Mijëra njerëz protestuan kundër konfiskimit të kutive të votimit dhe akuzave ndaj civilëve të paarmatosur gjatë referendumit të të dielës për ndarjen e Katalunjës nga Spanja. Foto: Santi Palacios/AP

Katalonia Nuk do të Marrë Ndihmë nga Ballkani

BE-ja është vënë përpara përgjegjësisë për heshtjen e vet për dhunën në Kataloni. Çfarë është po aq befasuese, mund të thonë disa, është heshtja edhe më e thellë nga vendet e Ballkanit.

Në fund të fundit, shumë prej këtyre shteteve janë shfaqur vetëm së fundmi në hartën e Europës falë rebelimeve kundër sundimit të entiteteve më të mëdha – duke përdorur pak a shumë të njëjtën gjuhë dhe argumente si katalanasit tani.

Por nëse krahasimi mes Katalonisë sot dhe Kroacisë, Malit të Zi dhe Kosovës në vitet 1990 dhe 2000 duket shumë i qartë për të jashtmit, nuk duket i kthjellët për qeveritë e cilitdo prej këtyre vendeve.

Dikush mund të mendojë se Kosova, në veçanti, do të ndjente një shpirt afrimiteti për Kataloninë – një [ish] “provincë e shtypur” që mbështet një tjetër – por nuk ndodhi aspak kështu.

Siç raportoi BIRN këtë javë, e vetmja deklaratë që doli nga një zyrtar i lartë qeverie ishte se praktika e Kosovës nuk është “të komentojë në çështjet e brendshme të vendeve të tjera”.

Kjo nuk tingëllon tamam si mbështetje për të drejtën e vetëvendosjes së Katalonisë.

Por ndoshta nuk duhet të habitemi kaq shumë. Një karakteristikë domethënëse e lëvizjeve moderne të pavarësisë është se sa të painteresuar janë për kauzat e njëri-tjetrit.

Kështu ndodhi edhe në fund të shekullit 19 në Britani, kur pionierë të nacionalizmit skocez dhe të Uellsit nxituan te Irlanda – vetëm për t’u zhgënjyer keqazi në shpresën e tyre se nacionalistët irlandezë do të interesoheshin për kauzën e tyre dhe të formonin një lloj fronti të përbashkët.

Por irlandezët, rezultoi se ishin të interesuar në pavarësinë e tyre nga Britania, jo të Skocisë apo Uellsit. Me të marrë shtetin e tyre në 1920, ata nuk bënë përpjekje për të vepruar si kampionë të lëvizjeve të tjera për pavarësi, as në Europë dhe askund.

Së fundmi, nacionalistët skocezë treguan se mund të ishin po aq egoistë. Në vitin 1999, në konfliktin brenda dhe për Kosovën, dikush mund të supozonte se partitë kryesore sindikaliste në Mbretërinë e Bashkuar do të mbështesnin Serbinë ndaj provincës rebele – ndërsa nacionalistët skocezë do të merrnin anën e kosovarëve që kërkonin pavarësi.

Në realitet, ishte e kundërta. Partitë kryesore britanike, Laburistët dhe Konservatorët, mbështetën kosovarët, ndërsa nacionalistët skocezë, nën Aleks Salmond të fiksuar me mosmarrëveshjen e tyre me Londrën, u bënë kundër ndërhyrjes, duke akuzuar NATO-n dhe Britaninë për paligjshmëri.

Brenda ish-Jugosllavisë vetë, lëvizje të ndryshme pavarësie nuk dukej se interesoheshin ndonjëherë për njëri-tjetrin.

Sllovenia dhe Kroacia deklaruan pavarësinë së bashku. Por në çastin që Ushtria Jugosllave ra dakord të tërhiqej nga Sllovenia, sllovenët u bënë virtualisht indiferentë për fatin e kroatëve.

Kroatët, nga ana e tyre, e panë kryesisht pavarësinë në Bosnjen fqinje si një shans për të marrë ca nga territori i saj dhe për të formuar një minishtet të ri që mund t’i bashkohej atyre, eventualisht.

Kroatët ishin të interesuar në lëvizje të tjera pavarësie në rajon, por vetëm prej qëllimeve të veta. Në një pikë, kur lufta brenda Kroacisë po shkonte veçanërisht keq, presidenti kroat Franjo Tuxhman, ofroi të armatoste dhe trajnonte kosovarët nëse do të fillonin një front jugor dhe të largonin serbët nga vendi i tij.

Më kujtohet sugjerimi te lideri i Kosovës, Ibrahim Rugova në një intervistë dhe sytë e tij u shqyen. Nuk më kujtohen fjalët e sakta por më kujtohet thelbi – që ishte se kosovarët nuk ishin të çmendur mjaftueshëm për të sakrifikuar veten për të shpëtuar Kroacinë.

Në realitet, arritja e pavarësisë është si një garë. Vrapon vetëm dhe e kalon vijën e finishit vetëm, jo si pjesë e një përpjekje skuadre. Dhe me të kaluar vijën, nuk sheh më se kush nuk ia ka dalë. Për këtë arsye irlandezët nuk u interesuan kurrë për skocezët, sllovenët për kroatët e kështu me radhë.

Liderët aktualë të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, me gjasa ndjejnë një fije simpatie për luftën e katalanasve. Por interesi i tyre kryesor tani ndodhet në progresin e pretendimit të Kosovës për t’u trajtuar si një vend i rritur anëtar në klubin e vendeve ndërkombëtare. Në kostume zyrtare tashmë ata po përpiqen të lënë pas ditët e këmishëve të gjelbra ushtarake.

Siç tregon heshtja e BE-së – dhe Ballkanit – katalanasit janë të vetëm.

 

Marcus Tanner është redaktor për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN, dhe gazetar i jashtëm për gazetën Britanike, Indipendent. Përpara se ti bashkohej BIRN në 2006, ai ka punuar si korrespondent për Ballkanin për Indipendent nga viti 1989 deri në vitin 1994, dhe zëvëndes redaktor i faqes së botës deri në vitin 2001. Tanner është autor i disa librave si, ‘Croatia, A Nation Forged in War,’ ‘Ireland’s Holy Wars,’ ‘Last of the Celts,’ ‘The Raven King: Matthias Corvinus and the Fate of His Lost Library,’ si dhe ‘Albania’s Mountain Queen: Edith Durham and the Balkans.’

 

Mendimet e shprehura në rubrikën e opinioneve u përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me pikëpamjet e BIRN.