Këshilli Gjyqësor me Përbërje (Jo)Kushtetuese

Nëse lexohet saktë dhe drejt Kushtetuta e Kosovës, emërimi i anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) është juridikisht i kontestueshëm e me pasoja të mëdha për rendin juridik të vendit.

Po të analizohet në detaje, që nga qershori 2008 kur Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka hyrë në fuqi, përbërja e Këshillit Gjyqësor te Kosovës nuk ka qenë në përputhje te plotë me kërkesat që dalin nga Kushtetuta.

Një analizë e detajuar e mënyrës dhe frymës se si është shkruar kushtetuta dhe mënyrës së votimit të anëtarëve të KGjK-së na ana e Kuvendit të Kosovës na nxjerrë një përbërje të kontestueshme të këtij organi.

Sipas kushtetutës, organi më i lartë menaxhues i drejtësisë (KGjK) në përbërjen e tij prej 13 anëtarëve ka të emëruar anëtarë të cilët zgjidhen nga deputetët e  komuniteteve jo shumicë.

Po të lexohet paragrafi  6 i nenit 108 të Kushtetutës rezulton se anëtarët e Këshillit që emërohen për t’i përfaqësuar komunitetet jo-shumicë votohen vetëm nga deputetët që përfaqësojnë ato komunitete. (Embed neni 6)

Por transkriptet e publikuara nga seanca te përgjithshme të Kuvendit dëshmojnë se për anëtarët e Këshillit Gjyqësor që përfaqësojnë komunitet jo-shumicë kanë votuar të gjithë deputetët e Kuvendit.

Një gjë e tillë është në shkelje të Kushtetutës por edhe të vetë Rregullores se Kuvendit. Kjo pasi që edhe vet Rregullorja e Punës së Kuvendit parasheh një ‘përjashtim’ nga mënyra e votimit.

Neni 51 i Rregullores së punës se Kuvendit  ku flitet për korumin dhe votimin është paraparë që në raste të veçanta kur është paraparë me kushtetutë të organizohet votim ndryshe. (Shih rregulloren)

Pra nëse lexohet saktë kushtetuta dhe rregullorja të drejtën për t’i votuar anëtarët e komuniteteve joshumicë e kanë vetëm deputetët e komuniteteve e jo edhe ata të shumicës siç edhe ka ndodhur deri më tani.

Një analizë edhe më e thellë na nxjerrë probleme edhe më të mëdha. Neni 51 i Rregullores së Punës së Kuvendit parasheh dy elemente/kërkesa mandatore që vendimmarrja te ketë efektshmëri dhe vlefshmëri juridike: i) që seanca plenare të ketë kuorum, pra të jenë të pranishëm më shumë se gjysma e deputetëve të Kuvendit, dhe ii) të votojnë shumica e deputetëve të pranishëm.

Deri këtu duket krejt ne rregull për ligjet, vendimet dhe aktet e tjera të Kuvendit që nxirren e që nuk parashihet votim ndryshe me Kushtetutë.

E në rastin aktual, këtu edhe qëndron problemi.

Me Kushtetutë parashihet një tjetër mënyrë e vendimmarrjes sa i përket përzgjedhjes se anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nga radhët e komuniteteve jo-shumicë.

Disa nga juristët mund të theksojnë se kjo kërkesë kushtetuese përbën një konfuzion normativ të Rregullores e Punës në raport me Kushtetutën. Fillimisht duhet përmendur se Kushtetuta nuk paraqet ndonjë kufizim sa i përket vijimit apo vendimmarrjes te nenet e Kapitullit IV [Kuvendi i Republikës së Kosovës], përjashtimisht tek mënyra e votimit të ligjeve (nenet 80 dhe 81). Po ashtu duhet përmendur se neni 69, paragrafi 3 i Kushtetutës përcakton që “Kuvendi ka kuorum kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e të gjithë deputetëve të Kuvendit.”

Së pari, kjo çështje nuk do shumë diskutim sepse Rregullorja duhet t’i përshtatet kërkesave kushtetuese dhe ne këtë rast është dashur që Rregullorja, krahas kërkesës bazë sa i përket kuorumit, ta përcaktojë edhe mënyrën e votimit pra ta paraqesë një skenar të ditur nga deputetët – por edhe publiku – se si duhet vepruar në situata kur ka një mënyrë votimi ndryshe të paraparë me Kushtetutë, siç është përzgjedhja e anëtarëve te Këshillit Gjyqësor nga radhët e  komuniteteve jo-shumicë. Mirëpo, edhe në mungesë të një skenari të qartë normativ sa i përket kësaj, edhe vetëm përmes nenit 51 që është aktualisht në Rregulloren e Punës së Kuvendit mund të improvizohet  përmbushja e të dyja kërkesave që dalin nga të dy aktet: si të  Kushtetutës ashtu edhe të Rregullores.

Përkthyer në terma konkretë kjo do të nënkuptonte që për qëllim të përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nga radhët e komuniteteve jo-shumicë duhet që në momentin e përzgjedhjes se anëtarëve të Këshillit, në seancën plenare të Kuvendit të mundësohet: i) krijim i kuorumit kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e deputetëve të Kuvendit [që të përmbushet kërkesa kushtetues që derivon nga nenin 69 (3)],  dhe ii) votimi të bëhet vetëm  nga deputetët e Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit Serb në Kosovë ose nga deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve të tjera [që të përmbushen kërkesat kushtetues që derivojnë  nga neni 108 (6)] .

Natyrisht se këtu lind pyetja tjetër se cili do të ishte numri minimal që do duhej të ishin prezentë për të krijuar kuorumin e “deputetëve të Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve jo-shumicë”.

Dhe këtu kthehemi prapë të zbrazëtia juridike që ka lënë Rregullorja e Punës së Kuvendit, sepse kjo dilemë do të mund të sqarohej vetëm nëse rregullorja e punës së Kuvendit do të parashihte normativë të qartë se si të rregullohej ky proces përzgjedhës i anëtarëve të Këshillit nga radhët e komuniteteve jo-shumicë në përputhje të plotë më nenin 108 (6) të Kushtetutës.

Përndryshe, rezulton që edhe emrat e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor nga  radhët e komuniteteve jo-shumicë të bëhen pjesë e pazareve politike.

Me një zbatim të plotë dhe të saktë të këtyre garancive kushtetuese për komunitetet jo-shumicë, ata do të kishin një pavarësi më të madhe në përzgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në Këshilli Gjyqësor, që përbën institucion më të rëndësishëm që ndërlidhet me pushtetin e tretë në vend.

Një tjetër dilemë e madhe rreth emërimit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës është edhe praktika e deritanishme e votimit të fshehtë për këta anëtarët e Këshillit Gjyqësor. Përmes votimit të fshehtë në mënyrë flagrante shkelet Kushtetuta pasi që këtu nuk dihet se së paku ata anëtarë të zgjedhur të Këshillit Gjyqësor a kanë marrë votat e deputeteve të komunitetit që përfaqësojnë ashtu siç e kërkon Kushtetua.

Materializimi i kësaj kërkesë kushtetuese përmes votimit te fshehtë, pamundëson në mënyrë absolute të shihet se a është dhe sa është respektuar kjo normë kushtetuese obligative.

Dhe e fundit fare: në rast se  konstatohet se Kuvendi ka emëruar anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës pa e respektuar Kushtetutën çka do të ndodh me gjitha ato akte vendimmarrëse të Këshillit Gjyqësor?

A do jemi para një situate kur vendimet e marra nga këta antarë do jenë të kontestueshëm për shkak të mënyrës së përzgjedhjes?

A do jemi në situatë kur gjykatësit e zgjedhur nga kjo përbarje e KGjK-së do mund të kontestohen?

A do kemi një situatë ku të gjitha vendimet e marra nga gjykatësit mund të kontestohen për shkak se ata nuk janë zgjedhur në mënyrën e duhur?

A do kemi një kaos juridik ku çdo vendim do jetë i kontestueshëm?

Megjithatë, kjo çështje kërkon një trajtim tjetër të veçantë…

(to be continued)