Konfiskohen Xhirime për Vrasjen e Dyfishtë në Vushtrri

Në qytetin e Vushtrrisë të premten ka ndodhur një vrasje e dyfishtë, ku për pasojë kanë mbetur të vdekur Xhabir Krasniqi (45 vjeç) dhe Bajram Gerbeshi (40 vjeç).

Sipas burimeve nga policia, janë konfiskuar disa incizime të kamerave të një kazinoje që ndodhet shumë afër vendit të ngjarjes, e të cilat eventualisht mund të kenë filmuar momentin kur ka ndodhur ngjarja.

Policia ka arrestuar edhe një person, identiteti i të cilit tani për tani nuk është bërë publik.

Sipas policisë së Kosovës ngjarja raportohet të ketë ndodhur vetëm pak metra larg qendrës së qytetit, përkatësisht afër parkut në rrugën “Arsim Muzaçi”, ndërsa e gjithë kjo kishte ardhur nga një mosmarrëveshje ndërmjet viktimave.

Komandanti i stacionit policor në Vushtrri, Avdylaziz Hoxha, ka thënë se është duke u vazhduar me procedurat hetimore dhe se janë konfiskuar disa prova materiale, përfshirë këtu armë dhe një veturë e njërit prej viktimave.