Foto: KALLXO.com

Jo S’ka Vdekur Iliria

Në fshatin Kukaj, ka filluar Etno Fest i cili do të zgjasë katër ditë. Në mbrëmjen e 14 shtatorit u mbajt ceremonia e hapjes së edicionit të 6-të të festivalit etnocentrik shqiptar. Ky festival promovon vlerat etnike shqiptare në territorin e Kosovës duke sjellë në kohët moderne traditën shqiptare, por jo vetëm kaq, ky festival sjell edhe traditën ilire.

Në njërën nga galeritë e hapura, në natyrën e bukur të katundit në kompleksin Etno Village, ekspozoheshin skulpturat me motivin e Hyjneshës në Fron – Mbretëresha e Dardanisë, e ekspozitës së Arjeta Miftarit me temën “Hyjneshat në Kukaj”.

Jo vetëm kaq kishte të bënte me ilirët, paraardhësit e pakonfirmuar shkencërisht të shqiptarëve. Për befasinë e shumë njerëzve aty zinte vend, nën hijen e një dardhe ujtëse (dardhë vendase), një tavolinë druri e mbushur me barishte të ndryshme. Nën patronatin e Muzeut të Kosovës ishte organizuar ky kënd me emrin “Magjia e magjes ilire”.

Para se të fillohej me gatimin e barishteve në vatrën e përgatitur me copa druri por edhe dërrasash industriale, u lëshua një dokumentar i financuar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë.

Protagonisti kryesor i dokumentarit ishte Ahmet Dursun, një njohës i kuzhinave egjiptase e antike greke, por edhe ilire siç u prezantua nga drejtori i festivalit Fadil Hysaj, regjisor i njohur në Kosovë, po ashtu ish-këshilltar i ish kryeministrit Hashim Thaçi në mandatin e kaluar.

Ahmet Dursun flet për kulinarinë ilire para një dege të moçme mbi tavolinë dhe një tufe specash të kuq. Specat janë origjinalisht nga Amerika e Jugut dhe u përhapën nëpër botë pas zbulimit të Amerikës nga Kolombi | Foto: KALLXO.com

Në dokumentarin me pamje të bukura nga bjeshkët e Shqipërisë, luginat e gjelbra, shtratet e lumenjve dhe relievin që mund ta kenë zili plot vende të botës, tregoheshin edhe përralla, por me tonin e të thënit të ndonjë të vërtete shkencore.

Ahmet Dursun që ishte i pranishëm edhe në EtnoFest me ç’rast do ta kryente performancën, si protagonist kryesor në dokumentar tregonte një histori se si në një vend të caktuar ku ai ishte ulur kaçul, “takoheshin çdo vjeshtë dy fise ilire, dhe diskutonin se cili mal ishte më i bukur”.

Pretendime të tilla për njohuritë kaq të detajuara për ilirët, ndonëse mungojnë evidencat historike të lidhjes së ilirëve me shqiptarët, jepen shpeshherë në organizime të ndryshme me karakter nacionalist.

Anipse mund të mos ua mbushë syrin të pranishmëve, drejtorin e Muzeut të Kosovës Skender Boshtrakaj, Dursun e kishte bindur thellësisht.

Ai rrëfeu para publikut se si njëherë kur Dursun kishte përgatitur mishin e një qengji sipas traditës ilire. “Kur unë e hapa kapakun e enës ku ziente qengji e nuhata erën e barit me të cilën është ushqyer qengji”, tha Boshtrakaj duke shprehur dëshirën që secili ta kishte atë mundësi “magjike”.

Ky mrekullim i drejtorit Boshtrakaj me studiuesin e kuzhinës ilire Dursun, ishte diçka sikur te filmi i vizatuar Asteriks, ku magjistari Getafiks ua përgatit një lloj supe galëve për t’i mundur romakët.

Mos vallë gjithë miti ilir vjen nga kuzhina magjike ilire, alla Getafix?

Apo ca më vonë, në një periudhë të pasaktë rreth mesjetës, kur në mitet shqiptare (të pretenduara edhe nga kombe të tjera në Ballkan), qumështi i zanave u jepte fuqi kreshnikëve për të shkulur trungje, lëvizur shkëmbinj viganë apo këputur kokën e dikujt tjetër, shpesh pa ndonjë arsye të mirë.

Qingj “ilir” me gjethe kungulli i gatuar në Etno Fest. Edhe kungulli vjen nga Amerika, çka do të thotë se ilirët nuk e kanë shijuar kurrë | Foto: KALLXO.com

Por jo vetëm me kuzhinë janë marrë ilirët. Suhel Ahmeti nga klubi i astronautëve amatorë të Kosovës (Astronomy Club of Kosovo), i cili kishte sjellë disa teleskopë për të parë yjet, hënën dhe diellin gjatë ditës, tregonte arsyen e pranisë së klubit të tij këtu.

Ai tha se “astronomia nuk është vetëm shkencë por edhe kulturë”. Duke qenë një nga veprimtaritë më të hershme Ahmeti shprehet i bindur se “ilirët janë marrë me astronomi”. “Sipas NASA-s në Kumanovë [qytet në Maqedoni i banuar me shqiptarë dhe etni të tjera] ka qenë observatori i parë antik në një pikë të lartë atje”, tha ai.

Vallet e performuara nga një grup të rinjsh me veshje kombëtare u komentuan nga profesori i etnologjisë Ukë Xhemaj i pranishëm në festival. Ai tregoi se problemet me veshjet janë pothuajse në shumicën e performancave pasi ato janë mjaft të komplikuara.

Për shembull, lidhja e shamisë nën mjekër apo pas kokës tregon për statusin martesor të vajzave. “Këtyre detajeve nuk u japin fort rëndësi, përveç kur kanë koreograf që i përcjell me vëmendje”, tha profesor Xhemaj.

Ai shprehu optimizëm se pavarësisht problemeve të vogla në paraqitjet e festivalit, me kohë gjërat do të shkonin drejt perfeksionit.

Grupe folklorike nga treva të ndryshme shqiptare morën pjesë në festival | Foto: KALLXO.com
Grupe folklorike nga treva të ndryshme shqiptare morën pjesë në festival | Foto: KALLXO.com

Çështja e ilirëve, pellazgëve etj., do të vazhdojë të frymëzojë tifozë futbolli apo në disa raste edhe drejtorë institucionesh akademike, pavarësisht se ka shumë pak prova të mirëfillta shkencore që gjithsesi mbështesin në mënyrë tejet të zbehtë një lidhje të supozuar dhe deri-diku të imagjinuar të ilirëve me Homo Albanicus-in e sotëm.

Ndërkohë studiuesi i historisë Shkëlzen Gashi, i cili ka studiuar librat shkollorë të historisë të Kosovës dhe vendeve fqinje me Kosovën, thotë se nuk ka prova të mjaftueshme të hipotezës se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve.

Ai thotë se “mund të ketë tregues të një vijimësie iliro-shqiptare, por mungojnë dëshmitë e mjaftueshme për deklarime përfundimtare.” Gashi i referohet historianëve të tjerë kur sqaron pamundësinë që prejardhjet të përcaktohen me saktësi.

“Siç e thotë me të drejtë Noel Malcolm, prejardhjet bëhen misterioze po i hetuam thellë në të kaluarën dhe gati krejt popujt, kur u hulumtojmë të shkuarën, del se kanë ardhë prej diku dhe kush ka ardhë i pari në një vend nuk është argument që çon farë peshe kur vendoset për të drejtat ose gabimet e një situate të sotme politike”, shpjegoi ai.

Gashi shtoi se “prejardhjet e të gjithë individëve janë të përziera dhe nuk mund të supozojmë se të gjithë paraardhësit tanë kanë qenë të së njëjtës popullatë”.

Sidomos në Ballkan, arenë e pushtimeve dhe sundimeve shekullore, si dhe lëvizjeve të mëdha demografike, “pastërtia e racës” – një koncept racist në vetvete – është shumë e pagarantuar.

Ndërkaq, krahas ringjalljes së miteve fantastike ilire, Etno Fest do të vazhdojë deri më 18 shtator me një program më të pasur se kaq; shumë dokumentare, shfaqje teatrale, performanca artistike etnike shqiptare si këngë e valle e shumë aktivitete të tjera.

Po ashtu, njerëzit do të mund të ushqehen me ushqime vendore, madje me pak fat, gjatë performancave të Dursun mund të provojnë edhe diçka nga gatesat ilire. Krejt këto në një pamje të mrekullueshme të natyrës së gjelbër dhe kompleksit Etno Village.

Rapsodë duke kënduar në festival | Foto: KALLXO.com
Rapsodë duke kënduar në festival | Foto: KALLXO.com

Fshati Kukaj është në komunën e Prishtinës si territor. Këtë vit komuna ka ndërtuar rrugën deri në pikën më të lartë të fshatit që është 1000 metra lartësi mbidetare, çka e bën fshatin mjaft të përshtatshëm për eko-turizëm.

Investimet në kompleksin Etno Village dhe ndërtimi i rrugës tashmë ka bërë që shumë shtëpi të reja të fillojnë të ndërtohen dhe fshati dikur i braktisur tani po kthehet gradualisht drejt popullimit të sërishëm, tashmë i ledhatuar nga puhiza ilire.

Por jo vetëm Kukaj është prekur nga një puhizë e tillë antike. Kodra e Visokos, në Bosnje dhe Hercegovinë, në veriperëndim të Sarajevës, është ‘djepi i piramidave boshnjake’. Aty vite më parë arkeologu boshnjak Semir Osmanagic pretendoi se ka zbuluar piramidën më të madhe ndonjëherë.

Ndërkaq një pjesë e malazezëve që nuk identifikohen si serbë, e konsiderojnë veten “ilirë të sllavizuar” – një tjerrje autoktone që e dëgjon në vendin fqinj, nga qebaptoret e deri te tryezat më të rafinuara intelektuale.

Në fantastiken e fabrikimit të historisë nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Ballkani është vetë mishërimi i miteve të tilla, të cilat prej kohësh prodhohen në shkallë industriale. Jo rrallëherë, në Ballkan, kur gjërat nuk shkojnë mirë me provat historike, ndërtohen të reja. Një puhizë antike e ngjashme preku kryeqytetin fqinj të Prishtinës, Shkupin.

Ndërsa Shkupi 2014 përfaqëson rilindjen baroke dhe jo vetëm të një ‘kryeqyteti antik’, të paktën Kukaj dhe Kodra e Visokos janë thjesht periferi ‘antike’ të dy kryeqyteteve përkatëse.

 

(VETËM DISA) USHQIME JO-ILIRE 

Prodhimet, të korrat e mëposhtme nuk kanë qenë pjesë e dietës ilire duke qenë se janë përhapur në Evropë e më tej, kryesisht pas zbulimit të kontinenteve të tjera ose gjatë etapave të ndryshme të Mesjetës:

Nga Amerika

– Misri

– Patatet

– Fasulet

– Domatet

– Speci (çdo lloj speci)

– Kungulli dhe llojet e tjera nga familja e tij

– Luledielli (dhe vaji i tij)

– Boronica

– Kastraveci i egër

Nga Lindja e Mesme / Azia Qendrore

– Gruri

– Bizelet

– Sallata jeshile

– Qepa (u përhap në Ballkan gjatë pushtimeve të vona romake)

– Prasi

– Karota

– Majdanozi

Nga Afrika

– Shalqiri

– Pjepri