Komisioni Evropian: Bojkotet në Kuvend Nuk Janë Zgjidhje

Një burim i lartë i BE-së theksoi se disa nga të gjeturat e Raportit të Progresit të vitit 2014, që pritet të publikohen nesër, kryesisht kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, dhe të drejtat themelore të njeriut, të tilla si liria e shprehjes dhe pavarësia e mediave.

Ai tha se “ka pak rekomandime të reja në raportet e ardhshme”, dhe vuri në dukje se vendet kanë shumë punë për të bërë për të përmbushur kriteret e BE.

“Unë mendoj se pasardhësi i Z. Stefan Fule do të ketë shumë gjëra për të bërë në mandatin e tij,” tha ai.

Ai theksoi shqetësimin për punën e parlamenteve në disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, Shqipëria duhet të ndërtojë një kulturë bashkëpunimi mes opozitës dhe kampit në pushtet, dhe vuri në dukje se ngecja në Kuvendin e Kosovës është një shqetësim kur dihet se Kosova ende duhet të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit që filloi në tetor 2013.

Bojkotet në kuvend nuk janë përgjigje e drejtë ndaj problemeve, dhe kjo dëmton vendin, tha ai.

Sipas tij, raporti do të sugjerojë se si Kosova dhe Serbia duhet të jenë më të angazhuar në dialog, në drejtim të zbatimit të marrëveshjes tashmë të arritur dhe po ashtu në hapjen e temave të reja në dialog.

Raporti i ardhshëm i Progresit thotë se BE-ja nuk do ta tërheqë rekomandimin për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë, edhe pse siç vënë në dukje zyrtarët, “ky vit s’ka qenë aq vit i mirë për Maqedoninë.”

Zyrtari tha se edhe pse Mali i Zi ka bërë përparim, si vend i cili është në fazën e negociatave për t’u bashkuar me BE, “do t’i duhet të përshpejtojë reformat, e veçanërisht ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.”

Megjithatë, në Bosnjë nuk pati përparim dhe ” kjo është shumë shqetësuese,” vuri në dukje zyrtari.

Çdo vit Komisioni miraton “paketën e Zgjerimit” – një sërë dokumentesh që shpjeguar politikën e saj mbi zgjerimin e BE-së dhe raportimin për progresin e arritur në çdo vend. Më e rëndësishmja, kjo paketë përfshin Dokumentin e strategjisë së zgjerimit, i cili përcakton rrugën përpara për vitin e ardhshëm dhe evidenton progresin e  bërë gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit nga çdo vend kandidat dhe kandidat potencial.

Përveç këtij dokumentit strategjik, pakoja përmban edhe të ashtuquajturat Raportet e Progresit në të cilat shërbimet e Komisionit paraqesin vlerësimin e tyre për atë që secili kandidat dhe kandidat potencial ka arritur çdo vit.

Një tjetër zyrtar i BE-së i cili ka insistuar të mbetet anonim, tha se BE do të përcjellë çdo progres, dhe se nuk do të marrë parasysh vetëm deklaratat politike të liderëve të shteteve që shprehin dëshirën e tyre për t’u bashkuar me familjen e BE-së.

Zyrtari tha se “asnjë nga vendet nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm për t’u bashkuar me BE në pesë vitet e ardhshme”.

Përveç sundimit të ligjit, burimi është i fokusuar të nxjerrë në pah edhe rezultatet e raporteve për të drejtat themelore, siç është liria e shprehjes dhe liria e mediave.

Sipas burimit zyrtar, raportet do të theksojnë se ka qeveri që ndërhyjnë në media, dhe ka një klimë të përshtatshme për vetë-censurë në disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor.