"Shtëpisë së Bardhë" në Klinë ka filluar t'i bjerë fasada | Foto: Atdhe Mulla

Klina e Etur Dëshiron “Sheshin më të Mirë” në Kosovë

Shtëpia e Bardhë nuk gjendet vetëm në Uashington, një shtëpi e bardhë gjendet edhe në Klinë. Përbri kësaj ‘shtëpie të bardhë’, një rend i gjatë pensionistësh prisnin t’i merrnin pensionet në një nga bankat vendore. Dhjetëra të moshuar kishin formuar një rend të çrregullt dhe kishin mbërritur deri në rrugë.

Me t’u afruar te “Shtëpia e Bardhë” e Klinës, një valë turpi ta rrok trupin. Ndërtesa që është ndërtuar viteve të fundit me aq shumë pompozitet kishte filluar të shpërbëhej.

Fasada kishte filluar t’i binte mureve të një stili të renesancës që mbaheshin nga shtylla greke të stilit dorik. Përzierje kjo e palejueshme.

Më tepër se kaq, shtyllat shihej qartë që ishin vënë shtrembër. Ato nuk puthiteshin mirë në fundet e tyre. Si kishte mundësi që diçka aq e qartë t’u kishte ikur gjithë atyre njerëzve?

Klina është një komunë relativisht e vogël me rreth 50 mijë banorë e rrjedhimthi me 8 milion euro buxhet të caktuar nga niveli qendror i pushtetit.

Këto para doli se nuk janë shpenzuar sipas rregullave e ligjeve dhe prandaj në javën që po lëmë pas pati bastisje e marrje në pyetje të kryetarit Sokol Bashota e disa personave të tjerë përgjegjës.

Kryetari i Komunës së Klinës Sokol Bashota dhe gazetarja Jeta Xharra | Foto: Atdhe Mulla
Kryetari i Komunës së Klinës Sokol Bashota dhe gazetarja Jeta Xharra | Foto: Atdhe Mulla

Çështjet që me ëndje i ngriste kryetari Bashota në fillim të debatit Jeta në Komunë ishin subvencionet që kishte ndarë për 310 fermerë, por shumë shpejt opozita bashkë me kryesuesen provizore Xharra i kërkuan llogari për ato që ishin problemet e përditshmërisë së qytetarëve.

Vinte si shembull një rrugë disa metra afër ndërtesës së komunës e cila sipas opozitës kishte 6 vite pa ndërtuar.

Kjo rrugë, thoshte opozita, nuk ishte ndërtuar sepse qytetarët në shumicë të asaj lagjeje nuk votojnë për PDK-në. Nuk është se këtë e dëgjon rrallë në Kosovë. Madje, ka raste ku edhe është vërtetuar një sjellje e tillë.

Në disa komuna, kryetarëve u është dukur krejt në rregull, madje kanë pyetur me habi se pse ne presim që punësimet, investimet e të ngjashme veprime, të bëhen për njerëz që nuk janë të partive të tyre.

Ata në fakt, disi pavetëdijshëm, janë përfshirë në një skemë pushteti e disiplinimi të qytetarëve dhe kësisoj diktojnë vullnetin politik të tyre.

Po kryetari i Klinës që tha se ishte krenar, shpalosi idenë e sheshit siç tha ai “unikat” në tërë Kosovën.

Kjo për arsye se ai do të jetë aq i sofistikuar sa do të ketë tunele përfundi ashtu që kabllot e rrymës, gypat e ujit e të tjera të ngjashme do të vendosen aty e nuk do të ketë nevojë më të hapet rruga në rast të ndonjë avarie.

Dhe ky shesh “unikat” do të kushtonte diku rreth 1.7 milion euro: gati 1/4 e buxhetit vjetor të komunës.

Salloni i Komunës së Klinës | Foto: Atdhe Mulla
Salloni i Komunës së Klinës | Foto: Atdhe Mulla

 

Por se si u la përgjysmë diskutimi për punën e sheshit dhe debati vajti te uji i pijshëm. Merrej vesh se Klina përballet me një problem të ujit të pijshëm.

Regjistrat e fundit që kishte sjellë kryesuesja provizore e asamblesë Xharra thoshin se 52 për qind e ujit që del nga krojet e shtëpive nuk pihet, ndërkohë që kryetari nuk pranonte të thoshte ndonjë gjë për krojet, por ai garantonte se uji që nisej nga fabrika ishte 100 për qind i pijshëm.

Shefi i Hidro-Drinit (kompania publike për sjelljen e ujit) dha një garanci duke thënë se ai vetë dhe familja e tij e pinin ujin.

U diskutua ashpër kjo çështje dhe shpjegimi që u dha nga një asamblist ishte se në fakt uji që vinte nga fabrika përzihej me ujin e puseve të Jarinës dhe kësisoj prishej kualiteti.

Shpjegimi qe bindës por po aq bindës është shqetësimi i qytetarëve që nuk kanë ujë të pijes në shtëpitë e tyre. Qytetarët e Klinës në shekullin 21 e vlojnë ujin para se ta pinë atë.

Dikush nga opozita seç e lidhi ujin me sheshin duke thënë se për punën e ujit nuk ka një studim serioz siç nuk ka as për sheshin.

E kryetari mezi s’kishte pritur dhe prapë nuk hezitoi ta shprehte krenarinë e tij, duke thënë se ky do të jetë sheshi më i mirë në Kosovë.

Sportel në Komunën e Klinës | Foto: Atdhe Mulla
Sportel në Komunën e Klinës | Foto: Atdhe Mulla

Po çka u duhet qytetarëve të Klinës sheshi më i mirë në Kosovë kur ata nuk kanë ujë për të pirë?

Debatit i afrohej fundi. Pozita e opozita gjuanin sa te njëra e te tjetra akuza e kundërakuza, ndërkohë që qytetarët e Klinës duke vluar ujin e shohin këtë katrahurë në televizor.

Kështu mbërriti te pika e fundit kur dikush nga opozita akuzoi se kryetari paska kërkuar “haraç” nga kafenetë duke ju caktuar një vlerë fikse prej 100 eurosh për tarracat. Ky asamblist tha se kjo sjellje është nga ato sjellje që do t’i bënte ndokush po t’ia linte komunën trashëgim “baba”.

“Trashëgim na e ka lanë qytetari” – e ndërpreu menjëherë kryetari, i kënaqur me përgjigjen e mprehtë që sapo dha vetë. Vërtet ajo qe një përgjigje e mirë retorike, por në fakt mbante një të vërtetë universale për mentalitetin e politikanit kosovar.

Asambleja e Komunës së Klinës | Foto: Atdhe Mulla
Asambleja e Komunës së Klinës | Foto: Atdhe Mulla

Detyrat publike, politikani kosovar nuk i përjeton si shërbim – në fund të fundit si vend pune me kontratë, më shumë se kaq – detyrën publike ai e trajton si një pronë të trashëguar, si një çiflig të marrë me qira e të cilin do ta shfrytëzojë si t’ia dojë qejfi për 4 vjetët e ardhshëm.

Ende feudal, është mentaliteti i politikanëve kosovarë që bëjnë luftë të hatashme për të dalë në modernitet, jo duke ndërruar filozofinë e vet politike, por duke bërë sheshet më të “mira”, tunele të sofistikuara e fort moderne, ndërkohë që rrethohen nga brekë të palara sepse ujë nëpër shtëpi nuk ka.