Kërkuan të Drejta, Pushohen Punëtorët e Autostradës

Kanë kërkuar të drejtat e tyre ashtu siç u shkruante në kontratë, por kanë mbetur krejt pa punë.

Rreth 50 punëtorë të kompanisë turke “Uluova”, e cila është nënkrontraktuese e kompanisë “Bechtel & Enka”, të martën u pushuan nga puna.
 
Punëtorë të kësaj firme, e cila punon në autostradën “Ibrahim Rugova”, kanë deklaruar për Gazetën Jeta në Kosovë, se papritur të martën iu është komunikuar ky vendim.

Njëri prej punëtorëve të pushuar sot, i cili kërkoi që mos t’i publikohet emri në gazetë, tha se vendimin e ka marrë mbikëqyrësi Serdar Çollak, pasi punëtorët kërkuan të drejtat e tyre që ua garanton kontrata e punës.

“Nuk na paguante orët shtesë. Nuk na jepte të dielat pushim, siç shkruan në kontratë. E kur sot i kërkuam të drejtat, na tha se krejt jeni të pushuar”, tha ai, për Gazetën JnK.

Në fakt, punëtorëve iu kanë skaduar qe sa kohë kontratat. “Tash nuk kemi më kontrata, sepse kanë skaduar para disa muajsh. Na mbanin pa kontrata”, thotë ky punëtor.

“Orari i punës është prej orës 7 deri në 18. E ne punonim deri në orën 23 e 24”, thotë ky punëtor.

Sipas kontratës, çmimi i orëve shtesë duhet të paguhet plus 50 % krahasuar me orën gjatë orarit zyrtar. Por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, sipas fjalëve të punëtorëve. “As pauzë të bukës nuk kemi, por ham si qentë duke punu. As të dielave nuk pushojmë”, thotë ai.

Gazeta JnK ka kontaktuar edhe mbikëqyrësin e firmës turke, Serdar Çollak, ndërkohë që pronari i kompanisë ndodhet në Turqi.

Por, Çollak nuk ishte i gatshëm të flasë. “Me mua nuk ka lidhje. S’mund të flas me ju për këtë”, tha Çollak, pa dashur të japë më shumë sqarime për situatën e krijuar në firmën që drejton.

Punëtorët, tashmë të pushuar nga puna, të martën kanë shkuar në Prizren për të biseduar me përfaqësuesit e kompanisë “Bechtel & Enka” e cila edhe ka fituar kontratën nga Qeveria e Kosovës për të ndërtuar autostradën.

Pas bisedave me njërin nga zyrtarët e kompanisë turke “Enka”, atyre iu është thënë se orët shtesë do t’iu paguhen, por përfundimisht nuk mund të punojnë më në kompaninë nënkontraktuese “Uluova”.

“Për të punuar në këtë projekt ju e keni vijë të kuqe”, citon ky punëtor fjalët e Adnan Çurker, përfaqësues i kompanisë “Enka”.

Gazeta ka provuar të kontaktojë zyrtarët e kompanisë “Bechtel & Enka”, por kjo ishte e pamundur gjatë ditës së martë.

 

Disa nga punëtorët e larguar të martën nga puna, emrat e të cilëve i ka siguruar Gazeta JNK janë: Sami Sadiku, Bekim Avdyli, Xhafer Hetemi, Flamur Mazreku, Safet Kroni, Haki Haliti, Ajet Zhyrani, Agim Guri, Bujar Duraku, Rexhep Sejdiu, Salem Halimi, Nuredin Muharremi, Shkëlqim Koci, Ajet Sejdiu, Ramadan Brejshiri, Kushtrim Ukaj, Ibrahim Kokollari, Mitat Mataj, Azem Tafolli, Ragip Bajraktari, Musa Zeqiri, Mendim Halimaj, Hysni Imeri, Blerim Tulla, Visar Hoxha, Fatos Kelmendi, Astrit Tulla, Arton Tulla, Arton Buza, Qerim Sheremeti, etj.

Pasi është informuar lidhur me rastin nga Gazeta JnK, është vënë në lëvizje edhe Trupa Ekzekutive e Inspektoratit që vepron në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Kryeinspektori Basri Ibrahimi tha se ata do të veprojnë menjëherë për të parë se çfarë ka ndodhur me këta 50 punëtorë.

“Ku ke pa me i qit prej pune pa paralajmërim 50 veta”, u shpreh i habitur, kryeinspektori Ibrahimi. “Menjëherë do të shohim se çfarë ka ndodhur”.

Ai thotë se janë dy mënyra për të vënë Inspektoratin në lëvizje në lidhje me shkeljen e mundshme të të drejtave të punëtorëve. “E para është nëse e dimë ne vetë që ka shkelje. Nëse e dimë, shkojmë vetë atje, pati ose jo ankesa”, thotë ai.

Kurse mënyra e dytë është kur dikush nga punëtorët ankohet. “Sa për këtë rast, brenda dy ose tre ditësh do të sqarojmë këtë çështje, do të shkojmë në vendin e ngjarjes”, tha kryeinspektori Ibrahimi.

Konsorciumi amerikan-turk “Bechtel-Enka” është shpallur fituese e tenderit për ndërtimin e autostradës Morinë – Merdar, në janar të vitit 2010.

Ajo ka angazhuar edhe një numër kompanish nënkontraktuese, të cilat punojnë për të.
Sipas përllogaritjeve të përafërta, vlerësohet se kostoja e rrugës do të jetë nga 700 deri në 800 milionë euro.

Autostrada Morinë-Prishtinë-Merdar ka një gjatësi prej 103 kilometrash dhe do të kalojë në tetë komuna dhe me asfalt do të mbulohen 1 062 hektarë tokë.

Kompania “Bechtel – Enka” njihet në Ballkan edhe për faktin se ka fituar tenderin e ndërtimit të autostradës Durrës-Kukës në Shqipëri.