Kamenica. Foto: Kallxo.com

Kamenica, Suficit Arsimtarësh e Deficit Gjinekologësh

Komuna e Kamenicës me 36 mijë banorë është komuna me më së paku investime në vend. Kamenica për vitin e ardhshëm ka vetëm 124 mijë euro për investime kapitale krahasuar me Kaçanikun me numër të ngjashëm të banorëve i cili ka 1.1 milion.

Në Kamenicë nuk ka gjinekologë kështu që gratë detyrohen që për lindje dhe kontrolle gjinekologjike të shkojnë në Gjilan. Edhe Kamenica hyn në radhën e komunave që kanë probleme me mungesën e barnave esenciale e probleme më së shumti kanë pacientët me diabet të cilët shpeshherë mbeten pa insulinë. 35% e popullsisë së Kamenicës janë të papunë dhe me nevoja për kujdes social.

Në sektorin e arsimit në Kamenicë problem janë keqpërdorimet e shumta në rekrutimin e stafit dhe ndarjen e orëve. Në mungesë fondesh dhe përkrahjesh fatkeqësisht para dy vjetëve është pushuar turneu i futbollit që është organizuar që nga paslufta. Kurse kampionët e Roganës në atletikë të cilët e përfaqësuan Republikën e Kosovës në olimpiadë janë mbështetur nga komuna me vetëm 4500 euro për këtë vit.

Kamenica pa gjinekologë

Para 3 viteve në Kamenicë ishte pensionuar gjinekologu dhe që nga ajo kohë Kamenica nuk ka ndonjë gjinekolog. Për një kohë kishin punuar disa gjinekologë nga Gjilani me rotacion, të cilët janë tërhequr prapa për nevojat e spitalit të Gjilanit. Që nga ajo kohë nuk ka as kontrolle gjinekologjike e hiq më pak lindje.

Problem tjetër në shëndetësi është edhe furnizimi nga lista esenciale e barnave. Sipas komunës së Kamenicës edhe pse kjo është kompetencë e Ministrisë së Shëndetësisë, shpeshherë QKMF bënë blerjen e materialit bazik (për urgjencë) nga buxheti komunal. Pasojat më të mëdha nga kjo i kanë pacientët me diabet të cilëve ju duhet insulinë por që nganjëherë mungon në QKMF për shkak se nuk ka furnizim të mjaftueshëm.

Mësimdhënës me gjysmë norme

Në Arsim sipas hulumtimit tonë dhe atij të Institutit GAP në Kamenicë shumë objekte shkollore kanë nevojë për renovim. Janë 10 shkolla që i kanë më pak se 25 nxënës, ndërsa disa nxënës obligohen të ecin nëpër terrene malore, të rrezikshme, për të vijuar mësimin.

Urë e ngushtë në fshatin Topanicë, Kamenicë. Foto: Kallxo.com

Në shkollën e fshatit Lisockë, në një objekt të ndërtuar në fund të viteve ’70, sot ndjekin mësimin vetëm 20 nxënës, tre apo katër nxënës në një klasë. Në shkollën paralele të fshatit Meshinë janë vetëm tre nxënës, në fshatin Kranidel janë katër nxënës, në Dazhnicë katër nxënës, pra janë gjithsej 10 shkolla të tilla të cilat kanë më pak se 25 nxënës.

Në sistemin arsimor të komunës së Kamenicës problem janë edhe keqpërdorimet në rekrutimin e stafit dhe ndarjen e orëve. Për shkak të numrit të madh të mësimdhënësve të angazhuar, norma e punës në mesatare është nën 40 orë në javë. Po ashtu, duke u munduar të sistemohen sa më shumë mësimdhënës, komuna ka rritur numrin e punonjësve në shkolla, duke ua ulur normën mësimore.

Në debatin për Zgjedhjet Lokale të vitit 2013, kryetari i komunës së Kamenicës, Begzad Sinani ka thënë se një ndër premtimet e tij është edhe ndërtimi i shkollës në fshatin Krilevë. Në vitin 2016, në mesin e mandatit Sinani ka premtuar se shkolla në Krilevë do të bëhet në vitin 2017, por kjo nuk ka ndodhur.

E gjatë katër viteve të fundit bursat komunale për studentë janë dhënë vetëm një herë. Këto bursa janë dhënë në vitin 2014 nga të cilat kanë përfituar rreth 100 studentë.

Salla e teatrit për mbledhje komemorative

Edhe në kulturë e sport problemet në Kamenicë janë evidente. Ansamblet dhe grupet tjera kulturore në Komunën e Kamenicës, problemin më të madh e kanë mungesën e mjeteve financiare, të cilat do tu shërbenin për përgatitje profesionale dhe teknike si dhe për pjesëmarrje në festivale dhe aktivitete të tjera, me të cilat merren si ansamble në përgjithësi. Komuna e Kamenicës në përgjigjet e tyre kanë thënë se janë munduar që t’i mbështesin dhe shifra mesatare vjetore në 4 vjeçarin e fundit sillet rreth 5000 euro.

Salla e teatrit që gjendet në shtëpinë e kulturës në Kamenicë nuk shfrytëzohet për shfaqje teatrale por për mbledhje e takime të partive politike, e mbledhjeve komemorative.

Ndërsa pushteti komunal në mungesë fondesh para dy viteve e ka ndalur aktivitetin më të madh sportiv që është mbajtur në këtë komunë që nga paslufta. Drejtoria për Kulturë dhe Sport në Kamenicë kishte organizuar për shumë vite turneun e futbollit në nder të ditës së çlirimit të qytetit me 18 qershor. Ky aktivitet sportiv ka zgjatur rreth 20 ditë dhe finalja është zhvilluar më 18 qershor, mu në ditën e çlirimit.

Rrugë e pashtruar në Topanicë, Kamenicë. Foto: Kallxo.com

Klubi i atletikës “Rogana” është një ndër klubet më të suksesshme të atletikës në Kosovë. Nga shtatë pjesëmarrësit në lojërat olimpike verore “Rio 2016”, dy ishin nga klubi i atletikës “Rogana”, Musa Hajdari dhe Vijona Kryeziu.

Sipas një hulumtimi të bërë nga “Instituti GAP”, Komuna e Kamenicës ka ndarë vetëm 4500 euro për këtë klub, përkatësisht 375 euro në muaj për me e përkrahë krejt klubin.

Vetëm 124 mijë euro për investime kapitale

Kamenica është komuna me nivelin më të ulët të investimeve kapitale krahasuar me komunat tjera. Në vitin 2016, Kamenica i ka realizuar vetëm 281 mijë euro investime kapitale, ndërsa këtë vit i ka planifikuar vetëm 124 mijë euro, apo 3,44 euro për kokë banori. Kjo është vetëm 1,7 për qind e buxhetit të komunës, që është shumë pak krahasuar me komunat tjera që mesatarisht investojnë 29% të buxhetit. E një prej shkaktarëve të tkurrjes së investimeve është numri i madh e të punësuarave, pasi në këtë komunë ka mbi-punësim në administratë e arsim.

Në Kamenicë është një i punësuar në administratë për 156 banorë, kurse mesatarja në shkallë vendi është një shërbyes civil për 278 banorë. Raporti nxënës-mësimdhënës në Kamenicë është 12.1, kurse mesatarja në shkallë vendi është 29.9. Numri optimal sipas MASHT duhet të jetë 21.

Deponiilegale, Hodonoc, Kamenicë. Foto: Kallxo.com

 

Komuna gjithashtu nuk inkason me rregull qiranë. Sipas auditorit nga 7 hapësira publike që i ka të lëshuara me qera Komuna e Kamenicës, i ka humbur mbi 90 mijë euro për shkak të mos inkasimit të qerasë. Auditori ka gjetur edhe se komuna nuk ka mekanizma për aplikimin e gjobave për vonesat e pagesës së borxheve.

Fshtrat pa trotuare

Kamenica ka arritur të shtrojë rrugë e asfalt në qendër dhe në pjesët kryesore të qytetit por sipas hulumtimit tonë dhe të GAP-it infrastruktura vazhdon të jenë problem për këtë komunë. Në një tubim në fshatin Topanicë, në fushatën e vitit 2013, Begzad Sinani u kishte premtuar ndërtimin dhe zgjerimin e urës në hyrje të fshatit. Por edhe në vitin 2017 ajo ende nuk është ndërtuar dhe vazhdon të jetë urë në të cilën në të njëjtën kohë nuk mund të kalojnë dy vetura.

Për rrugë dhe asfalt kanë nevojë në fshatin Hodonoc, në fshatin Topanicë te xhamia e fshatit ku janë mbi 30 shtëpi, në rrugën Shipashnicë e Epërme – Desivojcë, në rrugën skaj lumit në fshatin Koretin po ashtu edhe në rrugën te Lagjja Bugaqku në Koretin.

Fshatrat Kopernicë, Shipashnicë e Epërme dhe e Poshtme, Muqivercë, Topanicë, Busavatë, Krilevë, Strezoc, Ruboc, Petroc nuk kanë fare trotuare. Kurse në lagjen Çamëria dhe Malësia në Kamenicë trotuaret janë të ngushta. Trotuare nuk kanë as këto dy fshatra me banorë të etnitetit serb, Stralicë dhe fshati Bosce. Ndërsa fshati Roganë ka pjesërisht trotuare në disa lagje.