Katër Aksidente të Rënda Gjatë së Martës

Policia e Kosovës ka njoftuar për katër aksidente të rënda, të cilat kanë ndodhur gjatë ditës së martë. Njëri aksident ka përfunduar me fatalitet, ndërsa në tre të tjerët kanë mbetur të lënduar tetë persona.

Në aksidentin i cili ka ndodhur në fshatin Gjyrkovc të Shtimes, rreth 16:15, një person ka gjetur vdekjen.

“I dyshuari mashkull kosovar shqiptar, me veturën e tij civile, me targa lokale, duke mos respektuar kushtet e rrugës dhe shpejtësinë e lëvizjes, godet këmbësorin mashkull kosovar shqiptar, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse. Mjeku kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar vdekjen e viktimës”, njofton Policia e Kosovës.

“Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërsa i dyshuari është arrestuar. Atij i është caktuar masa e ndalimit policor”, bën të ditur Zyra për informim dhe marrëdhënie me publikun e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë.

Ndërsa, në fshatin Gadime e Epërme e Lipjanit, rreth orës 16:30, një veturë civile me targa lokale ka goditur një këmbësor të moshës së mitur.

Sipas policisë, deri te aksidenti ka ardhur pasi që ngasësi i veturës nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës. Fëmija me lëndime të rënda trupore është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)  dhe gjendja e tij shëndetësore është e rëndë. Aktualisht, ai është pa vetëdije.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit policor.

Brenda gjysmë ore, të martën pasdite, ka ndodhur edhe aksidenti i tretë, në Çikatovë e Vjetër të Gllogocit.  Vozitësi, nga pakujdesia, ka humbur kontrollin mbi veturën e tij, me ç’rast del nga rruga dhe rrokulliset.

“Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore marrin ngasësi dhe dy pasagjere femra kosovare shqiptare, të cilat janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK në Prishtinë”.
 
Ndërsa në Dobërllukë të Mitrovicës, në një ndeshje mes dy veturave, lëndime kanë pësuar tre meshkuj dhe një femër. Ata janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.