Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Konfuzion Ligjor për ‘Prostitucionin Virtual’në Shqipëri

Vajza me inicialet B.D, studente e ekonomikut pasditen e 5 shtatorit 2017 ishte duke shkuar në punë në një apartament në Tiranë, në të cilin përmes një kompjuteri e një kamere ajo edhe vajza të tjera ofrojnë shfaqje seksuale për klientët në krahun tjetër të linjës.

Studentja kishte pak muaj që ishte punësuar në këtë sallon, pasi braktisi të njëjtën punë diku tjetër, kur vendi dhe puna u bënë publike nga një emision televiziv dhe u mbyll nga policia e Tiranës. Ajo që B.D nuk e dinte ishte se disa agjentë policie po e ndiqnin sërish prej kohësh.

Atë ditë policia ndërhyri në apartamentin ku vajza trokiti të hynte, duke ushtruar kontroll dhe shoqëruar vajzat që u gjetën në punë, mes kamerave për web dhe lodrave seksuale dhe një çift bashkëshortësh të akuzuar se drejtonin  biznesin. Çifti i bashkëshortëve Artur B. dhe Dafina T., janë arrestuar nga policia për akuzën e “shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “mbajtjes së lokaleve dhe ambjenteve për prostitucion”, ndërsa 6 vajzat përfshi B.D u proceduan në gjendje të lirë për akuzën e “ushtrimit të prostitucionit”.

Por ndërsa vetëm në dy vjetët e fundit janë ndaluar dhe arrestuar më shumë se 20 persona, kryesisht vajza rreth të 20-tave, që punojnë në dhomat që ofrojnë shfaqje seksuale, policia dhe prokuroria nuk janë të qarta se çfarë akuzash mund të ngrenë, apo nëse kjo punë përbën realisht vepër penale.

Megjithëse, në raportin për gjendjen e kriminalitetit për vitin 2016, Prokuroria e Përgjithshme evidenton se veprat penale “kundër moralit dhe dinjitetit” ku janë klasifikuar edhe këto raste, kanë një rritje të ndjeshme në krahasim me vitin 2015, dhe policia dyshon se numri i qendrave të ngjashme në vend është më i madh sesa rastet e identifikuara,  mungesa e legjislacionit e bën të paqartë se çfarë mund bëjë dhe a duhet të ndërhyjë ajo në këto raste.

Dy prokurorë që folën për BIRN, në kushte anonimiteti, thanë se ishte e pasaktë që çështja të referohej si prostitucion.

“Këto raste nuk mund të hyjnë në këtë kategori veprash penale. Mendoj se mund të diskutohet deri diku vepra e ‘pornografisë’, por dhe kjo kërkon diskutim, pasi kjo dispozitë parashikohet (vetëm) kur kemi të bëjmë me të mitur”,tha një prej prokurorëve për BIRN.

Ai shtoi se “prostitucioni virtual”, që do të thotë zhveshja apo veprime të ndryshme intime para kamerës nuk janë parashikuar në Kodin Penal të Shqipërisë.

Vetë policia që ka ndërhyrë në disa raste i ka referuar çështjet në forma të ndryshme, duke lënë të kuptohet konfuzionin ligjor rreth tyre.

Në një operacion të ngjashëm të koduar “Hot Line“ kryer në 29 prill 2016, ku policia arrestoi dhe më pas la të lira 5 vajza që punonin në dy prej këtyre “salloneve të seksit virtual”, materialet janë referuar në prokurori për akuzën e “pornografisë” dhe “mbajtjes së ambienteve për prostitucion”.

Ndërkohë BIRN mëson se në një tjetër operacion të koduar “Chat Line 2” kryer në qershor të 2017, policia ka arrestuar 6 vajza (tashmë të gjitha të liruara), ndaj të cilave ka referuar materialin në prokurori për veprat penale “prostitucion”, “shfrytëzim për prostitucion”, “punësimi i paligjshëm” dhe “fshehja e të ardhurave”.

Avokati Nexhdet Kambo, të cilit BIRN i kërkoi mendim juridik rreth këtyre çështjeve tha se në këto raste mungon ana objektive e veprës penale të “prostitucionit” dhe “shfrytëzimit të prostitucionit”. Sipas tij “nëse s’ka objekt, që të përmbushë elementet e veprës penale, s’mund të akuzosh dikë që nuk i ka kryer elementët e veprës”.  Ai thotë se i sheh këto raste si biznese të ligjshme dhe se detyra e shtetit është t’i kontrollojë në aspektin e detyrimit financiar dhe kontributeve shoqërore.

E gjendur përpara një situate të tillë, gjykata e Tiranës kryesisht i ka lënë të lirë të arrestuarit në pritje të proceseve gjyqësore. Po kështu edhe në rastin e 5 shtatorit gjykata vendosi të lirojë nga qelia dhe të caktojë masën e “arrestit në shtëpi”  për administratoren Dafina T. Për bashkëshortin e saj, që shërbente si taksist i këtyre vajzave, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa i liroi të gjitha vajzat.

Vetë të ndaluarit thanë se nuk kishin dijeni se ajo që po bënin ishte e paligjshme.  “…Nuk kam detyruar asnjë vajzë të bëjë një punë të tillë. Çdo veprim kryhej me dëshirën e tyre dhe mund t’i pyesni këto në gjykatë…”,ka deklaruar Dafina T. gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë.

Avokati i saj Stefan Topalli, i tha BIRN se akuzat e ngritura nga policia janë të ekzagjeruara, pasi juridikisht nuk ka “shfrytëzim prostitucioni” dhe “prostitucion”. “Juridikisht këto raste janë shumë të diskutueshme. Në gjykimin tim, nuk ka vepër penale nga ato që pretendohet. Mund të hyjë tek pornografia, por dhe kjo ka shumë diskutim”, tha avokati për BIRN.

Por sociologia Marsida Simo i tha BIRN se kjo punë gjatë së cilës vajzat flasin, e zhvishen në dhoma chati me të tjerë përmes internetit, mund të quhet prostitucion virtual dhe është thjeshtë një vijim i prostitucionit i ndryshuar me zhvillimin e teknologjisë duke përshtatur ofertën me kohën.

Simo tha se shqetësimi në këtë rast ishte mundësia që në aktivitet të përfshiheshin fëmijë. “Mos të mendojmë që prostitucion do konsiderojmë vetëm aktin fizik, sepse i gjithë procesi që ndiqet për të përfituar këtë shërbim është ilegal…”-thotë për BIRN sociologia Simo.

Megjithatë për prokurorët për sa kohë kjo vepër nuk përshkruhet në Kodin Penal dhe sa kohë asnjë nga pjesëmarrëset nuk është e mitur, është e pamundur të merren dënime në gjykatë. Një prej tyre i tha BIRN se i shikon këto raste më tepër si kompetencë e Drejtorisë së Tatimeve, ndërsa tha se ato duhet të licensohen dhe të paguajnë detyrime financiare ndaj shtetit.

Prokurori bëri një paralelizëm të këtyre rasteve në të cilat ka ndërhyrë policia, me komunikimin virtual telefonik që u bë i njohur si  “0900-ta”, të cilat reklamohen lirshëm në televizon dhe faqe gazetash.

“Policia është njoftuar për këtë çështje, e cila konsiderohet se është kontest civil. Zyrtarët policorë kanë asistuar zyrtarët komunalë në këtë rast, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes nga Drejtoria për Gjeodezi. Lidhur me këtë çështje është iniciuar një rast kanosjeje ndaj një qytetari që kishte kanosur zyrtarin komunal. Policia ka ushtrua kallëzim penal ndaj personit të dyshuar dhe rasti i është dorëzuar prokurorisë”.

Marrë nga reporter.al