Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Kërkimet Kosovare Shkencore Janë Histori

Ishte menduar që fondi i ndarë për kërkimet shkencore do të ndihmonte nevojat imediate të vendit për zhvillim. Por, shumica e mjeteve shkuan në konferenca dhe botime nga lëmitë e letërsisë, historisë dhe monografive të patriotëve. Nga fondi përfituan edhe zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të cilët ishin përgjegjës për caktimin e kritereve të ndarjes së tij. Edhe dy politikanëve të njohur, të cilët marrin paga nga buxheti i vendit, iu financuan botimet e tyre.

Fondi kosovar i shkencës ishte supozuar të shkojë në nxitjen e krijimit në projekte që përfaqësojnë nevojat më thelbësore të vendit si ekonomia dhe mirëqenia sociale. Përkundrazi, shumica e tij ka shkuar në konferenca ndërkombëtare dhe projekte të letërsisë e historisë.
 
Nga mjetet e ndara për shkencën, përfituan edhe dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Njërit iu botua një libër, tjetri mori pjesë në një konferencë në Bosnjë.

NDËRLIDHUR

Në mesin botimeve të financuara ishin edhe projektet e dy politikanëve të njohur, Arsim Bajrami e Bajram Kosumi.

Qeveria e Kosovës kishte ndarë 0,03 për qind të buxhetit të vitit 2011 – 400 mijë euro – të cilat kishin bërë të mundur financimin e gjithsej nëntë kërkimeve shkencore përkundër zotimeve për investime thelbësore në këtë fushë.

Këto mjete kishin mundësuar edhe 13 vizita shkencore të kërkuesve individualë kosovarë jashtë vendit. 

Me Programin Kombëtar të Shkencës, një dokument voluminoz miratuar në vitin 2010 nga Qeveria, kërkohej një mobilizim i madh intelektual por edhe financiar drejt përmirësimit të shanseve dhe rritjes së mirëqenies së vendit. Por praktika po dëshmon lëvizje të ngadalshme. 

Vet programi ishte përgatitur nga Këshilli Kombëtar i Shkencës, i cili sipas ligjit për veprimtarinë shkencore fuqizuar në shkurt 2005 do të duhej të themelohej tre muaj më pas por ishte ngritur vetëm në korrik 2007 nga Parlamenti – dy vjet e gjysmë më vonë. 

Për vitin 2011, programi parashihte 2.4 milionë euro investime në shkencë, por Qeveria nuk kishte kaq buxhet për të ofruar. 

Kështu, në vitin 2011, vetëm nëntë hulumtues kanë përfituar nga grantet speciale të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) që kanë kushtuar mbi 200 mijë euro. 

Ato kanë përfshirë tema nga si teknologjia informative, shëndetësia, energjia, veterinaria, turizmi dhe zhvillimi ekonomik.

Për shembull, Agni Dika, doktor i elektronikës në lëmin e shkencave kompjuterike dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, ka përfituar 24,875 euro për projektin e tij dyvjeçar në krijimin e software’it për leximin e teksteve në gjuhën shqipe.

Hysen Bytyqit i janë ndarë 22,000 për studimin në lidhje me gjedhin autokton Basha, që gjendet në zhdukje, në Kosovë.

Sejdi Rexhepi është përfitues i grantit special për shkencë me shumë prej 30,500 euro për projektin “Zhvillimi i ekonomisë lokale dhe ndikimi saj në mirëqenien sociale”, projekt njëvjeçar.

Një projekt tjetër ka të bëjë me veterinari me titull “Prevalenca e salmonelave në fermat e pulave të infektuara me Dermanyssus Galline në Kosovë”, projekt njëvjeçar me shumë prej 20,000, studimin do ta bëjë Afrim Hamidi.

Por projekti më i kushtueshëm ka qenë tema “Eposi Kreshnikëve – monument i trashëgimisë kulturore shqiptare në Ballkan, Kosovë-Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni dhe Serbi”, nga Zymer Neziri, që ka përfituar 58.950 euro, projekt me kohëzgjatje dyvjeçare.

Drejtori i departamentit të shkencës dhe teknologjisë në MASHT, Murteza Osdautaj, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se qeveria është e interesuar në efektet e menjëhershme të kërkimeve se sa në ato me kohëzgjatje.

“Programi Kombëtar është i mirë por nuk mund të realizohet duke e ditur buxhetin e vendit”, tha Osdautaj. 

Por disa profesorë universitarë, që kanë grada shkencore, nuk pajtohen me ngjarjet shkencore në vend.

Isa Elezaj, doktor shkence dhe ligjërues në UP i cili merr pjesë nëpër konferenca jashtë vendit dhe kryesisht në SHBA, thotë se pak paratë që jepen për shkencën mund të menaxhohen më mirë.

Ai sugjeron ndërrim prioritetesh. “Kosova ka nevojë për kërkime në bujqësi dhe siguri të ushqimit, në shkenca biologjike dhe mjekësi”.

Elezaj sugjeron investime në doktoratura shkencore si dhe normalisht më shumë buxhet. 

Sidoqoftë, ai kritikon edhe vet qasjen e kërkuesve. “Më vjen keq të them, por ka raste ku shumë profesorë marrin projekte duke menduar se do të pasurohemi,” u shpreh ai. 

Rasim Bejtullahu, teoricien i matematiko-fizikës në katedrën e Fizikës pranë Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, thotë se është anakronike thirrja e shtetit për “kthimin e trurit” duke i pasur parasysh të gjitha të metat e infrastrukturës shkencore në vend. 

“Nga ajo çfarë kam parë unë, mund të them se i ngjan ndërtimit të piramidës mbrapsht” , tha ai, duke reflektuar në programin qeveritar të kërkimeve shkencore.

Pesëmbëdhjetë vizita shkencore

Me 0.03 të buxhetit të vendit, i cili për vitin 2011 ishte 1 miliardë e 256 milion euro, që ishte ndarë për shkencën po ashtu janë financuar edhe pesëmbëdhjetë vizita të kërkuesve individualë në konferenca jashtë vendit.

Hulumtuesit në këto mobilitete kryesisht janë fokusuar në tema historike dhe religjioze  dhe shumica e tyre kanë marrë pjesë në konferenca të mbajtura në Shqipëri.

Rexhep Doqi, ka marrë pjesë në një konferencë të mbajtur në Tiranë me titull “Qytetërimi Pellazg”. Doqi ka marrë pjesë për dy ditë në konferencë, në tetor të vitit 2011, dhe kostoja e qëndrimit ishte 330 euro.

Nuridin Ahmeti ka hulumtuar për “klerin katolik dhe bektashian në lëvizjen kombëtare shqiptare 1908-1912” në Maqedoni gjatë muajit dhjetor 2011. Kostoja ka qenë 1050 euro.

Frashër Demaj, ka shkuar nga 2 deri më 25 dhjetor të vitit të kaluar në Londër për të hulumtuar rreth temës “Qëndrimi i diplomacisë britanike ndaj shqiptarëve 1878-1914”. Kostoja e hulumtimit ishte 1,500 euro.

Afrim Gjeleja, gjatë nëntorit 2011 ka shkuar në Austri për hulumtimin e tij në lidhje me teknologji informative – me kosto prej 1,500 euro.

Shumica e këtyre hulumtimeve bënin pjesë në kriterin e pestë të kërkimeve, siç ishte paraparë në program, në “studimet gjuhësore, kulturore dhe historike”.

Po ashtu, nga i njëjti fond MASHT ka ndarë 50,000 euro për publikime të librave (kërkimeve) të ndryshëm. Njëra prej tyre është një biografi kushtuar veprimtarit Ismail Dumoshi shkruar nga Izber Hoti. 

Edhe vet zyrtarët e Ministrisë – Murteza Osdautaj, drejtor i departamentit të shkencës dhe teknologjisë dhe Malush Mjaku, kryesues i divizionit për teknologji – janë një ndër përfituesit e këtyre fondeve të pakta për shkencë.

Osdautajt i botohet libri “Poetika e veprës letrare” në 500 kopje. Ai thotë se ka konkurruar si gjithë të tjerët në konkursin publik të shpallur nga MASHT.

“Punimi im iu ka nënshtruar shqyrtimit profesional nga dy recensentë të jashtëm si dhe iu ka nënshtruar, si të gjitha konkurrimet tjera, vlerësimit nga komisioni i jashtëm ‘ad hoc’ i krijuar nga Këshilli Shkencor i MASHT dhe nga ministri,” tha Osdautaj.

Ndërsa, Mjaku ka marrë 1,500 euro për projektin e tij me udhëtim në Bosnje dhe Hercegovinë. Ai thotë se nuk ka shkelur kriteriet e caktuara nga departamenti ku bën pjesë edhe vet ai.

“Unë kam aplikuar dhe komisioni ka vendosur që projekti im të financohet. Kam aplikuar disa herë por kësaj here më është pranuar”, Mjaku i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Ministria ka paguar edhe 56,000 euro për të krijuar bibliotekën online të quajtur ISI Web of Knowledge, një platformë kërkuese për të gjetur, analizuar dhe ndarë informatat për shkencë. 

Edhe një tjetër bibliotekë EBSCO është paguar me 9,015 euro. Edhe kjo bibliotekë interneti mundëson informacione më të reja për organizatat hulumtuese.

Më Shumë Fonde në Horizont 

Në dhjetorin e kaluar, Agjensioni për Zhvillim i Austrisë (ADA) ka ofruar një donacion për cilësinë e arsimit të lartë, promovimit të kërkimit shkencor dhe ngritjes së kapaciteteve institucionale në menaxhim dhe qeverisje.

Kostoja e programit llogaritet 1,924,500.00 euro, ku MASHT kontribuon me 175,000 euro (e cila shumë paguhet më 2012 me 100,000 euro dhe më 2013 me 75,000 euro), dhe ADA me 1,749,500.00 euro.

Po ashtu, më 19 dhjetor 2011, MASHT kishte organizuar një konferencë për Programin e Shtatë Kornizë (FP7), të Komisionit Europian për Kërkim Shkencor dhe Zhvillim të Teknologjisë. 

Konferenca synonte informimin e komunitetit të kërkimit shkencor në Kosovë dhe opsioneve për ta. 

Ministri i Arsimit, Ramë Buja, gjatë konferencës, kishte ftuar komunitetin shkencor që programet e tyre të jenë “konkurruese në nivel europian”. 

Më shumë shkencë në biznes

Edhe Universiteti i Prishtinës ka hartuar një strategji për kërkimet shkencore 2011 – 2015, duke deduktuar nga projekti në nivel kombëtar. 

Katër prioritetet kryesore mbesin 1) burimet natyrore, energjia dhe mjedisi 2) prodhimi bujqësor dhe siguria e ushqimit 3) kërkimet shkencore në mjekësi dhe 4) studimet shoqërore dhe ekonomike.

Hysen Bytyqi, menaxher në njësinë për përkrahje të hulumtimeve shkencore, thotë se shumica e aktiviteteve kanë për bazë iniciativën individuale dhe ndonjë bashkëpunim nga institucionet ndërkombëtare. 

Ekspertët thonë se ka ardhur koha që biznesi dhe shkenca të ndërlidhen më shumë edhe në Kosovë. 

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, thotë se duhet të forcohet dialogimi, niveli i komunikimit dhe mbi të gjitha partneriteti publiko-privat.

“Nuk ka ardhmëri për një shtet me vizone ad hoc”, tha Gërxhaliu.

Në shumë vende tjera biznesi mbështet kërkimin shkencor ndërkohë që edhe vet suksesi i kompanive varet shpesh nga departamentet e brendshme të kërkimit. 

ETIKETA

13 Shkurt 2012 - 00:20

Petrit Çollaku 13/02/2012 - 00:20
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0

Kërkimet Kosovare Shkencore Janë Histori

by Gazeta JNK
NA NDIQNI