Koherenca e Vetëvendosjes që Nuk Është Dikotomi

Demokracia në Kosovë nuk pasqyrohet në Kuvendin aktual të saj. Së këtejmi, çdo matje e demokratizimit të vendit, përmes mbarëvajtjes së punës së Kuvendit është naivitet që e gjymton rëndë demokracinë, duke e trajtuar veç si imazh i momentit, pa histori e pa përmbajtje. Është ngulfatje e saj në procedurë e rregullore. Është agresioni më i pafalshëm ndaj saj.

Sipas kësaj logjike tejet formale, demokracia funksionon kur kuvendi funksionon. Kaq. S’ka fare rëndësi nëse funksionimi i kuvendit në momente të caktuara mund të jetë në kundërshtim me interesin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

Gjatë fushatës elektorale, nuk besoj të ketë dëgjuar kush ndonjë kandidat tek premtonte që po u bë deputet, do të votojë për autonominë e komunave me shumicë serbe, për amnistimin e kriminelëve në veri e jug të vendit, për faljen e ndërmarrjeve dhe resurseve kryesore publike, etj. Por, e rëndësishme qenka që vendimet e Kuvendit të merren me shumicë votash, pa ndonjë shkelje të madhe procedurale dhe gjithçka është në rregull me demokracinë! 

Kështu, në këtë skemë tejet të ngushtë dhe sipërfaqësore s’kanë si të mos vlerësohen si agresion ndaj demokracisë të gjitha veprimet e Vetëvendosje!-s që nuk parashihen në procedurat dhe rregulloret e Kuvendit. 

Edhe Kreshnik Hoxha, me përpikërinë e një shqyrtuesi neutral e sipërfaqësor të politikës, sipas po të njëjtës logjikë të vlerësimit të demokracisë, e gjykon aksionin e deputetëve të Vetëvendosje!-s në ditën e ratifikimit të marrëveshjes Thaçi – Daçiq, duke e zhveshur nga kuptimi politik i tij. Aksionin tonë e vë përballë “demokracisë” së Kuvendit të Kosovës po duke e zhveshur këtë të fundit nga historia e tij plot shkelje që e bëjnë të padenjë për t’u quajtur demokratik. Madje na akuzon se po e sulmojmë demokracinë njësoj, me sulmin që të njëjtës iu bë nga vjedhësit e votës. Ama këtu anashkalohet një problem logjik. 

Nëse e pranojmë që përbërja e Kuvendit reflekton vjedhje industriale të votave; atëherë nuk themi dot që demokracia përfaqësohet dhe mbrohet nga ky kuvend. Rrjedhimisht, demokracia as nuk kërcënohet nëse “sulmohet” po ky kuvend. Është shumë e thjeshtë: demokracia nuk ndodhet aty. E diçka që nuk ndodhet në vendin ku zhvillohet dhe është përqendruar sulmi, nuk ka se si të cenohet. 

Kështu që, mos flisni për demokracinë dhe për Kuvendin e Kosovës si për dy gjëra të njëjta. Sepse kështu, në fakt jeni duke folur për demokracinë dhe Kamishin si për dy gjëra të njëjta! Me rastin e votimit të fundit në lidhje me Ligjin për Amnisti e pamë se si në Kuvendin e Kosovës, sasia e demokracisë është veç 17 deputetë. Pikë! Sa më shpejt që ua ndalojmë hyrjen në të njerëzve si Shaip Muja, Adem Grabovci, Bekim Haxhiu, etj. aq më shpejt e ndërtojmë demokracinë.

Kuvendi e votoi marrëveshjen që themelon republikë serbe në Kosovë! Pikërisht reagimi aktiv e pengues (po, edhe duke ua këputur mikrofonin) i këtij shtetrrënimi, bëhet akt demokratik. Duke mos i penguar, në stilin e qetë të shoqërisë civile, ata e votuan Ligjin për Amnisti.

Pra, le të diskutojmë mbi përmbajtjen politike të aksionit të Vetëvendosje!-s, konceptin e saj në lidhje me marrëveshjen Thaçi – Daçiq dhe arsyet e kundërshtimit të saj. Sepse po krijohet përshtypja sikur frika që Vetëvendosja ka të drejtë në argumentimin e vet politik e konceptual dhe kështu s’na lë rrugë tjetër veç t’i bashkohemi (së paku konceptualisht), është burimi i kësaj nevoje për të folur kaq shumë rreth metodave të saj dhe për t’u strukur në vlerësime formale e sipërfaqësore të demokracisë së Kuvendit dhe anti-demokracisë së Vetëvendosje!-s. 

Prandaj për shumë analistë të ngjashëm problemi kryesor dhe më i padurueshëm që e ka shkaktuar Vetëvendosje! është polarizimi politik i shoqërisë në dy kampe (në rastin e fundit p.sh. në kampin pro marrëveshjes që e vë bazën e republikës serbe brenda Kosovës dhe në kampin tjetër kundër kësaj marrëveshjeje). Polarizim ky që ua trazon keq rehatinë që e sigurojnë nga ekzistenca e një hapësire të mesme ku promovohen lehtë “mendjet e tyre të ndritura dhe apartiake”. Ku nevoja e tyre për protagonizëm mbetet e pacenuar (dhe për ta s’ka fare rëndësi që në situata të tilla rruga e tretë, “neutrale” ndaj dy palëve “ekstreme”, pashmangshëm shpie, me apo pa vetëdije, në kampin e pushtetit).

Duke u nisur nga po kjo nevojë e përmbysjes së Vetëvendosje!-s, e cila po ua përmbysë hapësirën e mesit dhe nuk po i lë rehat në pozicionin e tyre spektatorial e të papërfshirë në aksion, (sepse në fund të fundit, po e lejove veten të gjendesh në pozitën e dakordësisë së plotë me Vetëvendosje!-n, cila do të ishte pastaj përgjigjja në pyetjen makabre “pse pra nuk i bashkohesh asaj në aksion, derisa pajtohesh plotësisht me të?!”), pra nisur nga kjo nevojë, e pasinqertë vazhdon vjellja e histerisë në lidhje me qëndrimet tona karshi çështjeve që lidhen me fenë. E si për ta vërtetuar pikërisht të qenët histeri, ajo e trajton qëndrimin e Vetëvendosje!-s nisur nga titujt e gazetave dhe asnjëherë nuk merret me një diskutim më të thellë e parimor në lidhje me qëndrimet e Vetëvendosje!-s.

Vetëvendosje! asnjëherë nuk ka deklaruar asgjë, në lidhje me fenë, që do të ishte në shpërputhje me programin e saj politik, (v.2010) i cili në lidhje me këtë çështje e thekson aspiratën tonë për një shtet laik, ku pjesëtarët e shoqërisë ushtrojnë lirshëm bindjet dhe ritet e tyre fetare. Pra, kurrfarë ndërrimi i kursit, me qëllim elektoral, nuk i ka ndodhur Vetëvendosje!-s nga viti 2010 (kur është miratuar programi politik i saj). 

Vetëvendosje! ka qenë subjekti i parë dhe i vetëm politik i cili ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të hoxhë Irfan Salihut dhe kjo është në kundërshti me çfarëdo flirtimi të supozuar me islamin radikal. Vetëvendosje! ka reaguar fuqishëm, menjëherë pas kërcënimeve që i janë dërguar Alma Lamës nga Forumi Rinor Musliman dhe këtë e ka bërë edhe herën e parë, e edhe herën e dytë. Vetëvendosje! e ka mbrojtur të drejtën e shkollimit të vajzave mbi 16 vjeçare që bartin shami (me kushtin që nuk mbulohet edhe fytyra), ashtu siç kjo e drejtë garantohet në shumicën e shteteve të Evropës (të cilat nuk më duket se janë edhe aq të njohura për flirtime me islamin radikal, apo jo?!). Vetëvendosje! është për futjen në shkolla të një lënde sociologjike dhe historike mbi fetë, e cila nuk ka të bëjë fare me predikimin fetar (ta zëmë sipas shembullit të Anglisë apo Suedisë) e madje është parakusht i rëndësishëm për zvogëlimin e dogmatizmit dhe radikalizmit fetar që fëmijëve shpeshherë u mësohet në kisha e xhamia. 

Dhe çka ka bërë Vetëvendosje! për dallim nga të tjerët, është që në vend të trajtimit të cekët të shprehjeve të radikalizmit fetar, është marrë me thelbin strukturor që e shkakton këtë radikalizëm, duke propozuar kështu që i njëjti luftohet veç përmes ndërtimit të një shteti me ekonomi dhe arsim të zhvilluar, ku jeta ka mirëqenie e kuptim. E kjo s’ka kurrfarë lidhje me qëndrime flirtuese ndaj radikalizëm fetar. Përkundrazi!

Krejt në fund, kërkesat perfeksioniste që arrijnë të gjejnë qime edhe në vezë, janë tipike për vrojtuesit pasivë që angazhimin e tyre “politik” nuk e çojnë dot përtej karriges, nga e cila analizojnë me neutralitet absurd veprimet e njerëzve që angazhohen për interesin publik. Të njerëzve që asnjëherë nuk kanë pretenduar se janë të pagabueshëm. Ama njësoj, asnjëherë, s’janë ndalur së synuari veprimin e drejtë.

Autori është drejtues i Sekretariatit për Organizimin e Aktiviteteve në Lëvizjen Vetëvendosje. Ky reagim nuk është reagim zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje! por reflekton pikëpamjet e Frashër Krasniqit në cilësinë e anëtarit të VV-së.

Kliko këtu për të lexuar kolumnen “Dikotomia në Lëvizjen Vetëvendosje” të autorit Kreshnik Hoxha, botuar më 10 korrik 2013.