Foto: Ilustrim

Komunat nuk i ndërrojnë vendimet për tender

Në çerekun e parë të vitit 2018, bizneset kanë paraqitur 27 kërkesa për rishqyrtim të vendimeve në 7 komuna të Kosovës përderisa edhe në 5 komuna të tjera të përfshira në këtë analizë thuhet se nuk kanë pranuar asnjë kërkesa për rishqyrtim të vendimeve në këtë periudhë. Vetëm dy herë, 12 komunat e përfshira në analizë kanë pranuar të rishqyrtojnë vendimin e tyre.

Njëra prej ndryshimeve ligjore të bëra në vitin 2016 ishte mundësia që u ishte dhënë bizneseve për t’u ankuar në dy shkallë për pretendimet e tyre për shkelje të Ligjit të Prokurimit.

Për herë të parë në Kosovë autoritete kontraktuese mund t’i zgjidhnin mosmarrëveshjet e tyre për të mos shkuar tutje rasti në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP).

Në nenin 108/A të Ligjit të Prokurimit Publik,  i cili flet për zgjidhjet preliminare të mosmarrëveshjeve rregullohet kjo çështje.

Ky nen thotë se çdo palë që mendon që i janë shkelur të drejtat , siç i parasheh Ligji nga marrja e një vendimi për ndonjë aktivitet të prokurimit nga autoriteti kontraktues, mund të paraqesë kërkesën për rishqyrtim në Autoritetin Kontraktues.

“Çdo palë e interesuar e cila mendon se të drejtat e tij/saj, siç parashikohet me këtë ligj, janë shkelur nga vendimi i një autoriteti kontraktues gjatë kryerjes së një aktiviteti të prokurimit dhe i cili është dëmtuar apo rrezikon të dëmtohet nga një shkelje e pretenduar, mund të paraqesë një kërkesë për rishqyrtim pranë atij autoriteti kontraktues. Kërkesat për rishqyrtim mund të ndërlidhen me njoftimet për kontratë, dokumentet e tenderit, ose njoftimet dhe vendimet tjera siç përcaktohet në këtë ligj, gjatë kryerjes së aktivitetit përkatës të prokurimit”, thuhet në paragrafin e parë të këtij neni.

Tutje në paragrafët pasues tregohen edhe procedurat të cilat duhet ndjekur.

Me pretendimin se autoriteti kontraktuese nuk e ka dhënë vendimin e drejtë për tender të caktuar, operatorët ekonomikë duke shfrytëzuar mundësitë që i jep ndryshim/plotësimi i Ligjit për Prokurimin Publik paraqitën kërkesat që autoritetet komunale t’i rishqyrtojnë vendimin e tyre.

Gazeta Jeta në Kosovë ka dërguar pyetje tek komunat për të parë se sa kërkesa për rishqyrtim kanë pranuar në tremujorin e parë të vitit 2018. Pjesa më e madhe e komunave nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Gazetës Jeta në Kosovë.

Deri më tani, përgjigje kanë kthyer 12 komuna. Ato kanë pranuar 27 kërkesa për rishqyrtim, të cilat janë trajtuar dhe kanë marrë një epilog pas rishqyrtimit të tyre.

Nga 27 kërkesa të paraqitura për rishqyrtim, në 26 raste apo që i bie mbi 96 për qind të kërkesave për paraqitura për rishqyrtim të vendimeve autoritet kontraktuese i kanë dhënë të drejtë vetvetes. Në bazë të përgjigjeve të pranuara nga 12 komuna rezulton se vetëm në një rast është aprovuar si e bazuar kërkesa e operatorit ekonomik.

Rasti për të cilën i dha të drejtë operatorit ekonomik pas rishqyrtimit të vendimit është ne Komunën e Gjakovës. Është edhe një rast tjetër që është gjetur nga Gazeta JnK në sistemin e prokurimit elektronik. Bëhet fjalë për Komunën e Prishtinës, e cila ka vendosur që të anulojë njoftimin për dhënie të kontratës dhe rastin të kthejë në rivlerësim, në tenderin për sigurimin fizik të objekteve.

Komuna që më së shumti kërkesa për rishqyrtim pranoi në këtë periudhë është Komuna e Prishtinës, e cila numëron gjithsej 11 sosh. Kjo komunë ka dërguar të dhënat deri në fund të muajit prill përkundër se pjesë e kësaj analize vetëm për tre muaj të parë të këtij viti.

Pastaj renditet Komuna e Gjakovës me 8 raste, Komuna e Lipjanit me 3 raste, ajo e Prizrenit me 2 dhe komunat Mitrovicë, Rahovec dhe Suharekë me nga një rast të paraqitur.

Në anën tjetër,  komunat Istog, Kamenicë, Mamushë, Junik thonë se nuk pranuar asnjë kërkesë për rishqyrtim të vendimit përderisa Komuna e Drenasit ka trajtuar një kërkesë për rishqyrtim e  cila është bartur nga viti 2017.

Gazeta Jeta në Kosovë është duke mbledhur dhe analizuar të dhënat edhe nga komunat tjera në ndërtimin e një  pasqyrë analitike gjithëpërfshirëse sa i përket kërkesave për rishqyrtim të tenderëve nga komunat e Kosovës, si mundësi ligjore që autoritete kontraktuese të korrigjojnë vendimet e tyre në rast se pretendimet e operatorëve ekonomikë janë të bazuara.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte kërkuar përgjigje sa u përket kërkesave për rishqyrtim edhe gjatë vitit 2017. Në pjesën e parë të vitit 2017 pjesa më e madhe e komunave kishin kthyer përgjigje në pyetje e dërguara nga Gazeta Jnk.

Bazuar në përgjigjet e pranuara, komunat kanë thënë se i kanë pranuar 153 kërkesa për rishqyrtim. 126 herë komunat ia kanë refuzuar ankesat operatorëve ekonomikë duke i lënë në fuqi vendimet e komisioneve vlerësuese. Vetëm në 18 raste komunat i kanë dhënë të drejtë OE dhe kanë anuluar vendimet e komisioneve vlerësuese.

Gjatë vitit të kaluar, Gjakova kishte përqindjen më të mirë, pasi nga 3 herë i kishte dhënë të drejtë operatorëve ekonomikë nga 6 ankesa sa i kishte pranuar. Komuna e Ferizajt i kishte pranuar 16 kërkesa për rishqyrtim dhe të gjitha i kishte vendosur në favor të tyre. Ndërsa, Komuna e Prishtinës i kishte pranuar plotësisht 38 kërkesa për rishqyrtim, duke u dhënë të drejtë vetëm tri herë operatorëve ekonomikë.

13 Maj 2018 - 18:14

Rrahman Ramaj 13/05/2018 - 18:14
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend