Kadare në Shënjestër

Ambasada Amerikane në Tiranë ka ndërprerë marrëdhëniet me gazetën e përditshme “Shekulli”, pas botimit të një komenti i cili u përkufizua si përçmues dhe racist ndaj ambasadorit Alexander Arvizu.

Telashet erdhën si pasojë e botimit në gazetën në fjalë,  9 prillin e kaluar, të një artikulli opinion nga gazetari Ilir Yzeri me titullin ‘Ambasadori i vogël i një Shteti të Madh’.

Artikulli i cili ishte mjaft kritik ndaj punës së z. Arvizu në funksionin e ambasadorit të SHBA-ve, përdorte ndër të tjera edhe termin ‘kinezëri’ për të përshkruar sjelljen dhe pamjen e tij. Arvizu është pjesërisht me prejardhje aziatike.

Në përgjigje të letrës së ambasadorit, Yzeiri e cilësoi reagimin e ambasadës si të pajustifikueshëm dhe të shkaktuar nga një keqkuptimin semantik. Termi “kinezëri” në gjuhën shqipe, sipas Yzeirit,  korrespondon me shprehjen franzece “chinoiserie”.

“Kjo shprehje përdoret për të përkufizuar një sjellje hipokrite që ne nuk e vlerësojmë si të pëlqyeshme në Ballkan, duke qenë se jemi njerëz të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë” – deklaron Yzeri për Balkan Insight. 

“Nuk synoja të ofendoja personalisht ambasadorin, artikulli im i referohej ngushtësisht funksionit diplomatik të tij në Shqipëri,” – thotë ai në vazhdim.

Në një artikull për blogun kolektiv online “Res Pubblica”,  gjuhëtari nga Shqipëria, Ardian Vehbiu, shprehet se termi “kinezëri,” “u popullarizua falë romanit të Ismail Kadaresë të vitit 1988 “Koncert në fund të dimrit”.

“Në novelat e Ismail Kadaresë, por edhe në shkrimet e Enver Hoxhës (ish diktatorit të Shqipërisë), ndoshta  të dy  të ndikuar nga kultura franceze, termi ‘kinezëri’ përdoret vazhdimisht për të përkufizuar sjelljet mashtruese, hipokrite, të njëanshme dhe të papranueshme të politikanëve kinezë, gjatë periudhës së krizës Shqipëri-Kinë të viteve 1960.” – komenton Vehbiu.

Edhe pse mosmarrëveshjet ndërmjet Ambasadorit Amerikan dhe gazetës “Shekulli” në Shqipëri janë qetësuar, incidenti ka bërë që në shenjëstër të vihet edhe shkrimtari më i njohur i vendit, Ismail Kadare, i cili, jo rrallë herë ka përdorur një gjuhë fyese në veprat e tij.

Duke komentuar incidentin në të përditshmen “Panorama”, shkrimtari dhe analisti politik Fatos Lubonja u shpreh se termi “kinezëri” është përçmues dhe racist – jo vetëm në artikullin e Yzerit por edhe në vet veprat e Kadaresë.

“Duket sikur është normale që ne t’i referohemi Kadaresë pa vërejtur faktin që ai shpreh mendime raciste në librat e tij, madje jo vetëm ndaj popullit kinez,” – pohoi Lubonja.

Lubonja, një kritik i fuqishëm i adhurimit që gëzon shkrimtari fitues i Çmimit Booker në Shqipëri, thotë se Kadare shpreh mendime nacionaliste në veprat e tij të cilat janë jashtëzakonisht të ndikuara nga ideologjia nacional komuniste e regjimit të Hoxhës.

Sipas z. Lubonja, Kadare flet vazhdimisht për ‘racën’ Shqiptare në veprat e tij dhe marrëdhëniet konfliktuale të Shqiptarëve me fqinjët e tyre.

“Në librin e tij “Ftesë në Studion” , botuar në 1990, Kadare krahason gjuhën shqipe  me nje zonjë elegante, ndërsa gjuhën serbe me një shërbëtore Egjiptiano-Ballkanase,” – përsërit Lubonja. 

Në librin e tij  ‘Arratisje nga Lindja’, Enis Sulstarova, një sociolog pranë Universitetit të Tiranës, shkruan se nacionalizmi shqiptar, që nga fillimi i shekullit të XIX  e deri në ditët e sotme, ka një karakter islamofobik, gjë që  pasqyrohet qartë edhe në veprat e Kadaresë.

“Romanet e Kadaresë dëshmojnë ndryshime të mëdha politike të historisë shqiptare,” –shkruan Sulstarova. “Orientalizmi i tij dhe mënyra sesi ai përhap Islamofobinë nacionaliste tek llojet e tjera të ksenofobisë është për tu çuditur dhe për tu alarmuar,” – shton ai.  

Armanda Kodra, një antropologe nga Tirana, gjithashtu vëren elemente raciste tek veprat e Kadaresë. 

“Romanet e Kadaresë karakterizohen nga një orientim i fuqishëm etnocentrik, meqë ai është mbrojtës fanatik i pastërtisë kombëtare shqiptare, duke u munduar vazhdimisht të vërtetojë se Shqiptarët nuk kanë fare të bëjnë me fqinjët e tyre ballkanas, apo me ndonjë fe tjetër të Lindjes siç është Islami,” shprehet Kodra.

“Në një nga librat e tij të fundit, Kadare flet për racën e bardhë shqiptare, gjakun e pastër shqiptar dhe thotë se pushtuesit e huaj, si Turqit për shembull, sollën kulturën e tyre në Shqipëri për të rrënuar kulturën autoktone dhe origjinale shqiptare,” – shton Kodra. 

Historiani Artan Puto shkon edhe më tej: “Kadare është monument i urrejtjes raciste në kulturën shqiptare,” – pohon ai.

Kadare nga ana e tij ka reaguar ndaj kritikave duke thënë se ata që e akuzojnë për racizëm ose janë keqkuptuar ose nuk i kanë lexuar librat e tij si duhet.

Në një intervistë dhënë gazetës Panorama, Kadare pwrkufizon Fatos  Lubonjën si “një shkrimtar xheloz” dhe e akuzon, në vijim për “nxjerrjen e fjalëve të tij jashtë kontekstit të tyre origjinal”.

“Nuk do ta quaja këtë patologji antishqiptare me fjalë më të buta, përveç se murtajë,” –vazhdoi ai.
Yzeiri, analisti i cili ishte edhe zanafilla e këtij debati me ambasadorin e SHBA-ve, gjithashtu vijoi të mbronte Kadarenë nga akuzat për racizëm.

“Kadare nuk mund të konsiderohet racist. Ai është shkrimtari ynë kombëtar me të cilin krenohen të gjithë shqiptarët,”  – pohon Yzeri.

Elvira Dones, një shkrimtare shqiptare e cila shkruan në gjuhën italiane, thotë se shkrimtari shqiptar më i njohur ndërkombëtarisht, Ismail Kadare, është transformuar në një emblemë të krenarisë kombëtare, “një lloj lideri shpirtëror kombëtar”.

Dones vazhdon duke thënë: “Ai sigurisht që është shkrimtari më i madh që kemi patur ndonjëherë në Shqipëri. Por ne jemi shumë jokritikë ndaj tij. Duhet të pushojmë së adhuruari në mënyrë kaq të përulur, atë dhe punën e tij”.

Ky artikull është botuar më herët në BIRN në gjuhën angleze, më 27 maj 2011.