Podujeva | Foto: Ilustrim

Jeta e Podujevës me Ëndrrën për Ujë

Çka presin llapjanët nga kryetari i ardhëm i tyre?

Hulumtimi disamujor i KALLXO.com në fshatrat dhe qytetin e Podujevës ka identifikuar një varg problemesh të cilat presin zgjidhje nga pushteti komunal.

Në Komunën e Podujevës ekzistojnë dy kompani për grumbullimin e mbeturinave, mirëpo komuna ka probleme serioze me deponitë ilegale të mbeturinave.

Brenda qytetit ka deponi ilegale të mbeturinave e nga to nuk janë kursyer as ambientet e shkollave.

Shkolla ne Ballovc

Të dhënat tregojnë se qeverisja e kaluar ka ndërtuar rreth 25 kilometra kanalizim, por rrjeti nuk është shtrirë në të gjitha zonat e banuara.

Hulumtimi i KALLXO.com tregon se të gjitha ujërat e zeza të qytetit dhe 41 fshatrave përfundojnë duke ndotur rrjedhën e lumit Llap, i cili për një kohë të gjatë ishte përdorur nga bujqit për t’i ujitur kulturat e tyre.

Kalanalizimi Shajkoc

Në Rajonin e Podujevës është i ndërtuar liqeni i Batllavës njëri nga basenet kryesore nga i cili furnizohet me ujë Prishtina dhe disa komuna të tjera.
Por Podujeva është e diskriminuar nga furnizimi me ujë. Mungesa ujit të pijes sidomos gjatë muajve të verës cilësohet si problem në këtë komunë. Rruga “Fitorja” dhe Dumnica e Poshtme edhe pse janë të kyçura në rrjet të ujësjellësit, kanë mungesë të ujit. Ndërsa fshatra si : Zakuti, Dobërdoli, Kërpimehi dhe fshati Revuq ende nuk janë kyçur në rrjetin e ujësjellësit

Auditori ka konstatuar se projekti “Vrella” prej vitit 2009 nuk është përfunduar. Qytetarët kanë dhënë 71 mijë euro për këtë projekt, por ende nuk është funksionalizuar. Projekti i nisur që nga vitit 2009 në vlerë 331,336€ për ndërtimin e ujësjellësit “Vrella”, në bashkëfinancim me qytetarët, ende s’ka përfunduar. Participimi nga qytetarët në vlerë prej 71,600€, është duke u bartur vit pas viti, si shkak i mosrealizimit të projektit.

Infrastruktura dhe Urbanizmi

Hulumtimi tregon se Podujeva ka probleme me infrastrukturën, urbanizmin, ndërtimet pa leje dhe uzurpime të pronave komunale.

Gjatë hulumtimit del se në fshatra si  Lupç, Majac, Shajkoc, Sveçël, Balloc, Metergoc, Ballaban, Kushevicë kanë probleme me rrugët.

Rrugë pa asfalt fshati Lupç

Brenda qeverisjes së qytetit Podujeva ka problem me uzurpimin e pronave komunale.  KALLXO.com ka kërkuar listën e uzurpatorëve dhe listën e ndërtimeve pa leje, por nuk na është dërguar me arsyetimin se është “duke u azhurnuar”.

Sipas Raportit të Auditorit, Komuna e Podujevës nuk ka verifikuar 1/3 e pronave të paluajtshme, siç kërkohet me Ligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme nr. 03/L-204 dhe Udhëzimin Administrativ nr. 03/2011 për Mbledhjen dhe Regjistrimin e Informatave mbi Pronën dhe Tatimpaguesin. Për këtë arsye Komuna e Podujevës ka dështuar të inkasojë borxhet nga dhënia në shfrytëzim nga këto prona.

Shëndetësi dhe mirëqenie sociale

Për 78 fshatrat e komunës dhe qytetin janë të ndërtuara 21 ambulanca, 2 në qytet, 19 nëpër fshatra. Vetëm 2 ambulanca punojnë 24 orë në ditë 7 ditë në javë, e tjerat punojnë vetëm me një ndërrim.

Podujeva ka gjithsej 19 ambulanca nëpër fshatra : Majac, Bradash, Shajkoc, Herticë, Dobratin, Llapashticë, Lupç, Lluzhan, Orllan, Batllavë, Dyz, Halabak, Sveçël, Shajkovc, Gllamink, Dumnicë, Kërpimeh, Murgull dhe Bajçinë.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Podujevë, pas gjashtë vjetëve që është udhëhequr nga ushtrues detyre, vetëm së fundmi është bërë me drejtor, ndërsa Qendra Emergjente nuk i plotëson kërkesat dhe pritjet e qytetarëve. Shumica e laboratorëve shëndetësorë të kësaj komune nuk funksionojnë si duhet.

Buxheti, menaxhimi i parasë dhe pronat e uzurpuara

Sipas auditorit gjeneral, borxhi i bizneseve ndaj komunës arrin në 3.6 milionë euro. Së fundi, përveç që komuna nuk ka mbledhur borxhin milionësh, ka vendosur t’i ulë deri në 50%  taksat e ndryshme komunale.

Auditori thotë se buxheti për investime kapitale ishte shpenzuar 85%, ndërsa shpenzimi i të hyrave vetjake ishte vetëm 59%.

Podujeva ka një buxhet prej 19 milionë eurove prej të cilave 5 milionë janë të ndara për investime kapitale. Ndërsa Komuna e Podujevës i ka mbledhur 230 mijë euro më pak sesa kishte planifikuar për vitin 2016.

Auditori në vitin 2015 dhe 2016 ka gjetur se Komuna e Podujevës ka telashe me mbledhjen e borxheve për pronat që i ka dhënë me qira.

Po ashtu ZAP-i në vitin 2015 dhe 2016 ka gjetur se Komuna e Podujevës ka telashe me mbledhjen e borxheve për pronat që i ka dhënë me qira.

“Drejtoria e pronës, kadastrit dhe gjeodezisë ka pasur ngecje në realizimin e kontratave për pronat e dhëna me qira, ngase shumë nga obligimet sipas kontratave nuk janë përmbushë nga ana e shfrytëzuesve”, thuhet në raport. E përveç kësaj, komuna nuk i ka të regjistruara ⅓ e pronave të saja, dhe për pasojë nuk arrin t’i mbeldhë të hyrat nga tatimi dhe qiraja.