Komuna e Rahovecit - Foto: KALLXO.com

Komunat Shkelin Ligjin për Dygjuhësi dhe Transparencë

Komunat e Kosovës nuk po i kushtojnë rendësi transparencës dhe as obligimit ligjor për dygjuhësi.

Një hulumtim i Gazetës Jeta në Kosovë ka zbuluar se tetë komuna nuk i kanë funksionale uebfaqet e tyre, ndërsa disa prej tyre nuk i bëjnë azhurnimet e nevojshme.

Gazeta Jnk ka gjetur se pjesa më e madhe e Komunave nuk e respektojnë ligjin sa u përket publikimit të njoftimeve, shpalljeve dhe dokumenteve të tjera në gjuhët zyrtare të Kosovës.

Kosova gjithsej i ka 38 komuna, 10 prej tyre janë me shumicë serbe. Por, pesë prej komunave me shumicë serbe janë krijuar bazuar në Pakon e Ahtisarit. Ato kanë një popullsi në numër të vogël. Komunat e krijuara me Pakon e Ahtisarit janë: Mitrovica e Veriut, Graçanica, Kllokoti, Ranilluku dhe Parteshi. Edhe komuna e Novobërdës është bërë me shumicë serbe pas zgjerimit të territorit të saj sipas Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës – Paketës Ahtisari.

Përkundër që janë funksionale që nga viti 2009-2010, katër komuna me shumicë serbe nuk i kanë të funksionalizuara fare uebfaqet e tyre.

Gazeta Jnk ka gjetur se komunat e Zubin Potokut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Mitrovicës Veriore nuk i kanë funksionuar fare uebfaqet e tyre.

Kjo është konfirmuar edhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Sa u përket faqeve zyrtare të internetit, deri më tani 4 komunat: Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq dhe Mitrovicë Veriore, nuk kanë funksionalizuar faqet zyrtare të tyre”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së për Gazetën Jeta në Kosovë.

Jofunksionale janë edhe uebfaqet e katër komunave të tjera: Gjakovës, Ferizajt, Klinës dhe Hanit të  Elezit.

Zyrtari për informim i Komunës së Gjakovës, Artan Haraqia tha për Gazetën JnK se MAPL-ja e ka ndërprerë funksionimin e faqes për të dizajnuar të renë.

“Funksionimi i uebfaqes së Komunës së Gjakovës është ndërprerë nga MAPL-ja, e cila edhe menaxhon me uebfaqet e komunave të Kosovës. Sipas informacioneve që na janë dhënë nga ministria, funksionimi i uebfaqes është ndërprerë për faktin se kompania e përzgjedhur nga ministria ka filluar me ridizajnimin e uebfaqes së re e cila pritet të jetë në funksion së shpejti”, tha Haraqija për Gazetë JnK.

Në MAPL nuk kanë treguar arsyen e ndërprerjes së funksionimit të uebfaqeve së këtyre komunave, mirëpo kanë treguar për procesin e ridizajnimit të tyre.

“MAPL-ja në bashkëpunim me projektin DEMOS po ridizajnon faqet e të gjitha komunave, duke përfshirë edhe komunat me shumicë serbe. Faqet e reja do të lansohen në muajin e ardhshëm”, thuhet në përgjigjet e ministrisë.

“Dygjuhësia”

Komunat e Kosovës, ashtu si çdo institucion tjetër, e kanë obligim ligjor që të zbatojnë  dygjuhësinë.

Ligji për Vetëqeverisje Lokale i obligon komunat që të respektojnë Ligjin mbi Gjuhët.

“Njoftimi dhe materialet e mbledhjes duhet të respektojnë Ligjin mbi Gjuhët. I njëjti njoftim duhet t’i shpallet publikut”, thuhet në paragrafin 4 të Nenit 43 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale të Republikës së Kosovës.

Ndërsa paragrafi 3 i nenit 68 i obligon komunat për trasparencë të plotë karrshi qytetarëve.

“Përveç takimeve publike të cekura më lart, komunat janë të obliguara t’i informojnë qytetarët e komunës për çfarëdo planesh apo programesh të rëndësishme me interes publik, siç rregullohet me statutin e komunës”, thuhet në paragrafin e 3, të nenit 68.

Kjo është konfirmuar edhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Publikimi i dokumenteve në gjuhë zyrtare rregullohet edhe me Ligjin për Gjuhë Zyrtare dhe akte të tjera nënligjore. Zbatimi i dygjuhësisë është obligim ligjor për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, ashtu edhe për komunat”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së për Gazetën JnK.

Hulumtimi i Gazetës Jnk ka zbuluar se pjesa më e madhe komunave nuk e respekton ligjin i cili kërkon publikimin e materialeve dhe njoftimeve në dy gjuhë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka vizituar të gjitha uebsajtet e komunave të Kosovës për të parë se sa ato e përfillin obligimin ligjor për dygjuhësi. Pjesa më e madhe e tyre nuk janë të rregullta me publikimin e njëkohshëm të lajmeve në gjuhët zyrtare.

Komuna e Prishtinës njoftimin e fundit në gjuhën serbe e ka të publikuar më 31 janar të këtij viti, ndërsa në gjuhën shqipe aty përditësohen çdo ditë njoftimet e saj.

Komuna e Gjilanit njoftimin e fundit në gjuhën serbe e ka të publikuar më 27 tetor të vitit të kaluar, ndërsa në gjuhën shqipe ata publikojnë aktivitetet e komunës në vazhdimësi.

Komuna e Deçanit dhe ajo e Drenasit nuk kanë publikuar asnjë informacion në gjuhën serbe, ndërsa në gjuhën shqipe, pothuajse si komunat tjera shqiptare edhe ata publikojnë njoftimet e tyre.

Komuna e Dragashit njoftimin e fundit në gjuhën serbe e ka të publikuar më 1 korrik të vitit të kaluar, ndërsa në gjuhën shqipe njoftimin e fundit e ka të publikuar më 2 shkurt të këtij viti.

Komuna e Fushë-Kosovës nuk e ka asnjë informacion në gjuhën serbe, përkundër që ka banorë serbë që jetojnë në këtë komunë.

Zyrtari për informim i Komunës së Fushë-Kosovës, Ali Topalli tha për gazetën JnK se ka mungesë të stafit për përkthim të materialeve.

“Të punësuar e kemi vetëm një person i cili merret me përkthimet dhe e ka tepër te pamundur me u marrë edhe me përkthimet e uebsajtit pasi që ai përkthen tërë dokumentacionin e nevojshëm për legjislativin dhe ekzekutivin”, tha ai.

Injorimi i qytetarëve

Ai ka shtuar se janë 250 deri në 300 serbë që jetojnë në Komunën e Fushë-Kosovës.

Edhe Komuna e Mitrovicës së Jugut nuk e ka asnjë njoftim në gjuhën serbe. Zyrtari për informim i Komunës së Mitrovicës, Hysni Shala, tha për Gazetën JnK se nuk ka persona të interesuar për të lexuar këtë uebfaqe në gjuhën serbe.

“Nuk ka informacione në gjuhën serbe sepse nuk ka të interesuar për të hapur (lexuar) këtë faqe, pasi që janë vetëm dy persona të komunitetit serb (burrë e grua) që jetojnë në Frashër, ndërsa që në qytet dhe në fshatrat tjera të komunës nuk jeton më askush nga radhët e këtij komuniteti”, tha Shala për Gazetën JnK.

E parregullt në publikimin e njoftimeve dhe dokumenteve në gjuhën serbe është edhe Komuna e Kaçanikut. Njoftimi i fundit i publikuar nga kjo komunë në gjuhën serbe është bërë me datën 29 qershor të vitit të kaluar.

Komunat që janë të rregullta në azhurnimin e uebfaqeve të tyre edhe në gjuhën serbe janë: Istogu, Kamenica, Lipjani, Peja, Rahoveci dhe  Vitia.

Komuna e  Obiliqit, njoftimin e fundit në gjuhën serbe e ka të publikuar më 25 gusht të vitit të kaluar.

Komuna e Podujevës nuk e ka asnjë njoftim në gjuhën serbe. Shefi i Zyrës për Informim në këtë komunë, Nazmi Elezi, tha për gazetën Jeta në Kosovë se nuk ka informacione për shkak të mungesës së përkthyesve.

“Në mungesë të kuadrit profesional (përkthyesve shqip-serbisht), në uebfaqe publikohen vendimet dhe dokumente të ndryshme edhe në gjuhën serbe, por jo edhe lajmet dhe të gjitha informacionet e tjera që publikohen në gjuhën shqipe”, tha ai për Gazetën JnK.

Ai shtoi se në këtë komunë jetojnë vetëm 4 qytetarë të nacionalitetit serb.

Komuna e Prizrenit, njoftimin e fundit në gjuhën serbe e ka të publikuar më 20 mars, pastaj më 5 dhjetor të vitit të kaluar e kështu me radhë. Ndërsa në gjuhën turke njoftimin e fundit e ka me 6 mars, pastaj me 2 mars, 17 tetor e kështu me radhë.

Komuna e Skenderajt njoftimin e fundit në gjuhën serbe e ka të publikuar më 15 korrik të 2015. Komuna e Shtimes njoftimin e fundit në gjuhën serbe e ka të publikuar më 28 mars të vitit 2014, pastaj me 25 qershor të 2013, 13 maj të 2013-ës, e kështu me radhë. Edhe Komuna e Suharekës nuk e respekton obligimin ligjor për publikim të lajmeve në gjuhën serbe, pasi njoftimin e fundit në gjuhën serbe e ka të publikuar më 4 prill të 2014, pastaj me 16 korrik të 2013-ës.

Mbyllja e komunave

Komuna e Vushtrrisë njoftimin e fundit në gjuhën serbe e ka të publikuar më 26 shtator të 2016-ës, pastaj më 24 dhjetor të 2015-ës, më 19 qershor të 2015-ës, e kështu me radhë.

Komuna e Malishevës dhe ajo e Mamushës nuk e kanë publikuar asnjë njoftim në gjuhën serbe. Por, Komuna e Mamushës është e rregullt në publikimin në gjuhën turke. Komuna e Junikut, nuk e ka asnjë njoftim në gjuhën serbe, ndërsa njoftimin e fundit në gjuhën shqipe e ka më 9 dhjetor të vitit të kaluar.

Edhe komunat serbe, nuk e përfillin fare obligimin ligjor për dygjuhësi. Përveç komunave të cilat nuk i kanë fare aktive uebfaqet, janë edhe komunat tjera që nuk janë të rregullta në azhurnime të uebfaqeve edhe në gjuhën shqipe.

Në Komunën e Parteshit nuk ka asnjë informacion në gjuhën shqipe. Aty mund të gjesh shumë pak informacione, mirëpo vetëm në gjuhën serbe. Njoftimi i fundit në gjuhën serbe në këtë komunës është me 31 janar të këtij viti, pastaj me 13 dhjetor të vitit të kaluar, 9 dhjetor e kështu me radhë.

Në komunën e Graçanicës ka shumë pak informacione në gjuhën shqipe. Aty mungojnë edhe informacionet bazike për komunën në gjuhën shqipe, siç është edhe emri i kryetarit të komunës. Lajmi i fundit që është publikuar në gjuhën shqipe në uebfaqen e komunës së Graçanicës është në tetor të vitit të kaluar. Ndërsa në gjuhën serbe uebfaqet ka njoftime që përditësohet varësisht prej aktiviteteve të komunës.

Komuna e Kllokotit është e rregullt në azhurnimin e uebfaqes edhe në gjuhën shqipe. Në këtë komunë njoftimi i fundit është më 27 mars dhe ai është në të dyja gjuhët. Ata pothuajse çdo njoftim/aktivitet e kanë në të dyja gjuhët, shqip dhe serbisht. Në këtë komunë jetojnë edhe një numër i madh i shqiptarëve. Edhe komuna e Shtërpcës është e rregullt në publikimin e njoftimeve në të dy gjuhët.

Në Komunën e Novobërdës ku kryetar është Svetislav Ivanoviq nuk mungojnë informacionet në gjuhën shqipe. Por, në këtë komunë mungojnë dokumentet bazike, siç është buxheti i Komunës për katër vjetët e fundit. Aty figuron vetëm buxheti i vitit 2011, 2012 dhe 2013, në kohën sa kryetar i kësaj komune ka qenë Bajrush Ymeri. Uebsajti i kësaj komune përditësohet me lajme/njoftime pothuajse çdo ditë në dy gjuhët, shqip dhe serbisht.

Edhe në komunën e Ranillukut uebsajti pothuajse përditësohet. Aty mund të gjesh njoftime në dyja gjuhët zyrtare. Njoftimi i fundit në gjuhën shqipe në këtë komunë është më 23 mars.

“Mbikëqyrja”

Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal i ka arsyetuar komunat për mosrespektim të ligjit.

“Mospublikimi i dokumenteve në gjuhë zyrtare nga komunat kryesisht varet nga mungesa e kapaciteteve te stafit profesional (përkthyesve), mungesa e buxhetit për kontraktim të shërbimeve”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së dhënë Gazetës Jnk.

Por, kjo ministri thotë t’i kenë trajnuar zyrtarët e komunave për përdorimin e uebfaqeve.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me projektin e USAID Partnership for Development, ka trajnuar të gjithë zyrtarët komunalë (Zyrtarët e IT-së dhe zyrtarët ligjorë) dhe bashkërisht në gazetën zyrtare kanë publikuar aktet e komunave. Në këtë kuadër, në këtë proces trajnimi dhe publikimi të akteve janë përfshirë edhe zyrtarët e komunave me shumicë serbe”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së për Gazetën JnK

Qeveria e Kosovës në gusht të 2015-ës kishte nënshkruar marrëveshje me Serbinë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ajo marrëveshje ka mbetur pa u miratuar në Kuvendin e Kosovës për shkak të kundërshtimit të madh të partive opozitare.

Një marrëveshje e tillë ishte cilësuar nga opozita si jokushtetuese. Megjithatë Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte nxjerrë një vendim vitin e kaluar ku kishte gjetur disa shkelje në marrëveshjen e arritur në Bruksel. Andaj ka kërkuar që statuti i asociacionit të bëhet konform vendimit të kësaj gjykate.