Rrugë e dëmtuar në Novobërdë. Foto: Kallxo.com

Komuna që Jep Rroga, Dhe Shtron Pak Asfalt

Komuna e Novobërdës është një nga komunat e vogla të Kosovës. Ka më pak se 10 mijë banorë, me rreth 60 % serbë, ndërsa pjesa tjetër shqiptarë, ka  buxhet që për pak kalon 2 milionëshin, e që është i pamjaftueshëm për zgjedhjen e problemeve që nga paslufta nuk gjetën asnjëherë zgjidhje.

Njëri nga vendbanimet më të vjetra të Kosovës, gati 18 vjet pas luftës vazhdon të ballafaqohet me mungesën e ujit, mungesën e shërbimeve themelore shëndetësore, papunësinë dhe mungesën e perspektivës së zhvillimit si dhe pafuqinë ekonomike që qytetarëve të saj t’u sigurojë infrastrukturë themelore.

Novobërda aktualisht udhëhiqet nga kryetari Svetislav Ivanoviq që synon mandatin e tij të dytë, ndërsa atë e sfidojnë 4 kandidatë nga LDK, PDK, AAK dhe AKR.

Ndonëse ka më pak se 10 mijë banorë, Komuna e Novobërdës asnjëherë nuk ka arritur të shuajë etjen e këtyre banorëve. Pjesa ma e madhe e ujësjellësve të Komunës janë jashtë funksionit si pasojë e ndërprerjes nga rrjeti i energjisë elektrike nga KEDS për shkak të borxhit që i tejkalon 80 mijë euro.

Në Komunën e Novobërdës ujësjellës ka në fshatin Llabjan që furnizon lagjet Mustafa, Abaza, Talajt, Haxhajt, Zeqirajt dhe Stojkovic. Ky ujësjellës nuk është në funksion për shkak të probleme pronësore.

Ujësjellës jashtë funksionit, Komuna e Novobërdës ka edhe në fshatin Makresh dhe në Kufcë.

Duke u munduar që banorëve të Komunës së Novobërdës t’u sigurohet ujë i pijshëm, komuna në vitin 2015 ka nënshkruar një memorandum me kompaninë e ujësjellësit regjional “Hidromorava”, por edhe dy vite pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, qytetarët ujin e pijshëm vazhdojnë ta sigurojnë nga puset e hapura individualisht.

Shëndetësia e sëmurë e Novobërdës

Qytetarët e Novobërdës, përpos mungesës së ujësjellësit, kujdes të veçantë duhet t’i kushtojnë edhe ujit që e konsumojnë nga puset e tyre. Kjo pasi që në rast të problemeve shëndetësore ata duhet të drejtohen për në Prishtinë apo në Gjilan sepse mjeku Novobërdën e viziton vetëm deri në orën 16,  madje vetëm në ditë të caktuara të javës, ndërsa nuk ka as kujdestari e as gjinekolog.

Mungesa e kuadrit mjekësor profesional nuk është e vetmja sëmundje e shëndetësisë së Novobërdës, pasi që  përpos gjendjes shumë të keqe infrastrukturore ato përballen me mungesa të shumta të barnave e veçanërisht të materialeve shpenzuese që pamundësojnë kryerjen e veprimeve themelore mjekësore të stafit të qendrave të mjekësisë familjare.

Infrastruktura

Përkundër që janë bërë disa investime, me vetëm 370 mijë euro sa ka në dispozicion Komuna e Novobërdës, për investime kapitale, infrastruktura e Novobërdës do të vazhdojë të mbetet larg pritshmërisë së qytetarëve.

Rrugë e pashtruar në fshatin Makresh, Novobërdë. Foto: kallxo.com

Mungesa e kanalizimit në pjesën dërmuese të fshatrave të Komunës së Novobërdës është një nga problemet themelore, e kësaj i shtohen edhe mungesa e rrugëve të asfaltuara në Makresh, në Kosaqë, pjesërisht në Pasjak e Llabjan.

Mungesës së rrugës i shtohet edhe mungesa e trotuareve si dhe ndriçimit publik që rrallëkund mund të hasen në Novobërdë.

Zhvillimi Ekonomik

Nga afër 10 mijë banorët e Komunës së Novobërdës rreth 1700 prej tyre janë të papunë të regjistruar në zyrën e punësimit, ndërsa janë edhe 468 raste që për nevojat e tyre elementare jetësore pranojnë asistencë sociale.

Për banorët e Novobërdës si burim primar i të ardhurave financiare janë pagat që pranojnë nga puna në minierë, ndërsa ndonëse të begatuar me një natyrë shumë të përshtatshme për zhvillimin e blegtorisë, mungesa e infrastrukturës dhe shërbimeve bazike, dekurajojnë çdo iniciativë për investime në këtë zonë.

Kalaja mesjetare e Novobërdës, ndonëse një atraksion shumë i vizituar nga qytetarët e mbarë Kosovës dhe më gjerë, Komuna e Novobërdës nuk ka arritur të bëjë asgjë që të shfrytëzojë potencialin turistik të kësaj komune dhe si rrjedhojë të nxisë zhvillim ekonomik edhe në sektorët tjerë.

Svetislav Ivanoviq, Bajrush Ymeri, Fadil Gerbeshi, Ramush Mehmeti apo Avdulla Gashi, cilido nga ta që do të arrijë ta fitojë betejën zgjedhore për të qeverisur me Novobërdës për katër vitet e ardhshme, do të ketë para vetes probleme thelbësore të Komunës që presin zgjidhje që afër dy dekada për të arsyetuar besimin e dhënë.

Dëmtimet e ambulantës në Llabjan. Foto: Kallxo.com