Jeta e Re Larg Sëmundjes së Plumbit në Gjak

Lagja e Romëve në Mitrovicën Jugore sot përbën një komunitet që jeton përditshmërinë duke tentuar shërimin dhe normalizimin nga tmerri i ekspozimit në helm që ka prekur një numër të konsiderueshëm të tyre.

Dhjetëra familje rome, ashkali e egjiptase që në vitet e luftës ishin larguar nga Lagja e Romëve në jug të Mitrovicës për t’u vendosur në kampe në veri, u kthyen në vendbanimet e tyre pasi shumë prej tyre ishin helmuar nga toksinat e minierës së Trepçës.

NDËRLIDHUR

Matjet që i janë bërë romëve që kishin jetuar në kampet afër Leposaviqit e Zveçanit dhe sidomos atij të quajtur ‘Çesmin Lug’ kanë gjetur shifra alarmante të nivelit të plumbit në gjak.

Rilokimi i këtyre romëve në Lagjen e Romëve në Mitrovicë u bë me një projekt prej 5 milionë euro nga Bashkimi Europian në vitet 2010-2012.

Në këtë projekt është paraparë edhe ndërtimi i dhjetëra shtëpive së bashku me ndihma të tjera materiale për ushqim, strehim dhe shkollim.

Mensur Islami, përfaqësues i kësaj lagjeje, thotë se që nga kthimi i banorëve në lagjen ku kanë jetuar deri para luftës, ka shenja përmirësimi në shëndetin e tyre.

“Ka përmirësim deri në 50 përqind, sipas analizave”, thotë ai.

Jeta e rëndë në kampet e të zhvendosurve e kishte prekur shumë familjen e Fetije Sejdiut.

Si një nga të prekurat nga helmimi me plumb, Sejdiu rrëfeu për dëmet që i ka shkaktuar në familje ky helmim duke treguar edhe për kushtet e rënda për jetesë megjithëse jetojnë në shtëpi të re.

“Fëmijët janë të sëmurë nga plumbi, një fëmijë më ka vdekur kur ka qenë 7 vjeç. I kam edhe gjashtë të tjerë, të gjithë janë të prekur nga plumbi. Duhet ta presim ndihmën sociale por ato janë pak. Fëmijët duhet të ushqehen. Më mirë të punojnë diçka, qoftë edhe duke kërkuar nëpër kontejnerë, sesa të bëjnë diçka tjetër”, tha Sejdiu.

Që nga dislokimi, banorët e kthyer në lagjen e romëve testohen në mënyrë periode për të kontrolluar nivelin e plumbit në gjak.

Një nga mjekët e Qendrës Kryesore Familjare në Mitrovicë, Vllaznim Hoti. që merret me këto testime tregon se Ministria e Shëndetësisë tanimë kërkon raporte tre mujore për gjendjen e të prekurve nga ai helmim.

“Tanimë nuk ka vlera shumë të larta, kemi kryesisht fëmijë të moshave 10-15 vjeçare, disa prej të cilëve marrin terapi nga Këshilli Danez për Refugjatët (DRC). Matjet bëhen në kontinuitet tek personat që shfaqin simptoma të helmimit”, tha Hoti.

Artan Bajrami, banor i kësaj lagjeje i cili merret me aktivitiete me të rinjtë, megjithatë shprehet i pakënaqur me kushtet e jetesës së komunitetit rom në këtë lagje.

“Nuk është zhvillu kurgjo përveç se një shkollë qetu që e kemi, unë jam si NGO, e kam regjistru një Organizatë Jo-Qeveritare për të punuar diçka me të rinjtë, me grup folklorik dhe muzikë, i kam ndihmuar sa ka mujt fëmijve”, tha Bajrami.

Sipas Fatmire Tërdevcit nga Zyra e BE-së në Kosovë, Projekti i BE-së për rilokimin e këtij komuniteti ka përfshirë edhe një qendër edukimi për fëmijët e kësaj lagje.

“Projekti ka kontribuar në përmirësimin e situatës që ka të bëjë me edukimin e nxënësve romë. Në bashkëpunim me një project tjetër të financuar nga BE (EU-SIMRAES), projekti ka ndërtuar Qendrën e Mësimit në Lagjen e Romëve që ofron ndihmë ekstra kurrikurale për fëmijët që marrin pjesë në aktivitetet e kësaj qendre. Fondi për edukim ka asistuar 136 fëmijë me dreka në shkollë, rroba, qanta, fletore, lapsa dhe material të tjera educative. Edhe transporti për shkollë është siguruar për pesë fëmijë”, tha Tërdevci.

Një projekt tjetër që ndërlidhet edhe me punësimin e këtij komuniteti është edhe fabrika e grumbullimit të mbeturinave të reciklueshme në Komunën e Vushtrrisë.

Kjo fabrikë mbledh mbeturina në Komunën e Vushtrrisë dhe të Mitrovicës për ti paketuar dhe kompresuar për t’ia shitur më pas fabrikave të riciklimit.

Projekti lidhet me Lagjen e Romëve në Mitrovicë meqenëse kjo fabrikë paguan personat që bëjnë grumbullimin e mbeturinave për këtë punëtori.

Sipas banorëve të kësaj lagje, ata kanë pranuar disa biçikleta si donacion me të cilat bëjnë edhe grumbullimin e mbeturinave të riciklueshme.

Shemsi Pllana që është menaxher i kësaj punëtorie tregoi se punon vetë i pesti në objektin e ndërtuar nga BE-ja.

“Me këtë projekt është bërë edhe pastrimi i qytetit dhe presim material të tjera, bëjmë kompresimin apo shtypjen e materialeve sipas kategorive në makinat tona për ti shitur më pastaj”, tha Pllana.

 

 

Ky artikull është prodhuar si pjesë e një projekti të bashkëpunimit të gazetarëve të të gjitha komuniteteve të Kosovës, i mbështetur nga Zyra e Përfaqësueses Speciale të Bashkimit Europian (PSBE) në Kosovë, i cili është implementuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), Zyra e Kosovës.

26 Shkurt 2017 - 17:33

Sanja Sovrliq, Doruntina Baliu 26/02/2017 - 17:33
NDËRVEPRIMI0