Mbështetës të kandidatit presidencial Vuk Jeremiq në Nish. Foto: Beta.

Kandidatët për President në Serbi Shmangin Çështjet ‘e Dhimbshme’ të Luftës

Dy nga kandidatë kryesor në fushatën zgjedhore për zgjedhje presidenciale të Serbisë kanë luajtur role politike polemike gjatë viteve të luftës dhe njëri prej tyre është madje ende në gjyq për përfshirjen e tij në konfliktet e viteve 1990 – por të katër kandidatët kryesorë deri më tani e kanë shmangur trajtimin e trashëgimisë së të kaluarës gjatë fushatës së tyre.

Kjo është ose sepse kandidatët nuk i konsiderojnë si të rëndësishme “çështje të tilla të dhimbshme” të drejtësisë së pas luftës ose e shohin të vërtetën si një mundësi për të humbur vota, tha drejtoresha e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut, Anita Mitiq.

“Do të doja të dija se çfarë kostoje do të kishte të thuash i lirë atë që mendon për Srebrenicën dhe përgjegjësinë e Serbisë për të. Shpresoj të kemi një president apo të paktën një kandidat për president që është i gatshëm ta paguajë këtë çmim,” tha Mitiq për BIRN.

Kandidati me mundësinë më të mirë për të fituar presidencën, sipas sondazheve të fundit të opinionit publik, është kryeministri Aleksandër Vuçiq.

Aleksandar Vuçiq hap një stadium në Novi Pazar. Foto: Beta.

Vuçiq, i cili ka fituar më shumë se 50 për qind të sondazheve dhe do të mund të fitojë më 2 prill pa një balotazh të raundit të dytë, është lideri i Partisë së djathtë Progresive Serbe, e cila u themelua në vitin 2008 nga presidenti aktual Tomislav Nikoliq.

Para kësaj, Vuçiq dhe Nikoliq ishin politikanë të lartë në Partinë nacionaliste, anti-perëndimore Radikale Serbe, e cila mbron idenë e krijimit të një “Serbie e Madhe” dhe ka qenë e përfshirë në mënyrë aktive në nxitjen e tensioneve etnike gjatë luftërave.

Duke qenë se Vuçiq ka qenë kryeministër që nga viti 2014, qëndrimet e tij aktuale politike për çështje të lidhura me luftën janë të njohura – ai mori pjesë në përkujtimoren e 20 vjetorit të masakrave në Srebrenicë, por ka refuzuar t’i quajë ato gjenocid dhe qeveria e tij ka reaguar me zemërim ndaj akuzave atë se shefi i shtabit i Ushtrisë Serbe ishte përgjegjës për krime lufte në Kosovë.

Pasi Vuçiq lajmëroi se ai do të kandidonte për president, ai premtoi se në shkurt do të emërohej një kryeprokuror i ri për krimet e luftës, por kjo nuk ka ndodhur ende.

Kryeprokurori i mëparshëm u largua nga detyra e tij në dhjetori 2015, duke e lënë vendin pa një kryeprokuror të ri krimesh lufte për më shumë se një vit.

Milica Kostiq, drejtoresha e departamentit ligjor në OJQ-në Qendra për të Drejtën Humanitare, tha se kjo mungesë veprimi theksonte qëndrimin e administratës së Vuçiqit ndaj gjyqeve për krime lufte në Serbi.

“Është e qartë se nuk ka qëllim të sinqertë për të caktuar një prokuror të ri në atë post,” tha Kostiq për BIRN.

“Megjithatë, ajo që unë mendoj se është shumë më e rëndësishme, çështja kryesore, është fakti se nuk ka qëllim të sinqertë për të lejuar funksionimin e ndjekjes penale të krimeve të luftës dhe mos zgjedhja e prokurorit është vetëm një pjesë e kësaj,” shtoi ajo.

Jovan Komsiq, një profesor në Universitetin e Novi Sadit, u shpreh megjithatë se Vuçiç ishte ndryshe nga nacionalistët që janë kthyer në pushtet në shumë vende të ish-Jugosllavisë gjatë viteve të fundit, duke përmendur propozimin e fundit të kryeministrit serb për një bashkim doganor ndër-ballkanik.

Komsiç u shpreh gjithashtu se Vuçiq kishte ndihmuar në qetësimin e tensioneve midis ish-shteteve jugosllave kur ato kërcënonin të shpërthenin.

“Reagimet e tij specifike ishin tepër të rëndësishme në pika të caktuara kur marrëdhëniet në rajon nuk ishin shumë të mira, ai ishte një faktor stabiliteti,” tha Komsiq për BIRN.

“Pavarësisht se ai po përpiqet të minimizojë rëndësinë e kundërshtarëve të tij në fushatë, ai ka ende mbështetjen e qytetarëve racionalë dhe paqësorë me nismat rajonale siç ishte unioni doganor,” shtoi ai.

Ish-lideri politik i Vuçiq, kreu i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, po kandidon gjithashtu për president muajin e ardhshëm, edhe pse së shpejti do të ketë seanca dëgjimore apeli për çështjen e tij në Gjykatën e Hagës.

Vojisllav Shesheli duke bërë fushatë në Zlatibor. Foto: Beta.

Një sondazh i publikuar nga agjencia e hulumtimit Demostat të premten tha se Vuçiç kishte marrë 57 për qind dhe Shesheli tetë për qind.

Politikani nacionalist në mars të vitit të kaluar u lirua nga akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër kroatëve dhe boshnjakëve gjatë konflikteve të viteve 1990 në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi.

Edhe para vendimit, Shesheli ishte liruar nga paraburgimi për t’u kuruar nga kanceri dhe ishte rikthyer në Beograd, ku ai vazhdoi karrierën e tij politike.

Në zgjedhjet e kaluara parlamentare, Partia Radikale Serbe fitoi mjaftueshëm vota për të marrë 23 deputetë pasi kishte munguar nga legjislatura për katër vjet.

Shesheli e ka përdorur praninë e tij parlamentare si një platformë për sjellje provokuese, si për shembull, vendosja e një kënde nacionaliste në celularin e tij në sallën e parlamentit, me vargje që e përshkruajnë Donald Trump si një shpëtimtar heroik.

Sjellja e tij ndaj krimeve të të kaluarës është gjithashtu e njohur; para se të fillonte fushata, ai përsëriti dëshirën e tij për të krijuar një “Serbi të Madhe”.

Gjatë fushatës, Shesheli ka thënë se gjyqet ndaj serbëve në Gjykatën e OKB-së duhet të transferohen në Serbi dhe u shpreh se çdo ministër që njeh pavarësinë e Kosovës duhet të arrestohet.

Sasa Jankoviç duke bërë fushatë në Beograd. Foto: Beta.

Dy kandidatët e tjerë, që anketimet e opinionit publik i kanë nxjerr si ndër katër kandidatët kryesore për presidencën, janë ish-avokati i popullit, politikani i krahut të majtë, Sasha Jankoviq, dhe ish-ministri i jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiq, i cili po kandidon si i pavarur.

Anketimi i javës së kaluar i kryer nga Demostat vendosi Jankoviqin me 11 për qind dhe Jeremiqin me 8 për qind.

Çështjet e drejtësisë tranzicionale nuk janë zyrtarisht pjesë e platformës së Jankoviqit, por ai ka thënë gjatë fushatës se Serbia duhet të jetë e ashpër ndaj kriminelëve të luftës dhe duhet të bëjë më shumë për të mbështetur viktimat civile të konflikteve të viteve 1990.

“Nëse bëhem president, unë do të mbështes ligjin për veteranët e luftës,” tha Jankoviq, duke iu referuar legjislacionit që mund t’i japë përfitime viktimave civile dhe ushtarake të konfliktit, por që s’është sjellë ende para deputetëve për t’u diskutuar.

Ai tha gjithashtu se zyrtarë të inteligjencës të Serbisë nuk “kanë paguar kurrë faturën” për përfshirjen e tyre në krimet e kohës së luftës, duke pretenduar se ata kanë ushtruar presion mbi zyrtarët e shtetit për të mos lejuar që informacione inkriminuese t’u kalohen prokurorëve dhe gjykatave.

Jeremiq nuk ka bërë deklarata të mëdha publike për çështjet e drejtësisë së pas luftës, edhe pse ai ka qenë i prirur për t’i kujtuar votuesit se kur ai ishte ministër i jashtëm, ai mbajti një qëndrim të fortë kundër pavarësisë së Kosovës.

Mitiq tha se “guxim” është një fjalë që është përmendur shpesh gjatë fushatës – slogani zyrtar i Jankoviqit është “Pa frikë” – por kandidatët kanë treguar një mungesë guximi për çështje të rëndësishme.

“Kanë kaluar dhjetë vjet që kur Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e detyroi Serbinë të ndëshkojë autorët e gjenocidit në Srebrenicë. Në Serbi, pothuajse të gjithë kandidatët presidencialë ende e lënë pas dore faktin se në Srebrenicë pati gjenocid dhe konkurrojnë duke treguar ndjenjat e tyre pozitive për Republikën Srpska,” tha ajo.

Kostiq tha se nëse kandidatët do të hapnin një debat publik në lidhje me luftërat e viteve 1990, kjo do të hapte gjithashtu çështjen e përgjegjësisë së Serbisë për krimet e kryera, gjë e cila mbetet ende në temë tabu në vend.

“Ndoshta akoma më e rëndësishme është se hapja këtyre çështjeve do të na çonte në rishikimin e rolit të këtyre njerëzve (kandidatëve për president) në luftëra dhe rolin e njerëzve që janë pranë tyre,” tha Kostiq.

“Mendoj se në Serbi ne nuk kemi një politikan që është tepër i përkushtuar ndaj sundimit të ligjit,” shtoi ajo.

Sipas kushtetutës, presidenti i Serbisë është kryesisht përgjegjës për përfaqësimin e vendit jashtë tij.

Presidenti mund të propozojë kandidatë për kryeministër dhe ambasadorë dhe mund të refuzojë gjithashtu të miratojë ligje dhe t’ia rikthejë ato deputetëve për diskutime të mëtejshme.

Gjatë viteve të fundit, dy presidentë serbë kanë kërkuar ndjesë për krimet e kryera kundër boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995.

Ish-presidenti Boris Tadiq vizitoi Srebrenicën dhe kërkoi ndjesë në vitin 2010, siç bëri edhe për qindra kroatët e vrarë në vitin 1991 në fermën Ovcara pranë Vukovarit.

Presidenti në largim Nikoliq kërkoi gjithashtu ndjesë për Srebrenicën në vitin 2013 ndërsa merrej në intervistë për televizionin kombëtar boshnjak.

Kostiq tha se presidenti i ardhshëm i vendit do të jetë në pushtet në një periudhë tepër të rëndësishme për drejtësinë tranzicionale.

“Mendoj se kjo është dritarja e fundit për të gjetur zgjidhje për problemet nga e kaluara. Është e rëndësishme të kemi gjyqe për sa kohë dëshmitarët janë ende gjallë, t’i japim mundësinë e drejtësisë dhe kënaqësisë materiale viktimave,” tha ajo.

“Në një nivel rajonal, është e rëndësishme të bëhet një listë e të gjitha viktimave, për t’u dhënë atyre dëmshpërblime nëpërmjet monumenteve, ndjesave publike dhe ditëve përkujtimore dhe t’u japim të rinjve mundësinë për t’u arsimuar pa u paragjykuar,” shtoi ajo.

Mitiq u shpreh se shumë debate aktuale rajonale, siç është kriza e fundit në negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja midis Serbisë dhe Kosovës, apo debati me politikanët boshnjak për rihapjen e çështjes së gjenocidit në Bosnjë kundër Serbisë, janë “një pasojë e drejtpërdrejtë” e çështjeve të kohës së luftës që kanë mbetur ende të pazgjidhura.

“Pothuajse të gjithë kandidatët presidencial e fusin kokën në rërë, duke u përpjekur t’i shmangin bisedat në lidhje me këtë gjë,” tha ajo.

Një total prej 11 kandidatësh garojnë për zgjedhjet presidenciale të 2 prillit.