Pamje e qytetit të Istogut nga rezervati i troftave | Foto: Atdhe Mulla

Istogu “Besnik” i Rugovës së Ndjerë

Komuna më veriperëndimore e Kosovës është Istogu. Ajo shtrihet rrëzë bjeshkëve fort të thepisura në kufi me Malin e Zi.

Vendlindja e Ibrahim Rugovës është e njohur për Dubravën si burgun më të famshëm në Kosovë, për vendburimin e lumit Drin.

Në Istog ndodhet po ashtu, rezervati i peshqve “Trofta”. Ky rezervat është një kompani e madhe që ishte themeluar dikur në Jugosllavi ku kultivohet peshku i llojit troftë.

Përveç restorantit, aty njerëzit dhe mund të pushojnë në vilat simpatike njëkatëshe që ngrihen përmbi basenet e troftave. Basenet përplot me peshq janë atraksion për vizitorët.

Ajri pothuajse në gjithë Istogun mban erë pishe sikurse në rezervatin “Trofta”. Ekipi ynë që mbërriti më herët u prit me mirëseardhjet më të ngrohta.

Na servuan çorbë peshku vendore që tani dhe mund të blihet nëpër markete e të përgatitet nëpër shtëpi nga të gjithë.

Terreti ishte një lloj bluarje e peshkut që mund të bëhet nga peshku i gjallë apo i tymosur e që na u servua neve.

Dhe… po. Na sollën edhe kaviar. Kaq i famshëm është kaviari dhe kaq shumë simbol i shtresave të larta.

Dhe ne, kush nga Drenica, kush nga Gjakova, kush nga Gollaku, siç kishim qëlluar në ekip, hanim kaviar.

Kaviari dhe trofta në foto galeri: [envira-gallery id=”2242875″]

Këto ishin disa sfera tepër të vockla pa ngjyrë, me një si bërthamë ngjyrë portokalli brenda që e bënte gjithë masën e kaviarit të dukej e portokalltë. Fjala është pra, për vezë të peshkut.

Duke qenë vezë e peshkut në thelb, kaviari s’mund të kishte shije tjetër nga shija e peshkut.

Shijonte si yndyrë peshku veçse vezët ishin disi elastike e nuk shtypeshin dot nga dhëmbët, kësisoj rrëshqisnin nëpër gojë duke të dhënë një ndjenjë të këndshme.

Por po ta mendojë më mirë ndokush e po ta fusë në një analizë “deduksioni”, krenaria e shtresave të larta që hanë kaviar shumë lehtë mund të shndërrohet në një pështirosje.

Ja pra le të themi, një peshk bën vezë. Ende të pafekonduara ato s’mund të quhen as embrione madje. Këto njerëzit i mbledhin, i hanë dhe bëjnë sikur kushedi çka na paskan mbërritur. Hë de.

Vezë të pafekonduar hëng’kan. Po ku na qenka krenaria këtu? Se po i futkan në gojë aristokratët para se vezët të përzihen me spermën e peshqve meshkuj në ujë? Arritje eksituese sa më s’ka!

Të hëngrit e kaviarit na kishte energjizuar. Omega 3 vlonte nëpër enët e gjakut që shtrihen nëpër tru.

Gatishmëria për të kapë secilin detaj të secilit moment ishte më e madhja ndonjëherë. Istogu e kishte punën pisk.

Kuvendi Komunal i Istogut | Foto: Atdhe Mulla
Kuvendi Komunal i Istogut | Foto: Atdhe Mulla

Omega 3 në Kuvendin Komunal

Salla ishte mbushur me asamblistë që dominoheshin nga LDK. Istogu njihet si bastion i LDK-së për arsye kuptohet provinciale, sepse presidenti Ibrahim Rugova vinte nga ky vend.

Dhe në krye të sallës së asamblesë komunale varej fotografia e Ibrahim Rugovës. Ende me të vjetrën Istogu.

Ndërkohë që Kosova ka pasur edhe tre Presidentë të tjerë, madje po përpiqet me mish e me shpirt për të katërtin dhe më legjendarin e të gjitha kohëve:

Atë që quhej Hashim kur ishte i vogël, që quhej ‘Gjarpër’ kur u rrit në luftë, që e ngatërruan me George Clooney-n, që e shpalli ‘independencën’, që na kërcënon se nuk do të na presë më me kafe por ashtu siç e meritojmë, alfën dhe omegën e politikës, unifikuesin që s’ka lënë grup pa përçarë, të akuzuarin për vjedhje veshkash, për korrupsion, zonja e zotërinj, përpara nesh (në këmbë ju lutem!) – Hashim Thaçi.

Ibrahim Rugova i qeshur po e shihte sallën dhe kryetarin Haki Rugova që doli në foltore disi i papenguar nga natyra që e rrethonte. As s’i linte përshtypje gjë, as e merrte seriozisht atë që do të ndodhte.

Debati filloi. U ftua të paraqiste ndonjë punë të tijën, por ai as që kishte përgatitur diçka dhe disi me gjuhën e trupit hapi debatin me asamblenë.

Akuza e parë qe ajo e politizimit që sipas opozitës përbënte një situatë ku të gjithë nënkryetarët e LDK-së në Istog janë sistemuar në institucione.

Pa një pa dy, u ngrit çështja e një ngacmimi seksual të një zyrtari të komunës ndaj një studenteje që ishte raportuar në medie.

Opozita akuzonte se kryetari kishte provuar ta fshihte rastin për 6 ditë. Kryetari Rugova e mohonte dhe disi befasohej me këtë opozitë që nuk ishte mësuar ta shihte kaq energjike.

Një asamblist i Istogut | Foto: Atdhe Mulla
Një asamblist i Istogut | Foto: Atdhe Mulla

A mos kishin ngrënë edhe ata kavijar para se të vinin në sallë?

Dinamika e debatit e nxehu paksa kryetarin. Në një shkollë fillore paska një “kioskë”. Dikush nga opozita tha se kioskën brenda shkollës e mban nëna e drejtoreshës së shkollës.

Në fillim e mohonte se mund të kishte biznese brenda shkollave pastaj kur mbeti para fakteve dhe emrave që përmendnin opozitarët, kryetari nxori kartën e tij të oratorisë dhe provoi: “a ma mirë me pasë kioskë, a me dalë fmitë jashtë?” – dhe i dukej sikur e paralizoi opozitën.

Rrëshqitje prej ngjale

Si kishte mundësi, që një burrë në moshë provonte ta mashtronte një sallë plot asamblistë se kioska ishte aty pasi fëmijët deri në 14 vjeç, si bisha që janë, trupmëdhenj e shumë të fortë, janë të pandalshëm dhe se po nuk pati kioskë ata mund të dalin jashtë oborrit të shkollës, dhe e merr me mend njeriu se ç’mund të ngjasë pastaj?

Një problem tjetër ishte uji në një qendër të mjekësisë. Kryetari thoshte se s’ka pasur raportime. Në këtë pikë edhe kryesuesja provizore Jeta Xharra u nxeh dhe iu drejtua: “mirë, qe, na po ju raportojmë pra. Çka duhet me ba tash?”

Heshtje. Kryetari disi i habitur sikur pyetja të kishte qenë diçka absurde, mbase për seksin e troftave, priti pak. Dhe sikur po hynte në një terren krejt të panjohur: “Duhet me rregullu.” – tha plotësisht i kënaqur me veten.

Kryetari i Istogut Haki Rugova | Foto: Atdhe Mulla
Kryetari i Istogut Haki Rugova | Foto: Atdhe Mulla

Në debat u diskutuan disa ndërtime pa leje e pastaj për ujërat e zeza. Kryetari që nga sa dukej s’ishte mësuar me këtë “aktivizëm” të opozitës në asamble ua tërhoqi vërejtjen që herë të tjera t’i ngrisnin çështjet edhe pa praninë e kamerave.

Debatit po i vinte fundi. Kryesuesja provizore Xharra ngriti dhe çështjen e fundit që mund të ngrihej në asamble: “a do ta respektoni ligjin e në këtë sallë ta vendosni foton e presidentit aktual?”

Kryetari u kthye kah vendi ku do të duhesh vënë fotografia me një lëvizje të ngadalshme sikur për të pritur befasinë dhe po. Ishte hera e parë që ai vërejti se në atë sallë fotografia ishte e presidentit që ka vdekur para një dekade.

Kësaj radhe kryetarit iu vërejt në fytyrë se në kokë i shkreptiu ideja gjeniale për përgjigjen më të mirë. Vërtet ashtu ishte.

Tha se sallën e asamblesë e menaxhonte kryesuesi e jo ai vet. Dhe qeshte. Dhe iu duk se i gjithë debati shkoi mirë pasi kësaj radhe u përgjigj pa lënë hapësirë për nënpyetje.

LDK-ja në Istog i rri besnike Rugovës së ndjerë me fotografi, e kryetari i saj veç para disa ditësh kishte bërë thirrje që armikun e madh të të ndjerit ta votojnë për president.

Anëtarë të Kuvendit Komunal të Istogut | Foto: Atdhe Mulla
Anëtarë të Kuvendit Komunal të Istogut | Foto: Atdhe Mulla