Ilustrim nga Trembelat për KALLXO.com

'Kohë e keqe' për të folur për zgjedhje të reja

Tash e një muaj ka shumë diskutime, në tryeza e studio televizive rreth mundësisë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por nuk ka veprime për t’i konkretizuar këto fjalë.

Fiks një muaj më parë, më 25 prill, LDK mblodhi partitë politike me arsyetimin për të diskutuar rreth zgjedhjeve të parakohshme. E një muaj më vonë, 25 maj, të njejtën e bëri edhe partia tjetër opozitare, Vetëvendosje. Të dyja me të njëjtin qëllim: diskutimin për zgjedhjet e parakohshme. Por asnjëra me iniciativë për rrëzimin e Qeverisë.

Analistët thonë se opozitarët nuk e kanë seriozisht këtë punë, por po e bëjnë vetëm për konsum publik.

Analisti Arton Demhasaj thotë se opozitarët nuk e kanë përnjëmend çështjen e zgjedhjeve, por këtë e bëjnë për konsum publik.

Ai thotë se mocioni i mosbesimit është rruga se si shkohet në zgjedhje, jo tryezat.

“Nëse kishin me pasë pernime kishin me inicu mocion mosbesimi, me rrëzu Qeverinë edhe me e çu vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Demhasaj për KALLXO.com.

Ai tha se fakti që një iniciativë të tillë nuk po e marrin asnjëra prej partive politike nënkupton që nuk e kanë seriozisht.

“Fakti që s’po mirret kjo iniciativë t’jep me kuptu që s’e kanë përnime idenë e zgjedhjeve dhe po e diskutojnë për diskurs publik e edhe sa për fitim të poenave politikë dhe votave”, tha Demhasaj.

Pak a shumë njëjtë mendon edhe analisti Imer Mushkolaj.

Ai tha për KALLXO.com se po të ishte në vend të Kryeministrit Ramush Haradianj do të organizonte vetë mocion mosbesimi, ngase siç tha, opozita nuk i ka votat për rrëzimin e Qeverisë.

Me këtë, Mushkolaj tha se Haradinaj do ta hiqte nga diskutimi këtë temë, që ai e quan ‘për konsum publik ditor’.

“Edhe LDK edhe Vetëvendosje e dinë që nuk ka rend të zgjedhjeve. Po të isha si [Ramush] Haradinaj kisha ba vetë mocion mosbesimi se ata [opozita] s’i kanë votat, edhe e kisha hekë prej diskursit publik këtë temën e zgjedhjeve që e kanë veç për konsum politik ditor”, tha Mushkolaj.

Iniciativën e partive politike për organizimin e tryezave për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, Mushkolaj e quan joserioze.

“S’ka zgjedhje njëherë. Le ta presim vjeshtën e vitit tjetër e të shohim qysh po vijnë punët”, tha Mushkolaj.

Më 23 prill, kreu i LDK-së, Isa Mustafa i kishte ftuar kryetarët e partive politike në një tryezë të përbashkët me qëllim të tejkalimit të gjendjes së krijuar në vend, që siç thuhej “gjendja e krijuar politike në vend mund të zgjidhet veç me zgjedhje të parakohshme”.

Kjo tryezë që u mbajt më 25 prill, përveç diskutimit, nuk prodhoi asnjë rezultat.

Pas LDK-së, tryezë me temën për ta çuar vendin në zgjedhje thirri edhe partia tjetër opozitare, Vetëvendosje. Por, edhe në këtë tryezë veç diskutimit, nuk pati asnjë veprim konkret.

Gjithsesi tash e sa kohë opozitarët po insistojnë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.