Papastërtia në lumin Shtimjan. Foto: Kallxo.com

Komuna që Synon të Bëhet Qytet pa Stacion të Autobusëve

Deponi ilegale, ndërtime pa leje, mungesë e ujit të pijshëm e deri te problemet bazike të parkingut të autobusëve janë sfidat me të cilat do përballet kryetari i ardhshëm i Shtimes.

Si komunë me 27 mijë banorë, Shtimja ka rreth 6 mijë ndërtime pa leje, 8 deponi ilegale të mbeturinave dhe prej kur është krijuar nuk ka një stacion të autobusëve.

Qytetarët e Shtimes nuk i gëzohen një linje të veçantë transportit për në Prishtinë ndërsa rrugët kanë mbingarkesë.

Në shkopin e tij magjik të premtimeve kryetari i ardhshëm i komunës ka në dorë 1.5 milion euro për t’i zgjidhur problemet e komunës.

Paratë sigurisht që nuk mjaftojnë për t’i zgjidhur të gjitha andaj sfida për qeverinë komunale do jetë prioritizimi i investimeve.

Në sfidat e para komuna përballet me eliminimin e deponive të mbeturinave.

Lumi Shtimjan i fotografuar gjatë fushatës zgjedhore pasqyrohet i mbuluar nga mbeturinat.

Problemin e mbeturinave dhe kanalizimit nuk e ka vetëm qyteti i Shtimes, por edhe fshatrat përreth.

Fshatrat Carralevë, Reçak, Pjetërshticë dhe Vojnoc nuk e kanë të kompletuar kanalizimin.

Në fotografinë më poshtë mund të shihni edhe mbeturinat në fshatin Pjetërshticë, për të cilat banorët kërkojnë nga kryetari i ardhshëm të menaxhojnë këtë situatë.

Mbeturinat në fshatin Pjetreshticë, Shtime. Foto: Kallxo.com

Komuna e Shtimes ka hartuar planin për menaxhimin e mbeturinave po ashtu ka bërë ndarjen e parcelës për mbeturina të ngurta. Kjo komunë siç thotë ka eliminuar rreth 20 deponi ilegale nëpër vendbanime të ndryshme dhe janë në vazhdimësi të eliminimit të deponive.

Në Shtime janë rreth 8 deponi të vogla ilegale, mirëpo numri i tyre i saktë është e pamundur te dihet pasi që deponitë e mbeturinave krijohen dhe largohen në vazhdimësi.

Ëndrra e ujit

Shtimja në Debat Pernime

Hulumtimi i KALLXO.com në terren tregon se Shtimja ka telashe me furnizim me ujë.  Në qytet uji ka ndërprerje gjatë verës ndërsa fshatrat  Llanisht, Topillë, Devetak, Dugë dhe Karaqicë nuk kanë fare rrjet të ujësjellësit.

Në mes të fshatit Pjetërshticë dhe Carralevë është ndërtuar rezervuari i cili mendohej se do t’i furnizojë këto dy fshatrat me ujë, por fshati Pjetreshticë nuk furnizohet fare me ujë edhe pse qytetarët kanë paguar nga 70 euro për qasje në një burim të ujit.

Rezervuari i ujit, Shtime. Foto: Kallxo.com

Qyteti me 6 mijë ndërtime pa leje

 Qyteti i Shtimes, ka rreth 6000 ndërtime pa leje ndërsa për kryetarin e ardhshëm do jetë sfidë legalizimi i ndërtimeve përfshirë përcaktimin e taksave për legalizim.

Sipas përgjigjeve të komunës së Shtimes gjatë procesit të legalizimit janë evidentuar afër 6000 objekte pa leje ndërtimore duke i përfshire edhe fshatrat.  Në Urbanizëm rrugët më të ngarkuara janë rruga “Tahir Sinani” “Mic Sokoli” dhe “Imer Devetaku”.

Hulumtimi ka identifikuar se qytetarët e Shtimes, presin autobusin vend e pa vend.

Banorët e Shtimes duke pritur autobusët në qiell të hapur. Foto: Kallxo.com

Komuna pa gjinekolog, stomatolog dhe pediatër

Edhe pse komuna e Shtimes ka investuar në shëndetësi, në këtë komunë mungon gjinekologu, stomatologu e pediatri publik.

Qendrat e Mjekësisë Familjare janë të klasifikuara si qendra të shëndetit primar dhe si rrjedhojë qytetarët duhet që shërbimet e gjinekologu e stomatologut t’i marrin në qytetin tjetër atë të Ferizajt

Në fshatra shërbimi ambulantor funksionon vetëm në një ndërsa në rast emergjencave qytetarët duhet të udhëtojnë.