Komuna e Skenderajt i Jep Tender Asamblistit të PDK-së

Kompania “alfa Trade Sh.P.K.” ka qenë e vetmja që ka konkurruar në tenderin e Komunës së Skenderajt për furnizim me naftë përkundër që tenderi ka qenë i hapur.

Bazuar në njoftimin për dhënie të Kontratës të publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit, ajo ka ofertuar njëçmim prej 130 mijë euro, që ishte për 6 mijë euro më shumë se planifikimi i Komunës së Skenderajt për të shpenzuar për karburante.

Kompania “alfa Trade Sh.P.K” është në pronësi të vëllezërve Hajdar Hajdari dhe Musa Hajdari.

Hajdar Hajdari ka qenë asamblist i PDK-së në Kuvendin Komunal të Skenderajt deri në vitin 2007. Ndërsa, vëllai tjetër Musa Hajdari aktualisht është asamblist i PDK-së në të njëjtën komunë.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve janë edhe dy kompani të tjera të regjistruara me të njëjtin emër. Njëra është NTP “ALFA Trade”, pronar i së cilës është Hajdar Hajdari.

Në kompaninë që e ka fituar tenderin nga Komuna e Skenderajt (“alfa Trade Sh.P.K) deri në vitin e kaluar si person i autorizuar ka qenë Musa Hajdari, aktualisht asamblist i PDK-së.

Kompania “alfa Trade Sh.P.K” është në pronësi të vëllezërve Hajdar Hajdari dhe Musa Hajdari.

Mirëpo, Agjencia Kundër Korrupsionit kishte nisur një hetim për konflikt të mundshëm të interesit.

AKK-ja e kishte vendosur që të mbyll rastin ndaj tij, për shkak se pas kërkesës së Agjencisë, Hajdari kishte hequr dorë nga funksioni i personit të autorizuar në kompaninë “alfa Trade Sh.P.K”.

Kontrata për furnizim me derivate të naftës mes Komunës dhe kompanisë do të zgjasë 12 muaj dhe kap vlerën e 130 mijë e 600 euro.

Kjo kompani do ta furnizojë Komunën e Skenderajt me 100 mijë litra naftë dhe 24 mijë litrabenzinë.

Në njoftimin për dhënie të kontratës thuhet se data e planifikuar për nënshkrim të kontratës është 24 marsi i vitit 2017.

Por, në KRPP është i publikuar edhe njoftimi për nënshkrim të kontratës. Ky njoftim zakonisht bëhet pasi që të nënshkruhet kontrata në të cilin duhet të figurojë edhe dita e saktë kur është nënshkruar kontrata. Por, në atë që është publikuar në KRPP figuron data 24 mars, e cila ende nuk ka ardhur dhe e njëjta mund të ndryshojë në rast se ka ankesa në OShP.

Në pyetjen e “Gazetës Jeta në Kosovë” se ku do të harxhohen gjithë këto derivate, Zyra për Prokurim e kësaj Komune thotë qëveç furnizimit të automjeteve, nafta do të përdoret edhe për nevoja tjera.

“Këtu nafta është edhe për nxehje qendrore të objektit komunal si dhe QKMF-ja-objekti është me nxehje qendrore d.m.th: Objekti Komune dhe QKMF janë me nxehje qendrore me naftë, si dhe këtu hyn edhe furnizimi i automjeteve zyrtare me naftë.Këtu hyn edhe vaj për makina”, thuhet në përgjigjen e kësaj Zyre.

Por, veç kësaj, Komuna e Skenderajt ka bërë edhe planifikim të gabuar të mjeteve, duke parashikuar vlerën e kontratës për më shumë se 6 mijë euro nën vlerën në të cilën është dhënë e njëjta.

Sipas njoftimit për kontratë, vlera e parashikuar e saj ishte 124 mijë euro, ndërsa pas dhënies së kontratës vlera e përgjithshme e saj është 130 mijë e 600 euro.

E në pyetjen se ku do t’i marrin paratë e paplanifikuara, ata thonë se i janë marr[ një drejtorie.

“Diferenca nga 124.000.00 në 130.600.00 € është siguruar nga Drejtoria për Administratë”, thuhet në përgjigjet e Zyrës së Prokurimit të Komunës së Skenderajt.

Gazeta ka provuar të kontaktojë edhe me asamblistin Musë Hajdari për ta pyetur rreth ndikimit të tij të mundshëm në marrje tenderësh, por ai nuk i ështëpërgjigjur thirrjeve tona.

Në Komunën e Skenderajt kanë thënë se çmimi me të cilën është ofertuar është çmim i tregut përkundër që ata kanë pranuar vetëm një ofertë.

“Mirëpo çmimi që është ardhë me një ofertues është ardhur çmimi I tregut.Kontrata është për një vit, sepse përmes AQP-së me i zhvilluprocedurat ku i njëjti tender është anuluar dhe procedurat zvarriten”, thuhet në përgjigjet e Komunës.

“Gazeta JNK” ka dërguar pyetje edhe në Autoritetin Qendror të Prokurimit nëse ata kanë qenë në procedurë për kontraktimin e naftës për Komunë të Skenderajt, por nuk ka marrë përgjigje.

Por, kjo nuk është hera e parë që kjo komunë jep tender në baza familjare.

Vitin e kaluar KALLXO.com kishte raportuar se si tender nga kjo Komunë mori edhe vjehrri i nënkryetarit të Skenderajt, Fadil Nura.

http://kallxo.com/vjehrri-nenkryetarit-dhe-asamblisti-fitojne-tendere-ne-skenderaj/