Kjo Është Plaçkitje

Ky ligj krijon tani një precedent: kur donatorët japin para për organizatat joqeveritare (OJQ-të) në Kosovë është bërë ligjërisht e mundur që OJQ-të t’i ‘transformojnë’ ato para në stoqet ose aksionet personale të personave privatë. 

Shtatëmbëdhjetë institucione mikrofinanciare që ekzistojnë në Kosovë janë të regjistruara si OJQ, në përputhje me ligjin për lirinë e asociimit në OJQ. Institucionet mikrofinanciare me vite kanë lobuar për ndryshimin e ligjit në Kosovë ashtu që atyre t’u lejohet që ligjërisht të pasurohen nga fitimet enorme që kanë krijuar duke lëshuar kredi për shtresat më të varfra të shoqërisë kosovare.

Hashim Rexhepi, ish guvernatori i bankës, konfirmoi për Gazetë Jeta në Kosovë se institucionet mikrofinanciare kanë ushtruar presion ndaj Bankës Qendrore që nga viti 2007 për t’iu lejuar atyre transformimin në banka, por dy nga ish drejtorët e bankës qendrore refuzuan kërkesat e tyre, me arsyetimin se kjo do të ishte në kundërshtim me ligjin për OJQ-të,  sipas së cilit funksiononin institucionet mikrofinanciare.

Më 2010, si pjesëtare e shoqërisë civile, isha anëtare e komisionit qeveritar për rihartimin e Ligjit për lirinë e asociimit ku drejtpërsëdrejti u përballa me këtë lob të mikrofinanciarëve. Atëkohë, këto organizata dëshironin që të ndryshohet një nen në ligjin për OJQ-të, i cili shkruante se tërë fitimi, kapitali dhe asetet e krijuara nga një OJQ duhet të qëndrojë në sektorin e shoqërisë civile. Nëse një OJQ vendos që të shuhet, ajo duhet t’i dhurojë tërë kapitalin që ka krijuar një OJQ-je me objektiva të ngjashme. 

Ata provuan ta ndryshojnë këtë nen, por ishin të pasuksesshëm – në fakt përfaqësuesit e shoqërisë civile në atë grup i ndaluan ata sepse ishte e qartë se kjo do të dëmtonte tërë sektorin, duke trembur donatorë të sinqertë të cilët japin grante për synime specifike të cilat nuk kanë për qëllimin pasurimin e  personave të cilët drejtojnë OJQ-të.

Megjithatë, ne nuk mundëm t’i ndalim ata për shumë kohë. Tani, ky grup lobues ka bërë miq të fortë në pozita të larta, si duket ka edhe miq në thesarin e SHBA-së, miq në FMN dhe në Bankën Qendrore dhe, padyshim, miq në qeverinë e parlamentin e Kosovës, si dhe miq te presidenca e Kosovës, e cila e pati mundësinë për ta kthyer këtë ligj prapa, por nuk e shfrytëzoi këtë rast. Të gjitha institucionet e sipërpërmendura kanë qenë të përfshira në hartimin e këtij ligji dhe janë siguruar se ai do të miratohet në parlament në mënyrën që ata dëshironin. 100 milionë euro kapital të akumuluar nga institucionet mikrofinanciare për më se një dekadë, duke ushqyer të varfrit, pa dyshim se kanë qenë të dobishme për lobim të suksesshëm në favor të mikrofinacave e në dëm të shoqërisë civile. 

Ky ligj në fakt është hartuar nga bankierët dhe financierët në Bankën Qendrore dhe këshilltarët nga Thesari i SHBA-së dhe FMN-së në Kosovë. Asnjë nga këto organizata nuk mërzitën shumë për efektet që mund t’i ketë ky ligj në sektorin e shoqërisë civile. Nuk duhet edhe të befasohem shumë sepse kriza financiare botërore ka dëshmuar se lakmia e bankierëve dhe financierëve i verbëron ata dhe nuk i le që të marrin parasysh se cili është ndikimi i tyre në shoqërinë e gjerë, sepse me rëndësi për ta është vetëm pasurimi i dikujt.

Mbi të gjitha, partitë opozitare në Kosovë, për herë të parë, ishin të bashkuara kundër ligjit, ku më shumë se 50 deputetë e braktisën sallën gjersa ligji votohej. 

Pyetja është: pse kaq shumë “këshilltarë” po e shtyjnë Kosovën që të bëhet shtet me strukturë ligjore në kundërshtim me rekomandimin e Këshillit të Evropës dhe në kundërshtim me vetë kushtetutën e saj? 

A janë ata në dijen se neni 9 i rekomandimit të Këshillit të Evropës (2007)14 për statusin ligjor të organizatave joqeveritare thotë se ‘OJQ-të nuk duhet t’i shpërndajnë fitimet të cilat mund të jenë krijuar nga aktivitetet e tyre te anëtarët apo themeluesit e tyre, por mund t’i shfrytëzojnë ato për t’i realizuar objektivat e tyre’? (Shih linkun) 

Një dispozitë e ngjashme është e përfshirë edhe në Parimet Themelore të KiE-së për Statusin e Organizatave Joqeveritare në Evropë, gjegjësisht në nenin 4, sipas së cilit OJQ-të ‘nuk duhet të shpërndajnë fitime që janë krijuar nga aktivitetet e tyre te anëtarët apo themeluesit e tyre, por t’i shfrytëzojnë ato për t’i realizuar objektivat e tyre’”. (Shih linkun) 

Ligji për Bankat është në kundërshtim me këtë parim, meqë qartas lejon që fitimet të shpërndahen te blerësit privatë të stoqeve e jo të shfrytëzohen për të mira publike. 

Veç kësaj, ligji është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën e Kosovës. Neni 46 i Kushtetutës thekson se “askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona”. Në këtë rast, shoqëria civile është duke u privuar drejtpërsëdrejti nga prona e saj për shkak të këtyre OJQ-ve mikrofinanciare. 

Kapitali i OJQ-ve mikrofinanciare, sipas Ligjit për Lirinë e Asociimit në OJQ, i përket atyre OJQ-ve dhe në rast të shpërbërjes apo mbylljes, ky kapital duhet të shpërndahet te OJQ-të tjera që veprojnë në fusha të ngjashme. Ky kapital, sipas precedentit të Gjykatës së Strasburgut, duhet të jetë në posedim të një “bartësi jofitimprurës”, meqë çdo veprim tjetër do të jetë në kundërshtim me standardin e nenit 4 të Ligjit për Lirinë e Asocimit në OJQ. 

Tani ata thjeshtë dëshirojnë ta vjedhin këtë kapital nga sektori i shoqërisë civile. Në Kosovën e varfër përsëri kapitali (ngjashëm me fondin pensional dhe të privatizimit) po merret jo vetëm nga sektori i shoqërisë civile, por sigurisht edhe nga tregu financiar i Kosovës.

Mbase mund ta kam gabim dhe ky kapital mund të jetë që do të shfrytëzohet në Kosovë. Ndoshta urgjenca për ta aprovuar ligjin me kaq nguti është e lidhur me zgjedhjet e parakohshme në një nga qytetet më të rëndësishme në Kosovë dhe nevojën e partive politike për të siguruar financim për fushatën politike dhe për të blerë vota.

Për më tepër, neni 115, paragrafi 4.2 i këtij ligji të miratuar për bankat lejon Bankën Qendrore të Kosovës të jetë autoriteti përfundimtar në “aprovimin” e planit për mënyrën se si “suficiti i Kapitalit” i institucioneve mikrofinanciare do të shpërndahet për qëllime bamirëse “sipas planit të miratuar nga BQK-ja”. Javën e kaluar, në një intervistë për Jeta në Kosovë, e pyeta Bankën Qendrore se cila bankë tjetër qendrore në botë merret me shpërndarjen e fondeve për qëllime bamirëse? Shoqëria civile duhet të jetë e lirë e pa ndikim, madje edhe nga institucionet financiare siç është Banka Qendrore, e cila ka bord të përbërë nga katër anëtarë, dy nga të cilët emërohen nga qeveria. Pra, duke konsideruar se banka qendrore nuk është pa ndikim qeveritar, pse duhet të ketë të drejtë që të shpërndajë fonde bamirëse të cilat nuk i përkasin bankës, por i përkasin sektorit të shoqërisë civile në Kosovë?

Përfaqësuesi i bankës qendrore nuk kishte përgjigje në këto pyetje. Madje, ai as që mund të përmendte një shtet në botë në të cilin banka qendrore shpërndan fonde bamirësie. Me ligjin për lirinë e asociimit, fondet e një OJQ-je të shuar duhet të shpërndahen përmes një komisioni i cili, sipas ligjit, përbëhet nga përfaqësues të shoqërisë civile – tani paratë janë në duart e njerëzve të cilën nuk kanë fare njohuri për punën me organizata bamirëse, fondacione apo forma tjera të aktiviteteve të shoqërisë civile. Kush u  ka besën bankierëve sot se ata do të bëjnë diçka të mirë për shoqërinë në përgjithësi?  

Qartazi që me Kosovën prapë po bëhet eksperiment, tani në mënyrën se si trajtohet kapitali i krijuar nga shoqëria civile – përkundër faktit se Kosova ka kushtetutë e cila qartas thekson se askush nuk mund të privohet nga prona dhe përkundër faktit se Këshilli i Evropës këshillon të kundërtën. 

Apo ndoshta, njëri nga qëllimet e ligjit për bankat ishte dobësimi financiar i sektorit të shoqërisë civile veçse të vështirësuar? 

Miratimi i këtij ligji, natyrisht, u bë edhe në të mirë të interesit kombëtar, meqë shtron rrugë që qeveria ta nënshkruaj marrëveshjen “stand-by” me FMN-në, për të cilën këta financierë qartas mendojnë se është më e rëndësishme sesa disa shqetësime të shoqërisë civile në Kosovë. 

Është e çuditshme se si interesi kombëtar gjithmonë hyn në punë nëse institucionet e Kosovës duhet të aprovojnë diçka shumë shpejt dhe në dëm të shoqërisë civile – dhe është e çuditshme se si institucionet ndërkombëtare në Kosovë përsëri mbyllin sytë kur shteti ynë i ri bën edhe një hap mbrapa nga parimet e BE-së.

Jeta Xharra është Drejtoreshë e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese në Kosovë dhe udhëheqëse e emisionit më të shikuar të aktualiteteve në vend “Jeta në Kosovë”.