Foto-ilustrim

Kërkesa e Kuçit Pasohet me Hetim për Sinqeritet Nga AKI

Ministri i drejtësisë Hajredin Kuçi i kishte shkruar shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, më 19 korrik të vitit të kaluar, për një shqetësim të tij dhe qeverisë duke i kërkuar Bashkim Smakajt vëmendjen dhe ndihmën e tij “të çmuar” .

Në letër, thotë Kuçi, prej ardhjes ministër kishte bërë përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar gjendjen në Shërbimin Korrektues, e veçanërisht në Qendrën Korrektuese të Dubravës që, nënvizonte ai, “vazhdon të prodhojë lajme destabilizuese”.

Ministri shpreh shqetësime për nivelin e ulët të sigurisë në këtë qendër, lëvizjet e pakontrolluara të të burgosurve brenda dhe jashtë burgut, dërgimin e të burgosurve kinse për shërim në spitale edhe pse nuk kanë nevojë për trajtim, dhënien e beneficioneve të qëndrimit në shtëpi në fundjavë për të burgosurit e caktuar edhe pse kjo mund të mos u takojë, keqpërdorime me droga, armë etj.

Në bazë të Ligjit për Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, funksioni i AKI-së është mbledhja e informacionit në lidhje me kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës. Pra, AKI bën mbledhjen, ndarjen dhe mbrojtjen e informacionit, pa funksione ekzekutive.


Hajredin Kuçi | Foto: Ministria e Drejtësisë

Por, sipas letrës së drejtuar drejtorit të AKI-së, Bashkim Smakaj, ministri Kuçi kishte kërkuar  nga kryespiuni dhe institucioni i tij të hetojnë dhe marrin informata “sa më të thella” të keqpërdorimeve në Qendrën Korrektuese të Dubravës pasi që ministri shprehej i pakënaqur me rezultatet konkrete të hetimit të keqpërdorimeve pas kërkesës drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, EULEX-it dhe në fund Kryeprokurorisë.

“Unë jam i bindur se agjencia juaj, duke u mbështetur në profesionalizmin e saj dhe të agjentëve të saj, do të arrijë të zbulojë dhe regjistrojë të gjitha këto parregullsi…”, shkruante Kuçi.

Në të njëjtën letër, Zëvendëskryeministri shpreh konsideratën e tij më të lartë për punën e Smakajt dhe agjencisë duke shpresuar se “ky bashkëpunim yni do të jetë i frytshëm dhe do të japë rezultate të mirëfillta për qytetarët dhe sigurinë e tyre”.

Gazeta Jeta në Kosovë i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë ndër të tjera duke kërkuar sqarim për bazën ligjore të kësaj kërkese – nëse AKI ka funksionin e hetimit të keqpërdorimeve në burgun e Dubravës, ashtu si kishte kërkuar ministri në letrën e tij.

Gazeta nuk mori përgjigje prej Ministrisë së Drejtësisë.

Zyra e kryeprokurorit të shtetit konfirmon që ministri Kuçi kishte kërkuar hetimin e keqpërdorimeve në Burgun e Dubravës edhe prej saj. Zyra thotë se aktualisht në Gjykatën Themelore të Pejës është duke u trajtuar një rast nga hetimet e kësaj natyre. Por ajo tha se nuk mund të komentojë më shumë për rastin.

Siguria e brishtë në burgun e Dubravës kishte bërë të famshëm të dënuarit për krime të rënda si Bujar Bashën, Lirim Jakupin e Faton Hajrizin të cilët kishin arritur të arratiseshin. Hajrizi më vonë kishte arritur të arratisej edhe nga Qendra e Paraburgimit në Prizren.

Po ashtu, në burgun e Dubravës ishin konstatuar shkelje ligjore, lëshime në menaxhim e tejkalim të kompetencave nga një raport i Komisarit të Shërbimit Korrektues të Kosovës. Ministria e Drejtësisë kishte shkarkuar nga pozita e drejtorit Haki Maxharrajn, ndërsa dy zëvendësdrejtorë dhe një udhëheqës i sigurimit janë transferuar në qendrën e paraburgimit në Pejë. Ministria e Drejtësisë kishte emëruar një ekip të përkohshëm profesional që do të menaxhojë burgun.

AKI del në terren. Gjen mos-sinqeritet

AKI kishte filluar verifikimin e të gjithë zyrtarëve në Qendrën Korrektuese të Dubravës. Verifikimi ishte bërë në pjesën e dytë të 2012-tës dhe në fillim të këtij viti me arsyetimin e dhënies së lejes së sigurisë këtyre zyrtarëve për nivelin sekret.

Në pyetësorin e sigurisë së AKI-së, ndër të tjera, kërkoheshin të dhënat personale, familjare, për të kaluarën, për aktivitet politike dhe të tjera etj.

“Për 36 vjet nuk më ka quajtur askush i pasinqertë, ndërsa për një orë e tridhjetë minuta dy zyrtarët e AKI-së (të cilët e kanë intervistuar) më vlerësuan të tillë”, thotë Jeton Mehmetaj.

Këtij zyrtari të Qendrës Korrektuese të Pejës, AKI i kishte kthyer negative për pajisjen me lejen e sigurisë të nivelit sekret. Shumë shpejt më pas ai ishte degraduar nga pozita zëvendësdrejtor në Qendrën e Paraburgimit në Pejë, në zyrtar për punë sociale në Qendrën Korrektuese në Dubravë. 

Kur Mehmetaj ishte ankuar, AKI-i i kishte shkruar se nuk kishte deklaruar një biznes, se kishte dyshuar se ka flasifikuar një kontratë qiramarrje, se kishte dhënë përgjigje të pasigurta për prejardhjen e një shume prej 4 mijë eurosh dhe e kishte fshehur që e kishte vëllain të dënuar me tri vjet burgim. Mehmetaj thotë se biznesi nuk ishte bërë aktiv asnjëherë, se më vonë kishte çuar në AKI deklaratë me shkrim të qiramarrësit që tregonte se kishte harruar për kontratën pasi më objekti nuk ishte shfrytëzuar dhe se 4 mijë eurot i kishte marrë kredi dhe i kishte kthyer pasi këtë shumë ia kishin dhënë vëllezërit jashtë shtetit.

Përgjigje negative ndër të tjerë kishte marrë edhe Fahredin Mahmutaj, i cili nga udhëheqës pavijoni në Burgun e Dubravës është degraduar në mbikëqyrës-sigurimi i jashtëm në Burgun e Dubravës.

Zyrtarët thanë se gjatë gjithë procedurës së intervistimit, ishin provokuar nga zyrtarët e AKI-së.

“Mua më tha njëri ‘ty po të del pasuria më e madhe se e Hashim Thaçit’”, tha Mahmutaj. “Por s’ka katun që edhe para luftës nuk kam shitë boston, bile edhe në Burojë. Edhe tash kam shumë tokë e bagëti”.

Fahredin Mahmutajn e kishin pyetur në lidhje me një transakcion bankar të vitit 2009 ku kishte pranuar rreth 100 mijë euro për të cilat ai kishte prezantuar dokumente se i merrte nga vëllezërit në Gjermani. Po ashtu, ai ishte pyetur në lidhje suspendimin e tij për ikjen e të burgosurit Bedri Krasniqi, në nëntor 2008, përgjegjës për vrasjen e policëve Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj. Mahmutaj konteston rrethanat e suspendimit.


Dritan Bajramaj (majtas), Fahredin Mahmutaj dhe Jeton Mehmetaj

Dritan Bajramaj kishte udhëhequr për dy vjet sigurimin e Qendrës Korrektuese në Dubravë. Pas procesit të verifikimit nga AKI, më 27 dhjetor 2012 edhe ai ishte degraduar në mbikëqyrës dhe gjithashtu ishte transferuar në detyrë në Qendrën Korrektuese në Pejë.

Bajramin hetuesit e kishin pyetur se përse figuronte si transferues i shumës prej 9,000 eurosh në llogarinë e Fahredin Mahmutajt më 2009. Ky thotë se paratë i ishin dhënë nga Mahmutaj që i merrte nga vëllezërit, ashtu që të mund t’i vendoste në bankë. Përkundrazi, thotë ai, përgjatë viteve ai ka marrë vetëm lëvdata, mirënjohje e trajnime për punën në burg.

“Driton Bajrami deklaron: ‘Me ditë që nuk jam më i pastër se Bashkim Smakaj, nuk rrnoj asnjë ditë”, shprehet Bajrami. “Por, aty në Dubravë, thjesht i donë njerëzit e PDK-së”.

Të tre zyrtarëve u erdhi vendimi me shënimin e njëjtë: “…tregon mungesë gjykimi, mos-sinqeritet, në mënyrë që ngritë dyshime rreth përgjegjshmërisë, besueshmërisë dhe aftësisë për t’i mbrojtur informacionet e klasifikuara, me këtë rast konstatojmë se personi paraqet rrezik të papranueshëm për sigurinë e Republikës së Kosovës”.

Vendimi i agjencisë për të refuzuar lejet e sigurisë për këta zyrtarë është bazuar në nenin 26 paragrafi 1 pikat 1, 2 dhe 3 të ligjit për klasifikimin e informacionit dhe verifikimit të sigurisë.

Të tre zyrtarët e qendrës korrektuese, sipas formularëve të tyre, nuk kishin asnjë dosje në polici, prokurori ose gjykatë.

Dritan Bajramaj i është drejtuar instancave gjyqësore duke paditur AKI-në në Gjykatën Themelore të Prishtinës më 26 shkurt 2013.

Në bazë të ligjit për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë, nivelet e kategorizimit të dokumenteve klasifikohen si: Tepër Sekrete, Sekrete, Konfidenciale dhe të Kufizuara.

Po i njëjti ligj, në qëllimin e tij në nenin 1, parasheh se si fillimisht bëhet klasifikimi i informacionit në aspektin e sigurisë, e më pas bëhet verifikimi i personave që kanë qasje në këto informacione.

Sipas ligjit, kërkesat për të kryer procedura verifikimi i paraqiten udhëheqësit të Departamentit të Verifikimit të Sigurisë me shkrim nga drejtuesi përkatës i institucionit publik, duke specifikuar nivelin e klasifikimit për të cilin kërkohet verifikimi i sigurisë.

Verifikimi i zyrtarëve në Dubravë ishte kryer pa u bërë klasifikimi i informacioneve dhe dokumenteve nga institucionet përkatëse, thonë Mehmetaj, Mahmutaj dhe Bajramaj. Aty, 25 zyrtarë i ishin nënshtruar verifikimit per leje sekrete, të tjerët për qasje në informacion konfidencial.

Zyrtarët e degraduar thonë se ata vazhdojnë të kenë qasjen e njëjtë në informacion përkundër klasifikimit.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar komisarin e burgjeve, Resmi Hoxha, dhe ka provuar të marrë përgjigje nëse bërë ndonjëherë klasifikim i informacioneve dhe dokumenteve, mirëpo ai nuk ka dhënë përgjigje konkrete. Gazeta nuk ka marrë përgjigje gjithashtu as për degradimet që janë bërë me vendimet e komisarit pas verifikimit nga AKI.

Pyetjeve të shumta të gazetës, Komisari i Shërbimit Korrektues të Kosovës i është përgjigjur në këtë mënyrë: “Të gjitha kërkesave të AKI-së iu kemi përgjigjur në mënyrë pozitive, për informacione të tjera drejtohuni në Agjenci, ngase të dhënat tjera janë konfidenciale”.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar gjithashtu Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, mirëpo njëjtë sikurse Departamenti i Shërbimit Korrektues, Agjencia nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës.

Mbikëqyrësit e AKI lypin leje të sigurisë

Derisa AKI po kryen verifikimin e zyrtarëve në institucionet publike si qendrat korrektuese, në anën tjetër, anëtarët e komisionit parlamentar, të cilit i raporton AKI, nuk janë ende të pajisur më lejet e sigurisë. Kjo leje do t’i mundësonte atyre, në bazë të ligjit, qasje në informacion sekret.

Fadil Demaku nënkryetar, Imri Ahmeti dhe Burim Ramadani anëtarë, deklaruan për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk posedojnë një leje të tillë.


Komisioni për mbikëqyrjen e AKI-së | Foto: Kuvendi i Kosovës

Në seancën parlamentare të mbajtur më 14 mars deputeti Imri Ahmeti, anëtar i këtij komisioni, kërkoi nga kryeparlamentari Krasniqi të japë sqarime se po e zvarrit kërkesën e deputetëve për t’u pajisur me leje të sigurisë nga AKI.

Ahmeti deklaroi se anëtarët e këtij komisioni kanë drejtuar kërkesë në AKI përmes kryetarit të parlamentit për të parë mundësinë që të kenë certifikatat e sigurisë në mënyrë që të bëhet mbikëqyrja e ligjshmërisë së këtij agjencioni.

Por, çështja e verifikimit nga AKI, është vënë në pikëpyetje nga kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi.

“Mua më është dukur tepër nënçmuese që nga një institucion i pa-konsoliduar dhe pa kompetencë të mjaftueshme si AKI të bëhet verifikimi i deputetëve, veçanërisht të anëtarëve të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së”, thoshte Krasniqi, po në seancën e 14 marsit.

Po ashtu, sipas tij, nuk mund të verifikohen nga AKI njerëzit që janë votuar nga qytetarët për të qenë pjesë e parlamentit.

Ndërkohë Florin Krasniqi kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen nuk përkrahu anëtarin e këtij komisioni Imri Ahmeti .

Krasniqi në seancë parlamentare pat thënë se shefi i AKI-së deri më tash ishte përgjigjur në të gjitha kërkesat e Komisionit… për informacion.

Kjo do të thotë se deputetët, edhe pa leje, kanë pasur qasje në informata të ndjeshme.

Anëtarët e komisionit kanë mendime të ndryshme nëse do të duhej t’i nënshtrohen verifikimit nga AKI. Derisa nënkryetari Fadi Demaku mendon se verifikimi i anëtarëve të komisionit duhet të ndodhë mirëpo jo nga AKI, deputetët opozitarë Burim Ramadani dhe Florin Krasniqi mendojnë se këtë proces duhet ta bëjë agjencia e inteligjencës. 

AKI nuk ka treguar se në cilat institucione tjera është duke kryer procesin e verifikimit.

Shqetësimet në lidhje me AKI-në

Përveç letrës së ministrit Kuçi drejtuar shefit të agjencisë me kërkesë hetimi, Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar në muajin shkurt se AKI-ja ka marrë mandat të zgjeruar për të ndihmuar në parandalimin e krimit. Në mesin e detyrave të reja për të është edhe identifikimi i kriminelëve të rinj para se ata të kryejnë një krim.

Kështu kishte vendosur Qeveria e Kosovës më 30 janar 2013 kur ka aprovuar Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Krimit 2013-2017 me të cilën është “prezantuar” gjendja aktuale e krimit në Kosovë dhe mënyrat e parandalimit të saj.

Kompetencë shtesë AKI-së ka planifikuar t’i japë Qeveria e Kosovës edhe më 3 dhjetor të vitit të kaluar kur miratoi Projektligjin për Përgjime Telefonike i cili parashihte krijimin e një qendre elektronike brenda AKI-së nga e cila do të kryheshin përgjimet.

Projektligji ende nuk është diskutuar nga paralamentarët.

Më 15 janar të këtij viti Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri ka marrë vendim për formimin e një grupi punues që do të shqyrtojë Projektligjin për Përgjime.

Komisioni…. konstatoi se  “nevojitet një analizë objektive profesionale, për shkak të ndjeshmërisë që ka ky projektligj”.


Selia e AKI-së

Ndërkohë, javën e kaluar gazeta “Zëri” raportoi se ish-zëvendësdrejtori i agjencisë Latif Merovci i kishte shkruar komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-t se dha dorëheqje më herët këtë muaj për shkak të shefit Bashkim Smakaj dhe parregullësive në rekrutim dhe prokurim në agjenci. Sipas gazetës, Merovci në letrën e tij tregon se për parregullësitë e kishte informuar në vazhdimësi ish-presidentin Fatmir Sejdiun e tash së fundi në baza të rregullta edhe presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi.

Në një grabitje më 21 shkurt të këtij në bankën NLB në Prishtinë tre person vodhën 13,000 euro. Kur  policia i zuri tre të dyshimtët, njëri prej të arrestuarve doli të jetë punëtor i AKI-së.

Në qershor 2012, Gazeta Jeta në Kosovë pati zbuluar se selia e agjencisë së saj të inteligjencës po ndërtohej nga një firmë që ka lidhje të forta me PDK-në pasi njëri prej krerëve të kësaj kompanie Hazir Hajdari në vitin 2007 ka qenë kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e kësaj partie dhe aktualisht është këshilltar i saj komunal në Suharekë.

Po ashtu, ajo i kishte nënkontraktuar një pjesë të punës një firme që po punonte me vëllain e Kryeministrit Hashim Thaçi, kompania nga Drenasi “Vëllezërit Asllani”. Punishtja klasifikohet si sekrete dhe është njëra nga ndërtesat më të ndjeshme në vend. Për këtë arsye Qeveria e Kosovës nuk pati aplikuar procedurë të hapur tenderimi për ndërtimin e qendrës intelegjente.