Qendra e Junikut | Foto: Atdhe Mulla

Juniku, Utopia e Vërtetë e ‘Presidentit’ dhe Kullave të Gurta

A do të na japë komuna e Junikut president? Kjo pyetje është ngritur së voni me daljen e zt. Ismet Hebibi, një oftalmolog (mjek i syve) i Junikut i cili po kandidon për president të vendit. Të paktën, kjo është shpallja e tij. Ai nuk është se nuk po gjen përkrahje.

Në tubime me njerëz dhomat po mbushen plot. Madje në një vizitë në një qytet, kishin organizuar mikpritjen me bukë e kripë. Dikur mjeku i syve, sot e ka sjelljen tipike të një politikani të Kosovës. Kur fillon, premtimet e tij s’kanë të ndalur.

Ai ka premtuar bashkimin e Mitrovicës, mijëra vende pune, ka premtuar jetë më të mirë për qytetarët dhe njerëzit qeshen me të. Po përse? A nuk i thonë të njëjtat edhe Kryeministri, zëvendësi i tij, opozitarët pa mundur t’i bëjnë e pa i bërë kur ishin në pushtet? Përse qeshim me Presidentin?

Në fakt, mjeku i syve vërtetë po na i shëron sytë. Ai na e ka dhënë mundësinë ta shohim më tamam se sa qesharakë janë politikanët tanë dhe premtimet e tyre. Vërtet sytë e popullit po shërohen. Të paktën, Presidenti nuk na shkakton kokëdhimbje. Ai vetëm sa na argëton duke na kujtuar mjerimin e klasës politike e cila na drejton me dekada të tëra.

Aq sa të qeshet në anën tjetër të vjen për të sharë. “Si ka mundësi që kemi përfunduar në një pikë të tillë?” – të vjen të thuash ndërkohë që Presidenti jep premtimet e tij tashmë të dëgjuara por të papërmbushura.

E Presidenti vjen nga një vend shumë i bukur, Juniku. Juniku është një komunë e vogël prej rreth 6 mijë banorësh dhe me një buxhet krejt simbolik. Ajo që të lë pa mend është prania e ndërtimeve tipike shqiptare të gurit. Me më shumëse 15 kulla është një qytezë turistike malore e cila të mbush përplot me ajër të pastër sapo zbret këmbën në sheshin e saj.

Ajo që të lë pa mend është shija arkitektonike e stërholluar e banorëve. Është e mrekullueshme të shohësh përpjekjen e secilës shtëpi që është ndërtuar pas luftës për të ruajtur detajet e mureve të gurta. Secila shtëpi ka në mos një mur të tërë, të paktën pjesë të ndryshme të tij të punuara me gurë, dhe kështu përbënë një shkrirje të kohëve. Një pamje arkeologjike përmbi tokë të shkrirjes së epokave.

Foto: Atdhe Mulla
Foto: Atdhe Mulla

Rrugët gjarpërojnë përmes shtëpish e kullash dhe njerëzit s’të lënë pa të lënë shëndenë sa herë që kalojnë e ndërrojnë dy tre llafe me akëcilin kalimtar.

Menjëherë vërehet “Mullini i Nimon Tafajt”. Ky është një mulli i ndërtuar prej gurit përposh së cilit rrjedhë një përrockë. Ky nuk është vetëm një mulli. Më shumë se kaq, mulliri ishte përdorur edhe për të krijuar energji elektrike gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Destinimi për bluarje mund t’i ndërrohej me një intervenim të vogël të montimit të një pajisjeje elektrike e cila energjinë potenciale të ujit e shndërron në energji elektrike. Madje ajo mund të vihej në funksion edhe sot.

“Edhe tash mun prodhon po i zoti i mullinit s’ka nevojë ma se u ba kapitalist, p’i punojnë djemtë jashtë” – tha një bashkëqytetar i të zotit të mullinit dhe vazhdoi të interesohej për punën tonë atje.

Disa burra që qenë mbledhur me ne hapën menjëherë kuvendin e na u rrëfyen për gjendjen atje. Ata ankoheshin se e vetmja gjë që bënin ishte bujqësia porse fitimet prej saj linin shumë për të dëshiruar.

Po ashtu, na mësuan se në vitet 1960 Juniku ishte aneksuar nga Deçani sipas një vendimi të një nga komitetet qendrore të ish-Jugosllavisë ndërkohë që në vitin 2006 ishte bërë sërish komunë më vete, sovrane dhe demokratike.

Në zgjedhjet e fundit në Junik ka fituar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kryetar i saj është Agron Kuçi. Kryetari është një burrë i sjellshëm e i qetë. Madje iu tërhoq vërejtja për të folur me zë më të lartë për shkak se mund të mos dëgjohej në sallë, por ai vazhdoi me të veten.

Kryetari i Junikut Agon Kuçi | Foto: Atdhe Mulla
Kryetari i Junikut Agron Kuçi | Foto: Atdhe Mulla

Debati filloi. Akuzat e opozitës po ashtu. Nepotizmi qe një çështje që u hap mes opozitës dhe drejtorëve. Po kryetari insistonte se me pak interesim, secili nga banorët do të dilte i afërt përmes ndonjë lidhje. Vërtet në një komunë aq të vogël nepotizmi duhej parë me sy tjetër.

Një fabrikë për përpunimin e frutave është ndërtuar. Ajo si premtim 55 punëtorësh sot punësonte vetëm 6, por ende s’kishte përfunduar si projekt dhe parashihej që deri në fund të mandatit ajo të kryhej.

Meqë buxheti ishte krejt i vogël dhe kryetari i shpallte luftë qeverisë qendrore, opozita nuk është se përbënte akuza për miliona të abuzuar. Një çështje që doli të jetë me rëndësi ishte pagesa e tatimeve. Kjo për shkak se Juniku varej edhe nga të hyrat vetanake.

Në një moment kryesuesja e përkohshme Jeta Xharra iu drejtua kryetarit Kuçi: “A i paguajnë drejtorët borxhet?”- kryetari rrudhi krahët si për të shprehur pasigurinë e tij në këtë pyetje. Pastaj u duk edhe keq kur pas një heshtje të çuditshme shtoi “Pasha Zotin nuk e di”.

Tingëlloi sikur fëmijë që sinqerisht mohon dijen mbi “krimin” e shokut a shoqes. Fjala ishte për njërin nga drejtorët që kishte mbyllur një kompani e nuk e kishte kryer ende pagesën e borxhit tatimor prej disa qindra eurosh. Kur atij iu dha fjala ai premtoi se ishte në vështirësi ekonomike dhe se do ta kryente shumë shpejt.

Asambleja Komunale e Junikut | Foto: Atdhe Mulla
Asambleja Komunale e Junikut | Foto: Atdhe Mulla

Debati u krye, kësaj radhe pa klipin dyminutësh të gruas së kryetarit. Ai për një arsye që nuk na e tha, kishte refuzuar që gruaja e tij të incizohej e të vihej para tërë popullit të Kosovës, por qe shumë miqësor e na ftoi që ndonjëherë të shkojmë për fli në shtëpinë e tij, siç u shpreh ai “për qejf”.

Ne e lamë komunën e Junikut mes maleve të bukura e shtëpive me mure gurësh. Vendlindjen e mjekut që na shëron sytë, ajrit të pastër, komunën e varfër të injoruar nga qeveria, por, potencialisht vendlindjen e presidentit të ardhshëm.