Ramadan Muja, kryetar i Prizrenit

Komuna e Prizrenit Shpërblen me Tender Financuesit e PDK-së

Financuesve të Partisë Demokratike të Kosovës iu është besuar organizimi i përvjetorit të 9-të të Pavarësisë në Prizren.

Kompania “Sfinga” ka fituar kontratën për organizimin e manifestimit për përvjetorin e 9 të pavarësisë së Kosovës në Prizren.

NDËRLIDHUR

Pronarë të kompanisë “Sfinga”, bazuar në certifikatën e biznesit që është publike në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve janë Liburn Asllani dhe Suada Asllani.

“Gazeta Jeta në Kosovë“ ka gjetur se të dy, Liburn e Suada Asllani, në të kaluarën kishin qenë financues të Partisë Demokratike të Kosovës.

Prizreni që nga viti 2009 qeveriset nga PDK-ja, përkatësisht kryetari Ramadan Muja.

Liburn e Suada Asllani, të cilët janë shpërblyer me kontratë nga Komuna e Prizrenit, kanë dhënë donacion në “cash” për PDK-në shtatë herë brenda një viti. Emrat e tyre figurojnë në raportin financiar të PDK-së për vitin 2011 që është publikuar nga KQZ-ja.

Meqë, PDK-ja nuk i ka publikuar financat e partisë dhe as donatorët e tyre, “Gazeta JnK” nuk ka qenë në gjendje që të vërtetojë nëse kompania “Sfinga” ka dhënë donacione për këtë parti edhe në dy palë zgjedhjet e fundit.

Kontrata që kompania “Sfinga” ka përfituar nga Komuna e Prizrenit peshon 7 mijë e 250 euro, ndërsa e njëjta planifikohet të finalizohet për vetëm 3 ditë. Oferta e kompanisë “Sfinga” ishte oferta e vetme në këtë tender që ishte e përgjegjshme, përkundër që dy operator kishin dorëzuar ofertën.

I kontaktuar nga “Gazeta JnK”, Liburn Asllani mohon se ka lidhje me PDK-në, e madje tha se nuk ka dhënë kurrë para për këtë parti.

“Jo, jo. Nuk kemi qenë financues të PDK-së asnjëherë”, tha ai.

Në vitin 2011, në muajt mars, maj, qershor, shtator e tetor, Suada dhe Liburn Asllani i kishin dhënë donacion PDK-së në total 700 euro. Liburni figuron si donator i PDK-së për tre muaj nga 100 euro, që në total ka dhënë 300 euro. E Suada, bazuar në dokumentet e publikuara në ueb-faqen e KQZ-së, ka dhënë katër herë nga 100 euro, apo në total 400 euro. Në të njëjtën listë figuron edhe emri i kompanisë “Sfinga”, e cila ka dhënë 500 euro. Në total, janë dhënë 1 mijë e 200 euro.

Sfinga

Suada
Pjesë të shkëputura nga raporti financiar i PDK-së i publikuar në KQZ.

Liburn Asllani i pyetur se çfarë do të bëjë kompania e tij në këto tri ditë punë, ai na sugjeroi t’i referohemi faqes së Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

“Krejt paramasa është në KRPP”, tha shkurt Asllani.

E referuar KRPP-së, në fushëveprimin e kontratës thuhet se “Do të organizohet një koncert me grupe rinore, një seancë solemne, një orë letrare, koncert i pavarësisë, një ekspozitë figurative si dhe do të ndahen disa shpërblime për më të merituarit në lëmi të ndryshme”.

Kjo kompani nuk është hera e vetme që ka marrë tender në Prizren.

Në tetor të vitit të kaluar “Sfinga” kishte marrë tender nga Komuna e Prizrenit në vlerë prej 118 mijë e 665 eurosh për “Promovim të  aktiviteteve komunale me material promovues”.

Në emisionin “Jeta në Kosovë” me përfaqësues të partive politike, shoqërisë civile dhe Bashkimit Europian është debatuar se sa janë transparente subjektet politike ndaj qytetarëve prej të cilëve kërkojnë votën.

Kontabiliteti i Fshehtë i Partive Politike

 

11 Shkurt 2017 - 20:44

Erjonë Popova 11/02/2017 - 20:44
NDËRVEPRIMI0

Komuna e Prizrenit Shpërblen me Tender Financuesit e PDK-së

by Erjonë Popova
NA NDIQNI

Send this to a friend