Këpucët e “Solidit” Dalin në Evropë

Kjo kompani, e cila ka 150 punëtorë dhe kapacitet të prodhimit 2000 palë këpucë në ditë, me këtë rast është vizituar nga drejtuesit e Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB).
 
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, inkurajoi bizneset dhe prodhuesit e Kosovës, të cilët eksportojnë mallrat e tyre në tregun rajonal si dhe atij evropian, duke i ndihmuar zhvillimit të ekonomisë dhe punësimit.

“Ekonomia e Kosovës po ecën, megjithatë duhet edhe me shumë të kemi oferta më të mira, sa iu përket politikave tregtare dhe fiskale për prodhuesit vendas, në mënyrë që forcat konkurruese të prodhuesve kosovarë të barazohen me ato forca të cilat janë konkurrente në tregun tonë”, citohet të ketë thënë Shahini, në një njoftim shtypi të AKB-së.
 
Drejtori i përgjithshëm i “Solidit”, Shefqet Kuçi, tha se Qeveria e Kosovës duhet të mendojë seriozisht për të bërë ndryshime në politikat fiskale dhe doganore.

Kuçi bëri të ditur se kjo kompani tashmë e ka vazhduar kontratën për furnizim me këpucë për Policinë e Kosovës. Po ashtu, ka nënshkruar kontratë trevjeçare me Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa pret të marrë pjesë edhe në tenderë të FSK-së dhe të Doganave të Kosovës.