Foto: Facebook

Këshilltari i Kryeministrit Hap Spital të Zemrës

Biznesi i ri i avokatit Berisha është i vendosur në të njëjtin objekt ku më herët ka qenë i vendosur objekti i Klinikës “Intermed”, e cila ishte e përfshirë në skandalin e stentave.

Këshilltari i Kryeministrit dhe avokati i njohur Besnik Berisha i ka hyrë biznesit të spitaleve.
Ai në profilin e tij në “Facebook” ka publikuar një fotografi të një ndërtese me mbishkrimin “Cardio Center” dhe simbolin e një zemre.

Biznesi i ri i avokatit Berisha është regjistruar në nëntor të vitit të kaluar dhe ai është i vetmi pronar i saj.

Sipas të dhënave në Agjencinë e Regjistrimeve të Bizneseve Kosovare, “Cardio Center” numëron 10 punëtorë.

Biznesi i ri i avokatit Berisha është i vendosur në të njëjtin objekt ku më herët ka qenë i vendosur objekti i Klinikës “Intermed”, e cila ishte e përfshirë në skandalin e stentave.

Spitali Intermed, si person juridik dhe pronarët e saj akuzohen për trajtim të pandërgjegjshëm të pacientëve. Pronar të këtij spitali, bazuar në të dhënat e publikuara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneve, kanë qenë: Lulzim Brovina, Borche Petrovski, Zhivko Petrovski, Marina Petrovska. Dy nga pronarët e këtij spitali, Borche Petrovski dhe Lulzim Brovina janë të akuzuar në rastin e stentave.

Avokati Berisha e mbron njërin nga të akuzuarit në rastin stenta. Berisha thotë se klienti i tij, Nexhmi Zeqiri asnjëherë nuk ka ushtruar profesionin në Klinikën “Intermed”.

Ky biznes i ri i Berishës, sipas informacioneve të publikuara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve Kosovare, do të merret me aktivitete spitalore, pa specifikuar se me çfarë aktivitetesh specifike spitalore do të merret.

KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin Besnik Berisha, i cili përmes telefonit nuk ka pranuar të tregojë se me çfarë aktivitetesh do të merret ky spital, duke ironizuar se do të merret me aeroplanë.

“Nuk është punë e jotja ajo hiq, e ki aktivitetin e biznesit, ju më pyetni me çfarë aktiviteti keni me u marrë, me aeroplanë ka me u marrë”, tha Berisha për KALLXO.com. “Nëse e ki për artikull, shfrytëzoji të dhënat nga qendra e biznesit”.

I pyetur nga KALLXO.com se a do të jetë ai spital ku pacientët mund të vendosin stenta, ai prapë kërkon që të orientohemi tek qendra e biznesit. Megjithatë, në qendrën e biznesit nuk figuron asgjë më shumë sesa që në atë objekt do të ushtrohen aktivitete spitalore.

E në bazë të emrin të spitalit “Cardio Center” nënkuptohet që i njëjti do të merret me sëmundjet kardiovaskulare.

Në kohën kur ky objekt ka qenë në pronësi të dy të akuzuarve, Borche Petrovski dhe Lulzim Brovina, në “Intermed” aktivitetet që janë ushtruar kanë qenë, tregtia me shumicë e artikujve të parfumerisë dhe kozmetikës, tregtia me pakicë e artikujve farmaceutikë në dyqane të specializuara (barnatore), tregtia me pakicë e artikujve ortopedikë dhe mjekësorë,  aktivitete të dentistëve, etj

Berisha ka thënë se nuk e ka në plan të bëjë marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë për trajtim të pacientëve të cilët nuk kanë mundësi të shërohen në spitalet publike.

“Asnjë spital s’ka marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë. S’kam provu me bo marrëveshje dhe s’ka nevojë me bo marrëveshje kurrkush me Ministrinë e Shëndetësisë për ata pacientë që s’kanë mundësi për me ardhë atje”, tha Berisha për KALLXO.com.

Foto e publikuar nga Besnik Berisha për të cilën ka pranuar shumë urime. Foto: Facebook

17 Mars 2017 - 19:58

Taulant Osmani 17/03/2017 - 19:58
NDËRVEPRIMI0

Këshilltari i Kryeministrit Hap Spital të Zemrës

by Taulant Osmani
NA NDIQNI