Ivan Ivanji me Titon | Foto: Ivan Ivanji

Jeta dhe Kohërat e Rrezikshme të Përkthyesit të Titos

Ivan Ivanji, përkthyesi gjerman i Titos, shkrimtari dhe i mbijetuari i kampit nazist të përqendrimit, tani 88 vjeçar, kujton momentet e dashurisë, humbjes dhe mbijetesës në një jetë jashtëzakonisht dramatike.

Jeta dhe përvoja e tij profesionale janë aq të pasura saqë vendosja e tij në një libër duket si një mision i pamundur, madje edhe për një shkrimtar të realizuar si Ivan Ivanji.

Shkrimtari serb-hebre, i cili e përshkruan veten si një jugosllav, thotë se tani nuk i përket asnjë vendi- por ndihet si në shtëpi në Beograd.

Ivanji ishte përkthyesi personal i Josip Broz Tito për 20 vjet, përvjetorin e vdekjes së të cilit 37 vjet më parë, mijëra nostalgjikë jugosllavë e shënojnë çdo vit më 4 maj.

Ivanji gjithashtu punoi si diplomat, si sekretar i përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavë, si redaktor, drejtor i teatrit dhe mësues i shkollës së mesme.

Ai ka shkruar dhjetëra romane, tregime dhe artikuj. Ai personalisht i njihte artistët dhe shkrimtarët më të shquar nga ish-Jugosllavia, përfshirë shkrimtarin fitues të çmimit Nobel, Ivo Andriq, shkrimtarin e njohur kroat, Miroslav Krleza, dhe gjithashtu ishte mik me fituesin e çmimit Nobel të Gjermanisë, Gunter Grass për shumë vite.

I pyetur për karrierën e tij 20-vjeçare si përkthyes personal i Titos, Ivanji thotë se ai nuk ka punuar për Titon gjatë gjithë kohës, por kujton konferencat e nivelit të lartë si stresuese dhe rraskapitëse.

“Ndonjëherë isha krejtësisht i padobishëm si përkthyes. Tito e fliste shumë mirë gjuhën gjermane, madje mund të diskutonte me kancelarin Helmut Schmidt rreth August Bebel-it – babait të Partisë së Punëtorëve Social-Demokratikw, por ai kishte nevojë për një person që mund të kuptonte gjuhën dhe të sigurohej që askush nuk po dëgjonte bisedat që ai ishte duke i pasur me zyrtarët më të lartë dhe që duhej të mbaheshin sekrete “, kujton Ivanji.

Sipas mendimit të Ivanjit, përkthyesi ka një profesion shumë të veçantë, pasi ai mund ta shohë klientin e tij “lakuriq”.

“Tito ishte një diplomat shumë i mirë, një bashkëbisedues shumë i hapur dhe i zhdërvjellët”, kujton Ivanji.

“Ju mund t’i konsideroni pionierët [organizatën rinore të partisë] që brohorisnin për Titon në “Ditën e Rinisë” si teatër dhe me të vërtetë ishte, por kur Tito vizitonte vende të tjera, udhëheqësit botërorë do t’i tregonin atij shumë respekt dhe kjo nuk mund të mohohet”, përfundoi Ivanji.

I pyetur nëse ai kishte probleme me Titon, për shkak të gjuhës së tij të mprehtë dhe komenteve ironike, Ivanji thotë se kurrë nuk ka pasur.

Sidoqoftë, ai kujton se një herë kur i përmendi Titos se Beogradi duhet të kishte një ndërtesë të vërtetë të operës, Tito nuk e aprovoi në mënyrë të qartë këtë ide, nuk tha asgjë dhe vetëm ia ktheu kokën.

Përveç një karriere të një niveli të lartë, jeta i ka sjellë edhe Ivanjit dhimbje të mëdha. Ai humbi prindërit e tij në vitin 1941, të dy të vrarë nga pushtuesit nazistë të Jugosllavisë.

Ivanji u deportua në moshën 15 vjeçe në kampet e përqendrimit famëkeq Buchenwald dhe Auschwitz në vitin 1944 dhe mbeti atje deri në vitin 1945, një mbijetues me fat.

Ai regjistroi përvojat e të dy kampeve në romanin e tij “Jeta Ime e Bukur në Ferr” dhe tregoi kronologjikisht karrierën e tij si përkthyesi i Titos dhe sekretar i përgjithshëm i Lidhjes sw Shkrimtarëve tw Jugosllavisw në biografinë e tij “Përkthyesi i Titos”.

88-vjeçari mbetet çuditërisht i dëshpëruar nga përvojat e tmerrshme të jetës së tij.

Kur u takuam, ai nuk foli për humbjen e prindërve të tij, apo për Auschwitzin ose Buchenwaldin.

Në vend të kësaj, ai thotë se nuk kishte përvojë më të vështirë në jetën e tij sesa vdekja e gruas së tij të dashur, Draganws, e cila vdiq dy vjet më parë.

“Ngjarja më dramatike në jetën time ndodhi kur vdiq gruaja ime. Kam ardhur në përfundim se ajo nuk është më këtu, por unë jam ende gjallë”, thotë ai.

Ivanji u takua me gruan e tij të tretë në teatër. Ajo ishte një balerinë dhe ai ishte drejtor në kërkim të balerinëve për një nga shfaqjet e tij.

“Kërkesa ishte që ato duhet të dukeshin si prostituta dhe unë kisha nevojë për gjashtë balerina. Dragana ishte një nga ato gjashtë propozimet. Ajo ishte shumë e zemëruar kur dëgjoi kërkesat. Më kujtohet kur tha me zemërim: ‘Nuk jemi prostituta, ne jemi balerina të arsimuara'”, kujton Ivanji.

“Askush në teatër nuk e dinte se kishte diçka mes nesh. Pas nja dy muajsh, në vitin 1964, u martuam. Isha martuar tri herë, u divorcova dy herë, gjithçka në kohën e duhur”, thotë Ivanji.

Si figurë e shquar në jetën kulturore të Beogradit, ai u takua me shkrimtarin e famshëm, fituesin e vetëm të çmimit Nobel të Jugosllavisë për letërsi, Ivo Andriq.

“Andriq ishte shumë i shquar, por gjithashtu kishte momente humoresh të errëta”, kujton ai.

Ivanji kujton se ka marrë pjesë në një takim gjatë të cilit Andriq u tha delegatëve të Lidhjes sw Shkrimtarëve se do t’i hante të gjitha librat me poezi patriotike që ata kanë vendosur t’i shtypnin!

Ai gjithashtu tregon një histori për shkrimtarin e famshëm kroat, Krleza dhe vizitën e tij në vendpushimin bregdetar kroat në Opatija.

Krleza deklaroi se nuk do të notonte në det, pasi uji ishte i ndotur. Ivanji e pyeti gruan e Krlezës nëse uji ishte vërtet i keq. Ajo i tha me mirëbesim se Krleza kishte shtuar peshë dhe kishte turp t’i zhveshte rrobat e tij para njerëzve.

“Isha me fat që takova shumë njerëz të famshëm dhe t’i njihja ata siç ishin në të vërtetë [si qenie njerëzore]”, pranon Ivanji.

Pavarësisht se kishte mbetur jetim në moshë të re dhe duke dëshmuar tmerret e Auschwitzit dhe Buchenwaldit, ai nuk pranon të shohë botën si të keqe dhe mbetet i distancuar nga gjithçka që ka përjetuar.

“Ishte 13 prilli i vitit 1945 kur u largova nga kampi, po ndihesha më i rritur se kurrë”, thotë ai për momentin e çlirimit të tij.

“Unë nuk ‘mbijetova’ – dikush më shpëtoi. Sipas dokumenteve, unë duhet të dërgohesha në Auschwitz në dhomën e gazit, por dikush tjetër u dërgua atje”, thotë Ivanji.

“Unë nuk e di se çfarë do të bëja nëse do të isha në lëkurën e dikujt që kishte mundësinë për të vrarë”, thotë Ivanji për vitet e luftës.

Ai kujton se shijonte shijen e fitores shumë vite më pas.

“Gjatë një prej përvjetorëve në Buchenwald unë u vendosa në dhomën e një hoteli lokal ku Hitleri kishte qëndruar dhe ndjenja ishte fantastike. Ai është i vdekur dhe unë jam ende gjallë”, thotë Ivanji, duke qeshur.

I pyetur për gjendjen e tanishme në Ballkan, ai thotë se është i shqetësuar, por nuk pranon të krahasojë ngjarjet aktuale me vitet 1930.

“Bosnja dhe Maqedonia nuk duken mirë dhe unë kam frikë se çfarë mund të ndodhë atje, por nuk mendoj se mund të themi se ajo që shohim tani mund të krahasohet me kohën kaotike para Luftës së Dytë Botërore”, tha ai.

Ivanji kaloi pothuajse 20 vjet në Vjenë, por pas vdekjes së gruas së tij Dragana, vendosi të kthehej në Beograd.

“Asgjë nuk është ashtu siç duhet [në Serbi], por unë jam kthyer,” thotë ai. Ai mbetet shumë aktiv dhe po planifikon një udhëtim në Gjermani. Megjithatë, ai pranon të mendojë më shumë për vdekjen.

“Nuk kam frikë nga vdekja, kam frikë të vdes, mund të jetë mjaft e pakëndshme”, përfundon ai, me një buzëqeshje.