Objekti i Komunës së Mitrovicës | Foto: KALLXO.com

Komuna e Agim Bahtirit Zhytet në Borxhe

“Obligimet e papaguara, krahasuar me vitin 2015 (462 mijë e 695 euro) ishin rritur për 609 mijë e 958 euro. Komuna  ka një trend negativ të kryerjes  së obligimeve”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për raportin financiar për vitin 2016 të Komunës së Mitrovicës.

Auditori ka gjetur se këto borxhe të Komunës së Mitrovicës janë në të gjitha fushat.

“Obligimet e papaguara janë rritur në të gjitha fushat ekonomike: mallra dhe shërbime 496 mijë e 699 euro, komunali 62 mijë e 906 euro,  subvencione 96 mijë e 624 euro dhe investime  kapitale 416 mijë e 424 euro. Kjo situatë ka rezultuar si pasojë e menaxhimit jo të duhur të komunës”, thuhet në raportin e Auditorit.

Fakti që komuna ka obligime të bartura mbi një milion euro, sipas Auditorit tregon disiplinën e dobët financiare.

“Kjo rrit rrezikun që këto obligime të çrregullojnë bilancin buxhetor të komunës dhe të njëjtat të paguhen vitin e ardhshëm, duke rrezikuar realizimin e projekteve të parashikuara për vitin 2016”, thuhet tutje në raportin e Auditorit Kombëtar.

Përveç faktit që komuna e Mitrovicës është futur në borxhe, Auditori ka gjetur se ajo është e pa-aftë që t’i mbledh borxhet që palët e treta ia kanë Komunës.

“Lista e debitorëve ndaj komunës, sipas të dhënave të PVF-ve është 8,387,000 euro e cila ka shënuar një rritje të lehtë nga viti i kaluar (8,153,000 euro). Pjesa më e madhe e këtyre llogarive kanë të bëjnë me tatimin në pronë (4,918,000 euro), tarifat komunale (3,235,000 euro), qiraja komunale (127,000 euro), taksat e urbanizmit (88,000 euro) dhe të tjera (18,000 euro)”, thuhet në raportin e Auditorit.

Gjithashtu sipas auditorit në këtë komunë nuk janë planifikuar të hyrat nga veprimtaria e biznesit. Sipas raportit të auditimit edhe pse Komuna për vitin 2016 kishte faturuar nga taksa e regjistrimit të bizneseve në vlerë totale 177,220 euro, ka inkasuar vetëm 21,433 euro.

“Baza jo e plotë e të dhënave me ushtruesit e veprimtarisë së bizneseve, mungesa e komisioneve përkatëse për identifikimin e bizneseve të shuara apo të regjistruara rishtazi dhe mos planifikimi i të hyrave nga kjo fushë, rrit rrezikun për keq menaxhim në evidentimin dhe mbledhjen e të hyrave nga komuna”, thuhet në raportin e auditorit.

Auditori rekomandon që Kryetari i Komunës duhet të sigurohet që të bëhet një plan për inkasimin e të hyrave nga taksat e biznesit duke faturuar çdo biznes në baza të rregullta mujore, të sigurohet që lista të jetë e përditësuar me bizneset aktive që ushtrojnë veprimtari dhe të aplikohen masa konkrete për zvogëlimin e të arkëtueshmeve të akumuluara ndër vite.

Zvarritja e lejeve ndërtimore

Raporti i Auditimit për Komunën e Mitrovicës për vitin e kaluar ka gjetur se në këtë komunë ka pasur dobësi në menaxhimin e lejeve të ndërtimit. Sipas tyre, në tri raste komuna nuk kishte respektuar afatin ligjor prej 30 dhe 45 ditëve për shqyrtimin e lëndëve për dhënien ose refuzimin e lejes së ndërtimit.

“Në një rast leja ndërtimore ishte dhënë me pesë (5) muaj vonesë, tjetri me tre (3) muaj vonesë dhe për shtëpi individuale me katër (4) muaj vonesë. Në anën tjetër, komuna ka pajisur aplikuesin me leje ndërtimi pa paguar taksat komunale, pa ndonjë vendim të vlefshëm që justifikon dhënien e lejes.” thotë raporti.

Sipas këtij raporti kjo e rrit rrezikun që aplikantët të shfrytëzojnë heshtjen administrative dhe të fillojnë ndërtimet pa leje dhe në kundërshtim me planin urbanistik.

Auditori ka vërejtje edhe në pagesat jashtë orari në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Sipas Auditorit, tri prej pagesave nuk janë të kompletuara me vendime, dëshmi mbështetëse për pagesën apo nuk ka vendim për kompensimin e punëve jashtë orarit.

“Përveç kësaj, në disa raste tjera, në emër të kujdestarisë janë kompensuar edhe zyrtarë në komisione të caktuara apo edhe kontabilisti për punë jashtë orari. Të gjitha pagesat për punë jashtë orari dhe komisioneve janë paguar në emër të kujdestarive përmes sistemit të pagave”, thotë Auditori.

Auditori thotë se pagesat për punë jashtë orarit në formë të kompensimeve paraqesin një gjendje jo reale të shpenzimeve të pagave, dhe mos mbulimi i punës jashtë orari paraqet rrezik se paraja publike e taksapaguesve nuk po shpenzohet si duhet.

Auditori rekomandon Kryetarin e komunës që të ndërmerr veprime për sa i përket vendimeve që merren dhe të jenë në përputhje me dispozitat ligjore, si dhe të vlerësojnë nevojat dhe pagesat për punë jashtë orarit.

Auditori ka gjetur mangësi edhe në procesin e prokurimit në Komunën e Mitrovicës.

“Studimi i fizibilitetit të parkingut nëntokësor dhe mbitokësor të ish Kosovatransi, disa kritere nuk janë plotësuar tek fituesi si: vërtetimi tatimor ishte më i vjetër se tre muaj, nuk është caktuar menaxheri i kontratës, plani i menaxhimit të kontratës dhe komisioni vlerësues ishte caktuar nga zyra e prokurimit e jo nga Zyrtari Kryesor Administrativ”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori ka gjetur se Komuna e Mitrovicës ka paguar artikuj mjekësorë të cilët fare nuk kanë qenë të paraparë në kontratë.

“Furnizimet me artikuj jashtë kontrate dhe mungesa e mbikëqyrjes dekuate në pagesa kundrejt kontratës, mund të sjellë humbje financiare për omunën, si dhe marrjen e vlerës së dobët për paranë e dhënë. Kontrollet e çertifikimit kanë dështuar në parandalimin e këtyre pagesave”, thuhet në raport.

Subvencione për persona privatë

Komuna e MItrovicës, sipas Auditorit, i ka ndarë disa herë brenda një viti subvencione shoqatave të caktuara. Ndarja e tyre ishte bërë duke e shfrytëzuar një rregullore të brendshme të komunës për subvencionet. Kjo rregullore e përcakton limitin e ndarjes së subvencioneve për një shoqatë në 2 mijë euro, mirëpo nuk e specifikon se sa  herë  lejon ndarja e subvencioneve të  njëjtit personat fizik/juridik mund të subvencionohen brenda vitit. Auditori ka gjetur se organizatës joqeveritare SHKA “AD – LIBIDUM”, Komuna i kishte ndarë tri herë gjatë vitit subvencione në vlerë totale 3 mijë e 95 euro. Shoqatës së gjahtarëve për trajtimin e qenve endacakë në zonat urbane dhe rurale të Komunës së Mitrovicës i janë ndarë gjashtë herë brenda vitit subvencione në vlerë totale prej 8 mijë e 965 euro.

Shoqatës “Zëri i Prindërve’’ i janë ndarë pesë herë subvencione në vlerë 5,510 euro; ‘’Shoqata e Artistëve Figurativë” katër herë në vlerë 7,190 euro”, thuhet në raportin e Auditorit Kombëtar për pasqyrat financiare të Komunës së Mitrovicës për vitin 2016.

Komuna e Mitrovicës kishte ndarë subvencione edhe për persona privatë. Auditori thotë se pesë herë i janë ndarë subvencione personit privat në vlerë totale prej 3 mijë e 90 euro, mirëpo nuk e cek nëse bëhet fjalë për një për një apo më shumë persona.