Foto-ilustrim

Komuna e Prishtinës S'u Gjen Punë Specialistëve të Stomatologjisë

Komuna e Prishtinës nuk i është përgjigjur thirrjeve të Ministrisë së Shëndetësisë për t’i ofruar punësim të përkohshëm specialistëve të stomatologjisë.

Një grup i specialistëve të stomatologjisë kanë mbetur pa vende pune përkundër faktit që Ministria e Shëndetësisë ka ndarë buxhet për punësimin e tyre.

Vetëm Komuna e Prishtinës nuk i është përgjigjur kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë për punësim të specialistëve.

Një raportim në KALLXO.com, i bërë nga vetë stomatologët e specializuar, thotë se këta profesionistë shëndetësorë po kërkojnë të punësohen pasi që Qeveria ka ndarë buxhetin për punësimin e tyre, por problemi mbetet te Komuna e Prishtinës, e cila sipas tyre refuzon t’i pranojë ata.

Arsyet e refuzimit të tyre, sipas raportimit në KALLXO.com, janë politike.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë me këta stomatologë por ata nuk kanë dashur që të flasin me emër për pakënaqësitë e tyre sepse i frikësohen revanshit.

Arben Vitia, drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës, tha se të gjitha konkurset e hapura nga Komuna e Prishtinës janë monitoruar nga shoqëria civile, sindikatat apo asamblistë të partive të tjera.

Komuna: Kërkesa e Ministrisë – paradoksale

“Publikisht sfidoj të gjithë ata që pretendojnë një gjë të tillë – le të gjejnë një militant të Lëvizjes Vetëvendosje që është pranuar në stomatologji gjatë këtyre tri viteve. Përkundrazi deri më tani këto konkurse nga të gjithë monitoruesit janë konsideruar si konkurse fer dhe pa asnjë problem”, tha Vitia.

Ai përmend arsye të tjera që e kanë shtyrë Komunën e Prishtinës të mos u gjejë vend pune specialistëve të stomatologjisë, bazuar në kërkesën që ka ardhur nga kjo ministri për pranimin në kujdesin parësor shëndetësor.

“Kjo kërkesë (e ministrisë) në dy aspekte është paradoksale dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, tha Vitia. “E para, sepse prapë po e potencoj se nuk mund të pranohen profile të specializuara jashtë konceptit të Mjekësisë Familjare dhe e dyta është akoma më paradoksale të pranohen këta specialistë pa konkurs, kur në të njëjtën kohë ka me dhjetëra stomatologë të përgjithshëm të papunë (që i plotësojnë kriteret për pranim pasi që atyre ju lejohet konkurrimi në bazë të ligjit në fuqi)”, është përgjigjur drejtori Vitia.

Komunës së Prishtinës, sipas tij, i lejohen vetëm 761 punëtorë shëndetësorë nga niveli qendror, pavarësisht që sipas tij nevojat janë shumë më të mëdha.

“Ne nuk mundemi të tejkalojmë këtë shifër”, tha ai.

Vitia thotë se Komuna e Prishtinës më shumë ka nevojë për punësim të teknikëve të stomatologjisë.

“Sa i përket stomatologjisë, akoma kemi një diskrepancë të krijuar më herët ku kemi mungesë më të theksuar të asistentëve të stomatologjisë sesa të stomatologëve që paraqet një problem teknik të madh pasi që stomatologët e kanë të pamundur punën pa asistentë”, tha ai.

Vitia tha se stomatologët-specialistë sipas ligjit vendin e tyre e kanë në nivelin sekondar dhe terciar që menaxhohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës dhe se asnjë komunë nuk është përgjegjëse për punësimin  tyre.

MSH: Refuzimi i paarsyeshëm i Komunës së Prishtinës

Por, pretendimet e Komunës i hedhin poshtë në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila drejtohet nga Imet Rrahmani.

Ata thonë se punësimi i specialistëve është obligativ me Ligjin për Shëndetësinë.

“Me qëllim të përmirësimit të kualitetit të punës në të tri nivelet e kujdesit shëndetësor; specialistët, specialistët e licencuar të cilët e kanë përfunduar shkollimin specialistik në bazë të kontratës me Ministrinë, do të punësohen nëpërmjet programit të veçantë të Ministrisë për periudhën prej tri (3) viteve”, thuhet në paragrafin e 7 të nenit 72 të Ligjit për Shëndetësi.

Në MSH kanë shpjeguar se punësimi aktual që është proceduar pa konkurs publik është i përkohshëm. Ministria thotë se  e ka bërë të qartë se pas skadimit të kontratave për angazhim të përkohshëm do të hapen konkurse dhe krijimi i marrëdhënieve të rregullta të punës do të krijohet sipas konkursit. Inkuadrimi i përkohshëm i specialistëve në punë, sipas përgjigjeve të MSH-së, është bërë sipas vendimit të Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët kanë ndarë buxhet për punësimin e përkohshëm të tyre.

“Për këtë qëllim, Ministria e Shëndetësisë, pasi ka sistemuar shumicën absolute të specialistëve të papunë u ka kërkuar bashkëpunim edhe komunave, në mënyrë që, sipas mundësive që kanë, të ndihmojnë në sistemimin e tyre, sipas komunave prej nga vijnë kandidatët”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Informim të MSH-së.

Vetëm Komuna e Prishtinës nuk e ka punësuar asnjë specialist sipas kërkesës së Ministrisë.

“Është kontaktuar edhe Komuna e Prishtinës, të cilës nuk i është kërkuar të shkel asnjë ligj, por të bashkëpunojë, sikurse komunat e tjera dhe të sistemojë ata specialist që ka mundësi të sistemohen nëpër institucionet shëndetësore sipas profileve të tyre. Ky proces nuk ka nënkuptuar kurrfarë imponimi dhe, të gjitha komunat e tjera kanë bashkëpunuar, me përjashtim të Prishtinës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Ministrisë së Shëndetësisë.

Madje, Ministria e Shëndetësisë thotë se Komuna e Prishtinës nuk ka pasur asnjë obligim financiar ndaj këtyre specialistëve, pasi pagat e tyre janë të siguruar dhe të garantuara nga Qeveria e Kosovës. Krejt çka është dashur Komuna e Prishtinës, sipas tyre, është ofrimi i vendeve të punës.

Në këtë mënyrë, sipas MSH-së, buxheti është ndarë për 22 specialistë të papunë dhe jo vetëm për 30 specialistë të stomatologjisë. Këta specialistë do të paguhen sa paguhet një specialist i rregullt në institucionet shëndetësore publike që i bie përafërsisht 600 euro në muaj.

“MSh ka bashkëpunuar me të gjitha institucionet duke nisur prej QKUK-së, spitaleve dhe komunat që specialistët e papunë të punësohen përkohësisht dhe me përkrahjen financiare të Qeverisë dhe bashkëpunimin me të gjitha komunat shumica tashmë janë sistemuar”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

KALLXO.com ka raportuar disa herë se specialistët e papunë kanë kërkuar zgjidhje nga Ministria e Shëndetësisë duke protestuar vazhdimisht.

Ata fillimisht nuk janë pajtuar me Ministrinë e Shëndetësisë, e më vonë edhe janë detyruar që të protestojnë.

Pas disa protestave të këtyre specialistëve ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani pati  gjetur një zgjidhje të pjesshme për këtë problem. Ministri u pat thënë specialistëve të papunë se Qeveria, më në fund, ka siguruar buxhetin për angazhim të përkohshëm të tyre në institucionet shëndetësore.

—-

Më 15 mars 2017, KALLXO.com ka botuar reagimin e drejtorit të Drejtorisë për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës, Arben Vitia

Reagimin e tij të plotë dhe sqarimin e redaksisë së KALLXO.com mund t’i gjeni më poshtë:

 

Reagimi i drejtorit Arben Vitia

E nderuara redaksi e Kallxo.com,

Po ju shkruaj per te shprehur shqetësimin dhe  indinjaten time si drejtor ne DSHMS – Komuna e Prishtines dhe te menaxhmentit te QKMF-se ne Prishtine ne lidhje me reportazhin e shkruar nga Znj. Paulina Nushi me titullin “Komuna e Prishtinës S’u Gjen Punë Specialistëve të Stomatologjisë”.

Besoj thelle se ky titull është joprofesional, jo korrekt dhe mos te them tendencioz, pasi qe, redaksi e nderuar, besoj se pavarsisht prononcimeve nga ana e Komunes dhe e Ministrise se Shendetesise, te cilat edhe mund te jene subjektive, se paku eshte dashur te merren parasysh edhe fakte te tjera me rendesi, ne menyre te eleminimit te subjektivitetit nga secila pale pa asnje paragjykim. E them kete duke besuar thelle ne punen dhe profesionalizmin e juaj si nje nga INSTITUCIONET me me ndikim ne publikun Kosovar per zbulimin, venjen ne pah te shume fenomeneve negative ne Institucionet tona por edhe duke u bazuar ne korrektesine dhe profesionalizmin e treguar ne shume vite qe ju ka bere si reference per luftimin e ketyre fenomeneve te demshme ne shoqerine tone me ane te gazetarise suaj hulumtuese.

Me lejoni te spjegohem (prape pa paragjykuar prononcimet e paleve ne kete shkrim)

Ligji per shendetsi Neni 18 Kujdesi parësor shëndetësor, ne te gjitha paragrafet ku pershkruan rolin e Kujdesit Paresor Shendetsor (KPSH), qe menaxhohet nga Komunat, e sidomos paragrafi 6 percakton se ekipi ne Kujdesin paresor rregullohet me akt nenligjor qe ne kete rast eshte Udhezimi administrativ nr.02/2015 ku ne menyre te qarte percakton personelin qe mund te pranohet ne Kujdesin Paresor Shendetsor qe menaxhohet nga Komunat. Ne kete UA neni 14 paragrafi 1 ne menyre specifike thote: “ profilet e profesionisteve shendetsor qe ofrojne sherbime shendetesore ne Institucionet e Kujdesit Paresor shendetsor jane: 1.1 “Specialist I mjekesise familjare, Doktor I Mjekesise, Doktor I Stomatologjise”, kurse paragrafi 3 po ketij neni ne menyre akoma me specifike tregon se “ Ne kujdesin paresor shendetsor, NUK LEJOHET te behet pranimi I specialisteve nga lemite e tjera. Specialistet ekzistues nga lemite e tjera, qe tani gjenden ne KPSH, do te vazhdojne punen ne keto institucione si konsulent te mjekeve Familjar deri ne pensionim”

Gjithashtu, ne Ligjin e punes ne menyre shume specifike dhe te qarte ne nenin 8 – Konkursi publik, tregon se:

“Neni 8 Konkursi Publik

  1. Punëdhënësi në sektorin publik, është i obliguar që të shpall konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës.
  2. Konkursi duhet të jetë i barabartë për të gjithë kandidatët e synuar, pa asnjë lloj diskriminimi, ashtu siç parashihet me këtë ligj dhe aktet tjera në fuqi.”

Keto akte ligjore dhe nenligjore me kane shtyer edhe te permend paradoksin e kerkeses nga MSH. Gjithashtu edhe pse desha te perqendrohem vetem ne pjesen ligjore (e detyrueshme per ta rrespektuar), me duhet patjeter te permendi edhe faktin (e permendur edhe ne prononcimin tim), se KPSH ne Komunen e Prishtines NUK ka kapacitete per marrjen e ketyre specialisteve (gje qe ju ka spjeguar edhe zyrtareve ne MSH), pasi qe akoma kemi nje diskrepance te thelle mes Stomatologeve dhe asistenteve dhe puna e stomatologeve eshte e pamundur pa asistent.

Besoj thelle se kjo argumenton te gjithe pronocimin tim dhene redaksise suaj te nderuar me kerkesen e znj.Nushi.

Duke pasur te gjitha këto parasysh, është e çuditshme se ketij shkrimi I jepet nje titull I tille I cili perveç se dezorienton dhe dezinformon opinionin publik, I jep nje karakter neglizhent, johulumtues bile edhe tendencioz. Gazetarja e ketij shkrimi, besoj se eshte dashur qe te konsultohet me keto ligje paraprakisht (qe do ta kishte forcuar edhe argumentin e shkrimit por edhe peshen e tij), apo te kerkoj informacione shtese ne lidhje me kete shkrim, dhe me deshire do te jepja  ne dispozicion te gjitha ligjet, UA dhe nenet e paragrafet te siperpermendura. Ose se paku te vihej titulli si citat I njeres pale (pa paragjykim) ku nuk do te ishte pastaj si opinion (ne kete rast komplet I gabueshem) I redaksise. Pasi nje gje e tille nuk ka ndodhur kerkoj mirekuptimin tuaj qe ky titull te nderrohet dhe te shtohen argumentet e siperpermendura, ne menyre qe informimi ne kete rast te jete korrekt dhe pa paragjykime apo anime.

Sinqerisht,

Arben Vitia

Drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale

Komuna e Prishtinës

 

Sqarimi i Redaksisë së KALLXO.com

I nderuar z.Vitia

Në reagimin tuaj, jeni ankuar për titullin duke e quajtur atë joprofesional, jokorrekt dhe tendencioz.

Dëshirojmë t’ju sqarojmë se ky titull është profesional, jo tendencioz, korrekt dhe bazohet në faktet e paraqitura brenda tekstit.

Në rastin konkret është fakt që Prishtina nuk ka pranuar të punësojë specialistët e stomatologjisë, prandaj është nxjerrë titulli i cili nuk e paragjykon se kush është fajtori.

Ndërkohë, në shkrim janë shpjeguar faktet, ato që i keni ofruar ju si Komunë dhe ato që janë dhënë nga MSH-ja dhe stomatologët. Në shkrim ne nuk kemi mbajtur anë, por e kemi treguar një fakt që është konfirmuar edhe nga ju- që nuk janë punësuar specialistët e stomatologjisë në Komunën e Prishtinës. Titulli si i tillë nuk tregon anshmëri dhe as nuk ju bën juve fajtor për mos-pranim të punëtorëve. Arsyetimet që keni dhënë Ju, janë të shtjelluara plotësisht në tekst dhe Ju nuk i keni kontestuar asnjëherë ato. Njëjtë janë sqaruar edhe ato që i kanë thënë palët tjera.