Objekti i Komunës së Ferizajt | Foto: KALLXO.com

Komuna ia Dyfishon Borxhin Tatimpaguesit

Shkelje të shumta janë gjetur nga Zyra Kombëtare e Auditimit në Komunën e Ferizajt për vitin 2016.

Në një rast auditori kishte gjetur se Komuna e Ferizajt ia kishte dyfishuar faturën një tatimpaguesi.

“Me rastin e testimit të dhjetë (10) mostrave kemi gjetur se në një (1) rast një faturë për tatim në pronë ishte ngarkuar gabimisht në shumë 110,650€. Në kohën e auditimit kjo shumë është rregulluar dhe shuma e saktë e tatimit në pronë për këtë tatim pagues ishte 54,533€”, thuhet në raportin e auditorit.

Raporti thotë se komuna nuk aplikon interesin për vonesa në pagesë nga tatimpaguesi.

“Për vitin 2016 komuna ka ngarkuar taksën në firmë për biznese në shumë 645,218€, deri sa të hyrat e inkasuara për vitin 2016 ishin 207,228€ apo 32% nga plani. Me rastin e testimit të pesë (5) mostrave kemi vërejtur se komuna nuk aplikon interesin prej 12% në vit për vonesë të pagesës nga tatimpaguesit, edhe pse në faturim ekziston kjo normë e interesit”, tregon raporti.

Sipas të dhënave të Thesarit të hyrat e Komunës së Ferizajt për leje ndërtimi për periudhën vitin 2016 ishin 538,617 euro.  Inspektorati i Komunës së Ferizajt nuk kishte inspektuar punën e kompanive ndërtimore që ishin pajisur me leje.

“Me rastin e testimit të tetë (8) rasteve për leje ndërtimi kemi gjetur se as për ato të ndërtimit kolektiv, e as për shtëpi banimi, formulari nuk është plotësuar nga inspektorët e komunës. Ne nuk kemi gjetur në asnjë nga rastet e testuara dëshmi se inspektorët përcjellin punimet nëse projektet realizohen në pajtim me lejet e ndërtimit”, tregon raporti.

Auditori ka gjetur se shoqatat e dala nga lufta nuk i kanë paguar asnjë cent qira Komunës së Ferizajt për parkingjet të cilat ata i menaxhojnë.

“Rast specifik nga mostrat e testuara ishte qiramarrësi i parkingjeve shoqata e dalë nga lufta, e cila për çdo muaj ngarkohet nga komuna me 3,000€ deri sa qiramarrësi nuk ka paguar asnjë cent për vitin 2016 e as në vitin paraprak. Komuna nuk ka marrë ndonjë veprim as në vitin e kaluar, as në këtë periudhë të auditimit. Faturat për këtë qiramarrës nuk shpërndahen apo nuk dorëzohen në zyrën e shoqatës”, thuhet në raport.

E gjetura tjetër e auditorit thotë se komuna nuk mban evidencë për shpenzime komunale. Madje auditori thotë se 13 fatura në vlerë prej 19 mijë eurove janë paguar si paradhënie.

Komuna, sipas auditorit, nuk mban evidencë për obligimet e pritura nga shpenzimet komunale.

“Kompania ’Pastërtia’ kishte faturuar në shuma të ndryshme pa specifikuar se shuma e faturuar i takon muajit aktual, apo është borxh paraprak. Kjo ka bërë që zyrtarët të mos i kushtojnë rëndësi dhe të paguajnë këto fatura pa pasur njohuri se çfarë po paguajnë”, thuhet në raportin e auditorit.

Auditori ka gjetur se si Komuna e Ferizajt i bën nder një kontraktori, pasi i ka porositur vetëm 8 nga 80 artikujt sa kishin qenë pjesë e kontratës. E këta artikuj që komuna i ka kërkuar kanë qenë ata që kishin çmimet më të larta.

“Me datën 17.11.2016 është pagur shuma prej 5,007€ në emër të furnizimit me material për zyre. Ne kemi rishikuar gjashtë (6) fatura të paguara në vitin 2016 prej të cilave një faturë ishte e vitit 2015. Sipas analizës së artikujve të furnizuar në gjashtë (6) faturat e testuara kemi vërejtur se komuna ishte furnizuar vetëm me tetë (8) artikuj, nga 80 që ishin pjesë e kontratës. Këta 8 artikuj ishin të dallueshëm me çmim, ndërsa artikujt e pafurnizuar ishin me çmime 0.01 € apo 0.02 €”, thuhet në raportin e auditorit.

Komuna nuk ka paguar tatim për punëtorët e angazhuar pa konkurs.

“Numri i të angazhuarve përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta për vitin 2016 ishte 128 dhe për ta janë paguar 159,138€. Edhe pse që nga shatori 2015 është në fuqi Ligji i ri për të Ardhurat Personale, i cili kërkon që punëdhënësi të mbajw tatimin në burim për punonjësit e vet, ne nuk kemi gjetur dëshmi se komuna ka përmbushur këtë kërkesë ligjore”, thotë auditori.

Në Komunën e Ferizajt një veturë e tipit “Volvo” ka harxhuar 450 litra naftë brenda një muaji.

“Ne nuk kemi gjetur ndonjë përshkrim për aktivitetin e këtij automjeti. Mungesa e raporteve për aktivitetet e kryera për çka ishin shpenzuar derivatet e naftës, mund tw ketë si rrezik që shpenzimet e ndodhura të mos justifikohen me shërbimet e ofruara”, tregon raporti.

Nga 21 rekomandime të dala nga raporti i ZKA-së vitin paraprak, 6 prej tyre ishin zbatuar, 7 ishin në proces të zbatimit dhe 8 nuk ishin zbatuar.

Përmes letrës konfirmuese drejtuar ZKA-së, kreu i Komunës së Ferizaj Muharrem Sfarqa pajtohet me të gjeturat e raportit.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar edhe për fitimin e dy tenderëve nga operatorët më të shtrenjtë në Komunën e Ferizajt, pasi kompanitë me ofertën më të lirë ishin tërhequr.