuar ankesat dhe më ka udhëzuar që t’i drejtohem Gjykatës Themelore në Prizren – Dega Suharekë”, tha Gashi.

Ai i është drejtuar edhe gjykatës.

“Meqenëse u shterën të gjitha rrugët dhe procedurat ligjore për realizimin e kësaj të drejte, me 15 mars 2017, kam parashtruar padi civile kundër DKA-së në Suharekë. Seanca e parë është caktuar për datën 24 prill 2017”, potencoi Bajrami.

Gashi i ka 41 vjet përvojë pune, por ky është rasti i parë që ai po detyrohet me u përballë me organet e drejtësisë.

“Ky është rasti i parë që i drejtohem gjykatës. Kam besim në organet e drejtësisë dhe mendoj se do të arrihet realizimi i të drejtës sime. Mendoj se ky është një shembull i keq dhe më së paku e meriton një mësimdhënës trajtimin e tillë, sepse dihet mirë se ne kemi punuar edhe pa paga, apo me paga simbolike”, tha Gashi.