Kompanitë e Lidhura me Drejtuesit e SHIK-ut Përfitojnë Prokurime Publike

Dy kompani private që u kanë dhënë rroga Ferat Shalës e Fadil Demakut, dy ish-zyrtarëve të lartë në hierarkinë e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), kanë përfituar rreth 1 milionë euro kontrata nga prokurimet publike të Komunës së Drenasit, ka zbuluar Gazeta Jeta në Kosovë.

Javën e kaluar, gjatë një dëshmie në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës në rastin e njohur si “Bllaca 2”, ish-shefi i SHIK-ut Kadri Veseli ia dorëzoi kolegjit një dokument me hierarkinë që kishte kjo organizatë. Në të figuronte se Ferat Shala udhëhiqte drejtorinë e kundër-zbulimit ndërsa Fadil Demaku atë të kundër-terrorizmit.

Demaku, pas mbylljes zyrtare të kësaj organizate, ishte angazhuar si zyrtar në kompaninë private “Ada Consulting Group”, që ka dalë fitues në tenderët e Komunës së Drenasit. Kjo komunë udhëhiqet nga vëllai i tij Nexhat Demaku që prej dhjetorit 2007, siç thuhet në deklaratën e tij zyrtare të pasurisë.

Me këtë institucion ka lidhur kontrata publike edhe kompania “Trasing Group”, e cila e ka ish-drejtorin e Drejtorisë Kundër-Zbulim të SHIK-ut Ferat Shalën të punësuar si Këshilltar Profesional.

Fadil Demaku, deputet në Parlamentin e Kosovës në këtë legjislaturë, ka deklaruar në vitin 2011 në Agjencisë Kundër-Korrupsion (AKK) se paguhej 6 mijë euro në vit nga kompania ACG. 

“Kriter kryesor i dhënies ka qenë tenderi i përgjegjshëm me çmim më të ultë (kjo mund të vërtetohet). Askush kurrë nuk ka pasur ndikim në përzgjedhjen e fituesve.” Mehmet Rama

Në deklarimin e vitit 2012 nuk ka shënuar angazhim të këtillë pasi thotë se ka lënë punën në këtë kompani private pas marrjes së pozitës së deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ndërkohë Shala në formularin e deklarimit të pasurisë të dorëzuar në Kundër-Korrupsion ka shënuar se merr 12 mijë euro në vit nga kompania private “Trasing Group”.

Pronar e drejtor i kësaj kompanie është Demir Berisha, vëlla i deputetes së PDK-së Sala Berisha- Shala, e cila është bashkëshortja e Ferat Shalës.

Zv/drejtor dhe menaxher në këtë kompani është Betim Berisha i cili në të njëjtën kohë është edhe këshilltar komunal i PDK-së në Komunën e Drenasit.

“Trasing Group” merr 15 prokurime nga Drenasi

Bazuar në raportet e Komunës së Drenasit për Kontratat e Nënshkruara Publike të dorëzuara në Komisionin Rregullaitv të Prokurimit Publik del se kompania private “Trasing Group” ka lidhur pesëmbëdhjetë marrëveshje publike në vitet 2009, 2010 e 2011.

Në vitin 2009 ajo ka fituar në dy tenderë publikë. Një në vlerë prej 214 mijë e 159 eurosh për asfaltimin e rrugëve lokale si dhe një për furnizim me zhavor në vlerë prej 990 eurosh.

Në vitin 2010 ka nënshkruar nëntë kontrata me Komunën e Drenasit të cilat kanë pasur të bëjnë me ndërtim rrugësh e rregullim të infrastrukturës. Vlera e totale e tyre shkon në 462 mijë e 960 eurosh.

Në vitin 2011, kompania ka lidhur katër kontrata me Komunën e Drenasit vlera e të cilave është 286  mijë e 715 eurosh.
 
Një zyrtar i prokurimit në Komunën e Drenasit ka thënë se kjo kompani edhe pse është themeluar më herët ka filluar të aplikojë në prokurimet publike në këtë komunë tek në vitin 2009.

“Kriter kryesor i dhënies ka qenë tenderi i përgjegjshëm me çmim më të ultë (kjo mund të vërtetohet). Askush kurrë nuk ka pasur ndikim në përzgjedhjen e fituesve. Kjo kompani ka staf (rreth 60 punonjës të prezantuar në ATK), pajisje të bollshme, gurëthyesin dhe bazën e asfaltit”, ka thënë Mehmet Rama, zyrtar prokurimi në Komunën e Drenasit.

“Ada Consulting Group” merr mbi 50 mijë euro kontrata

Po ashtu edhe kompania tjetër “Ada Consulting Group”, sipas zyrtarit të prokurimit Rama, kishte ofruar çmimin më të ulët kur kishte konkurruar në tenderët e Komunës së Drenasit.

Kjo kompani del se ka fituar në gusht të 2010-es një kontratë publike për Hartimin e Planit Rregullues për Lagjën e Dëshmorëve. Vlera e ofertës së ACG-së e cila ishte në konzorcium me një kompani tjetër ishte 35 mijë e 387 euro.

Po ashtu edhe në korrik të 2010-es, kohë kur Demaku figuron se ka punuar për ACG-në, kjo kompani kishte dalë fitues edhe në një tender publik të Komunës së Drenasit.

Tenderin për Hartimin e Dy Planeve Rregulluese Komuna e Drenasit e kishte ndarë në dy Lote e në të dyjat kishte dalë fitues kompania “Ada Consulting Group”, e cila ishte në konzorcium me një kompani tjetër private.

Për Hartimin e Planit Rregullues për “Qendra 1” , konzorciumi ku bënte pjesë edhe “ACG Group” kishte kërkuar 12 mijë  e 900 euro ndërsa për Qendra 2 i njëjti konzorcium kishte kërkuar 8 mijë e 900 euro.

Vitin e kaluar, Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar se një raport i Auditorit Gjeneral i vitit 2011 thoshte ADA Consulting Group kishte kursyer së paku 18,000 euro nga kontrata prej 170,000 eurosh për renovimin varrezave të dëshmorëve të UÇK’së në Mitrovicë, duke përdorur materiale të dobëta dhe duke mos përfunduar punimet.

Shkeljet Ligjore në tenderët e fituar nga “Trasing Group”

Një raport i Departamentit të Mbikëqyrjes e Monitorimit që operon në kuadër të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik ka gjetur se Komuna e Drenasit ka kryer shkelje ligjore në dy tenderë publikë kur ka shpallë fitues kompaninë “Trasing Group”.

Kjo kompani ishte shpallur fituese në prill të vitit 2010 në tenderin “Rregullimi i infrastrukturës  dhe matjet gjeodezike në lagjen e dëshmorëve”, ku kishte kërkuar  51 mijë e 592 euro.

Po ashtu kjo kompani, në qershor të vitit 2010 është shpallur fituese në tenderin për asfaltimin e katër rrugëve lokale. Tenderi ishte ndarë në dy lote dhe të dyjat i kishte fituar “Trasing Group”.
Për asfaltimin e rrugëve në Negrovc dhe Vuqak kjo kompani kishte kërkuar mbi 126 mijë euro ndërsa për asfaltimin e rrugëve në Baicë dhe Lagjen e Vërmicve kjo kompani kishte kërkuar mbi 128 mijë euro.

“Në projektin e ndërtimit të rrugës lokale kemi identifikuar që për disa situacione të finalizuara data e finalizimit mungon ose është jo e saktë”, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm

Tek këto dy aktivitete të prokurimit, KRPP-ja ka konstatuar në raport se Komuna e Drenasit kishte bërë shkelje të nenit 60 të Ligjit të Prokurimit Publik.

Ky nen, sipas KRPP-së, obligon Autoritetin Kontraktues që të kërkojë para se të nënshkruhet marrëveshja me Operatorin Ekonomik sigurinë e ekzekutimit të kontratës, që i bie depozitimi i një shume të hollash në vlerë prej 10 për qind të shumës së kontratës. E, Komuna e Drenasit ia kishte kërkuar kësaj kompanie Sigurinë e Ekzekutimit të Kontratës vetëm pasi që është nënshkruar kontrata publike, gjë që, sipas KRPP-së, përben shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik. 

Po ashtu Zyra e Auditorit Gjeneral, në raportin që i referohet vitit 2009 ku flet për Komunën e Drenasit, ka gjetur parregullsi në tenderin për asfaltimin e rrugëve lokale.

Këtë tender e kishte fituar Trasing Group ku kishte kërkuar 214 mijë euro nga Komuna e Drenasit. “Në projektin e ndërtimit të rrugës lokale me numër identifikues nr. 611-09-145-521 kemi identifikuar që për disa situacione të finalizuara data e finalizimit mungon ose është jo e saktë”, thuhet në raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Auditorët kanë konstatuar se Komuna e Drenasit nuk kishte testuar cilësinë e asfaltit të kryer nga kontraktuesi. “Veç kësaj gjatë rishikimit të dokumentacionit të dëshmisë së mbështetjes nuk kemi qenë të pajisur me certifikatë për kualitetin e asfaltit (test raport i shembullit testues) në pajtueshmëri me nenin 6 të kontratës nr. 344-6629 të datës 18 nëntor 2009”, thuhet në raportin e ZAP-it.

“Miqësia ime me Vëllezërit Demaku nuk është një relacion biznesi”

Drejtori i ndërmarrjes shoqërore “Trepça”, Ferat Shala, ka deklaruar se bashkë me ekipet e “Trasing Group” ka hartuar politikat operacionale në aspektin menaxhues, teknik dhe shkencor.

foto  
Ferat Shala | Foto: trepca-akp.com  

“Pas zgjedhjes sime në detyrën që ushtroj aktualisht (në Trepçë, dhjetor 2008), ka ndërruar edhe statusi im në këtë kompani, sepse nuk jam punonjës i rregullt i saj. Por, brenda suazave ligjore, kryej detyra dhe këshilldhënie, me të cilat ndihem komod, sepse jam profesionist i kësaj fushe”, ka thënë Shala.

Ai ka thënë se puna e tij si Këshilltar Profesional në këtë kompani ndërtimi lidhet me kualifikimin e tij si Inxhinier i Diplomuar i Gjeologjisë

 “Jam inxhinier i diplomuar i gjeologjisë, shkencë kjo e cila në mënyrë të veçantë më ka dhënë mundësinë t’i njoh mirë materialet e ndërtimit, metodat e shfrytëzimit të mineraleve, në këtë rast jo-metalore dhe mënyrat menaxhuese për guroret dhe minierat në përgjithësi. Këto materiale ndërtimi, janë bazamenti kryesor për infrastrukturën rrugore”, ka deklaruar Shala.

Ai ka thënë se është Magjistër i Shkencave Teknike dhe së shpejti pritet të doktorojë në fushën e ristrukturimit të ndërmarrjeve.

Po ashtu Shala ka thënë se që nga viti 2006 është bashkëpunëtor shkencor dhe ligjërues i autorizuar në Universitetin Publik të Prishtinës, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike-Departamenti i Komunikacionit Rrugor.

Por, Shalës nuk i pëlqen të pyetet rreth afërsisë me pronarin e kompanisë “Trasing Group”, i cili është vëllai i bashkëshortes së tij Sala Berisha-Shala, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Edhe pse unë e konsideroj vetën njohës të mirë të strukturave inteligjente, një fenomen të tillë primitiv të gjurmimit të lidhjeve familjare e farefisnore, nuk e kam hasur askund, përveçse në praktikat dhe metodat e ish-sistemeve komuniste dhe shteteve totalitare. Kështu që, nuk do t’ua rekomandoja askujt dhe nuk do dëshiroja që praktika të tilla të bëhen dukuri e medieve në Kosovë”, ka thënë Shala.

Ndërkohë edhe përkundër përfitimeve të “Trasing Group” nga Komuna e Drenasit, e cila udhëhiqet nga Nexhat Demaku vëlla i ish-kolegut të tij nga SHIK-u Fadil Demakut,  ai ka vlerësuar se miqësia e tij me vëllezërit Demaku nuk është një relacion biznesi.

“Nexhat Demakun, kryetarin e tanishëm të Kuvendit Komunal të Drenasit, nuk e njoh përmes vëllait të tij, Fadilit. Njohja jonë është e hershme, ai nxënës i shkëlqyeshëm i shkollës së mesme, e unë profesor i tij, në ato kohë të vështira të viteve ’90-ta”, ka thënë Shala.

Drejtori i Trepçës po ashtu ka  thënë se ndihet krenar për zotësitë e kreut të Drenasit.

“Isha i bindur qysh atëherë në cilësitë e tij si një nxënës i shkëlqyeshëm në mësime, por edhe në vlerat morale e atdhetare. Edhe sot ndihem krenar për atë djalë, që ka shkëlqyer edhe në luftën çlirimtare, si pjesëtar i njësive elite të UÇK-së”, ka thënë Shala, duke vazhduar të shpjegojë miqësinë e tij me kryetarin e Drenasit.

“Pasi që keni përmendur afërsinë time me kryetarin aktual të Drenasit, them sinqerisht: se ajo i tejkalon dhe është shumëfish më e madhe se sa fantazitë dhe teoritë tuaja për njohjet mes familjeve tona”, ka shtuar Shala.

Asambleisti i PDK-së, menaxher i ndërmarrjes “Trasing Group”

Demir Berisha, i cili është pronar i kompanisë “Trasing Group” nuk ka dashur të komentojë rreth tenderëve të fituar në Komunën e Drenasit.

foto  
Nga faqja zyrtare e kompanisë  

 

“Pyeteni Komunën se si kam fituar. Unë jam biznesmen nuk merrem me politikë”, ka deklaruar Berisha.

Ndërsa zv/drejtori i kompanisë, Betim Berisha i cili është asambleist i PDK-së dhe në deklaratën e tij zyrtare të pasurisë thotë se është edhe menaxher në “Trasing Group”, ka thënë se i mban të dyja pozitat.

“Jam menaxher në Trasing për shkak se paga është shumë e vogël në Kuvendin Komunal. Nuk ka këtu kurrfarë shkeljesh me mbajtjen e pozitës së menaxherit në një kompani”, ka thënë Berisha.

Ai ka deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupcion për vitin 2012 duke u kategorizuar si Zyrtar i Lartë Publk. Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit ia pamundëson zyrtarëve të lartë që të mbajnë pozita ekzekutive në një kompani private përveç ruajtjes së pronësisë nëse kompania është krijuar para marrjes së postit publik.

 “Jam deputet, nuk jam Ndërmjetës”

Kompania ACG kishte përfituar tenderë nga Komuna e Drenasit e udhëhequr nga Nexhat Demaku gjatë kohës sa i jepte pagë mujore Fadil Demakut.

Por ish-zyrtari i SHIK-ut thotë se nuk kishte qenë i informuar se kompania ku ai punonte kishte konkurruar e lidhur kontratë publike me komunën e udhëhequr nga vëllai i tij.

“As nuk e kam ditë që kompania ka konkurruar në Drenas. Nuk jam marrë me punën e tenderëve. Nuk merrem as tash me tender. Unë jam deputet e nuk jam ndërmjetës me u marrë me tenderë”, ka thënë Demaku.

foto  
Kuvendi i Kosovës  

Ai ishte angazhuar në këtë kompani private pas mbylljes zyrtare të SHIK-ut.

“Unë kam qenë punëtorë i thjeshtë në ACG. Kam pasur pozitën e kordinatorit. Pata mbetur pa punë kur u mbyll SHIK-u në vitin 2008 dhe miqtë e mi më ofruan punë. Ajo ishte një pagë prej 300 eurosh e dikur ma rritën në 500 euro. I koordinoja punëtorët përmes telefonit. Thjesht një punë sa për të marrë një rrogë të cilën ma ofruan shokët e mi”, ka thënë Demaku.

Ndërkohë Shpëtim Musliu, drejtor në kompaninë ACG që është pronë e biznesmenit nga Skënderaj Avni Kastrati,  ka thënë se punësimi i Demakut ishte bërë për t’i ndihmuar atij pasi kishte mbetur i papunë.

“Demaku më ka ndihmuar gjatë luftës në kohën kur kam qenë i plagosur e unë i kam ndihmuar kur ka mbetur pa punë. Ai kur ka punuar në ACG nuk ka pasur të bëjë me tenderët që i ka fituar kompania”, ka thënë Musliu.