Rruga Junik- Gjocaj. Foto: Kallxo.com

Junikasit Ende Nën ‘Okupimin’ e Deçanit

Komuna që ruan historinë e lashtë të qeverisjes nga kullat e Dukagjinit në rrugën e saj të zhvillimit përballet me sfida të mëdha. Buxheti i investimeve nuk kalon buxhetin vjetor të një biznesi mesatar ndërsa nevojat për investime janë identifikuar si domosdoshmëri.

Juniku i ka 6 mijë e 200 banorë, lideri i komunës ka në dorë një buxhet vjetor prej 1,6 milion euro, prej të cilave vetëm 330 mijë shkojnë në investime kapitale.

Problemi me sfidues i kryetar të ardhshëm do jetë “Pavarësimi nga Deçani” ndonëse junikasit për shumicën e shërbimeve që do duhej t’i kryenin në Junik, duhet të shkojnë në Deçan.

Hulumtimi i KALLXO.com tregon se Juniku nuk ka qendër të regjistrimit të automjeteve edhe pse që nga viti 2005 është themeluar si komunë, po ashtu bashkë me regjistrimin e automjeteve junikasit edhe për një letërnjoftim duhet të shkojnë në Deçan.

Ekipi hulumtues në Junik ka gjetur probleme edhe në arsim, shkolla e vetme e mesme Gjimnazi “Kuvendi I Junikut” nuk ka palestër sportive, ndonëse Juniku synon turizmin, nuk ka drejtim të hotelerisë dhe turizmit në shkollë.

Themelimi i degës së Gjykatës në Junik, themelimi i kompanisë së ujësjellësit dhe ndërtimi i objektit të stacionit të autobusëve po ashtu janë probleme që po e përcjellin këtë komunë në vazhdimësi.

Gjendja e toaleteve në objektin parashkollor në Junik. Foto: Kallxo.com

Arsimi
Juniku, me potencial të madh të turizmit nuk kanë drejtim profesional për “Hoteleri dhe Turizëm” në shkollën e mesme, edhe pse kjo është premtuar nga udhëheqësit e kësaj komune në të kaluarën.

Në çerdhen e Junikut, që vijohet nga fëmijët e moshës 3 deri në 6 vjet futen në objekte që kanë vetëm dy dhoma. Fotografitë nga kjo çerdhe tregojnë se banjot përveç që nuk janë të pastërta, i kanë nyjet sanitare të dëmtuara dhe mund t’ua rrezikojnë shëndetin fëmijëve.

Ndër sfidat infrastrukturore të komunës së vogël është sfida për të dërguar rrugën në fshatin Gjonaj fshati i fundit I banueshëm përgjatë rrugës që çon në majën më të lartë në Kosovë, Gjeravicën.

Rruga e sanuar nga komuna mund të kalohet vetëm me automjete të terreneve malore ndërsa premtimi për asfaltimin e saj ende nuk është jetësuar.

Hulumtimi nga tereni tregon se edhe pjesën urbane të komunës ka problem me infrastrukturën.

Lagjj “Agim Ramadani”- lagjja më e madhe në Junik,  është pa trotuar dhe pa ndriçim publik. Njëjtë janë edhe lagja “Goqaj” dhe pjesa e dyte e lagjes “Cestaj” – pa ndriçim publik dhe pa trotuar.

Problem tjetër që është hasur nga hulumtimi ynë është edhe mos-mirëmbajtja e vendit të varrezave të financuara nga organizata zvicrane “Swiss Cooperation” bashkë me komunën. Investimi është bërë por në ndërkohë është kapluar nga therrat dhe askush nuk është varrosur në këto varreza.

Mbeturinat dhe ujërat e zeza

Komuna që synon ta zhvillojë turizmin në kullat e lashta dhe në bjeshkët e Gjeravicës ka problem të mëdha me trajtimin e mbeturinave

Menaxhimi i mbeturinave në komunën e Junikut vazhdon të jetë problem edhe në vitin 2017. Qytetarët ankohen se mbeturinat nuk largohen me rregull dhe për pasojë janë krijuar edhe deponi ilegale. Hulumtuesit tanë kanë hasur në grumbuj të mbeturinave të hedhura nëpër vende turistike, në lumin Erenik e shumë vende të tjera. Juniku ka impiant, por ende nuk është funksionalizuar.

Mbeturinat në lumin Erenik,Junik. Foto: Kallxo.com

Tregu i gjelbër dhe Stacioni i Autobusëve

Juniku nuk ka treg të gjelbër e as stacion të mirëfilltë të autobusëve. Tregtarët dhe sidomos prodhuesit e vegjël janë duke i shfrytëzuar trotuaret dhe rrugët për shitjen e produkteve të tyre.

E qytetarët e Junikut janë të detyruar të presin autobusin në ambient të hapur edhe gjatë reshjeve atmosferike. Stacioni i autobusëve nuk e plotëson asnjë standard, nuk ka objekt, nuk ka banjo, e nuk ka as çesme për ujë.

Projekti i ndërtimit të tregut të gjelbër është që nga viti 2013. Komuna ka identifikuar vendin për treg dhe ka arritur të bëjë marrëveshje bashkëpunimi. Por kjo tokë e ndarë nga komuna del të jetë problem me pronarët. Kështu, që nga viti 2013 asnjë hap konkret nuk është marrë nga ana e komunës për ta zgjidhur këtë problem.