Investimet - Shteti që nuk Josh

Fatmir Zymberi nga Norvegjia dhe Xhevat Sadriaj nga Zvicra janë dy biznesmenë me nënshtetësi të huaj që u kthyen në Kosovë për të ndërtuar bazat e biznesit të tyre. 

Problemet pronësore në vendin e varfër evropian dëmtuan nismat e tyre për të bërë biznes. 

Kompania JYSK që është investim i Fatmir Zymberit, një kosovar me nënshtetësi norvegjeze,  ndjeu problemet në Kosovë para se të fillonte punën më 2004.

Kishte marrë në shfrytëzim tokë nga Komuna e Fushë Kosovës dhe kishte ndërtuar objektin aty për të shitur orendi shtëpiake. 

“Vetëm atëherë kur i gjithë objekti ishte ndërtuar pronari i vërtet është paraqitur duke kërkuar çmim shumë të lartë për t’ia shitur JYSK-ut”,  thotë për Gazetën Jeta në Kosovë Vigan Salihu drejtor për Kosovë e Maqedoni i JYSK-ut. 

“Si pasojë e kësaj blerje shumë të shtrenjtë, JYSK-ut i është dashur kohë e gjatë të marrë veten dhe ka ngadalësuar sukseset e kompanisë”, shton ai.  Zyra e JYSK në Prishtinë ka një sipërfaqe prej 1 mijë e 600 metrash katrorë.

Sipas tij aktualisht JYSK ka të punësuar rreth 80 punëtorë, dhe  përveç shitjes së orendive për shtëpi, bënë edhe shitjen e ngjyrave. 

Rasti i këtij investitori përmendet edhe nga ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu.

Thotë se ka pasur disa investime nga kosovaro-norvegjezët në vendin e tyre të origjinës që  kanë përvoja të këqija afariste në Kosovë, duke krijuar imazh të keq për vendin te investitorët e mundshëm të huaj.

“Këto kanë qenë investime të vogla dhe të rralla, por megjithatë kanë krijuar imazh të keq,” thotë ai duke iu referuar edhe rastit të JYSKU-ut.

Derisa JYSK arriti të shtrijë biznesin përkundër problemeve është Xhevat Sadriaj, biznesmeni  i ardhur nga Zvicrra, që nuk arriti të shkelë në tokën e tij për të bërë biznes. 

Objekti në qendër të Prishtinës që u privatizua nga Sadriaj, që merret me biznesin e patundshmërive dhe industrinë e sigurimeve në Zvicër, mbahet i pushtuar nga Rrustem Rukolli, pronar i Bab Club-it. 

“Më ka ofruar që t’ia shes me çmimin e njëjtë, mirëpo unë kam refuzuar që t’ia shes, e më pas më ka thënë se në këtë rast ke punë me Zotin”, rrëfen Sadriaj.

Rënie e investimeve të huaja

Investimet e huaja në Kosovë, vendin që përballet me mungesë të sundimit të ligjit, kanë shënuar rënie që nga viti 2007. 

Në vitin 2007, sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës, investimet e huaja në Kosovë kishin arritur vlerën e 440 milionë eurove, derisa në shtator të vitit 2013, këto të hyra mbërritën shifrën e 205 milionë eurove, që është më pak se gjysma e shifrës së vitit 2007.  

Gazeta Jeta në Kosovë ka intervistuar përfaqësuesit e shteteve që janë ndër investitorët më të mëdhenj në Kosovë. 

Përvojat e investitorëve të huaj të treguara nga zyrtarë të ambasadave të tyre që janë akredituar në Kosovë, flasin për ngecje në të njëjtat fusha, për të cilat kryeministri Thaçi më 8 janar të këtij viti u krenua përmes një postimi në rrjetin Facebook kur përmblodhi gjashtë vitet e qeverisjes së tij. 

Në Agjencisë për Promovimin e Investimeve (APIK) tregojnë se investitorët më të mëdhenj në Kosovë nga viti 2008 deri në vitin 2013 janë Gjermania me 340 milionë euro, Turqia me 216 milionë euro, Zvicra me 196 milionë, Britania e Madhe me 188 milionë, Austria me 115 milionë, ShBA-të me 63 milionë , Holanda dhe Italia me 20 milionë e Norvegjia me 15 milionë euro.

Pengesat për investime 

Përfaqësuesit e ambasadave të shteteve që kanë investuar më shumti në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë para gjashtë vjetësh, tregojnë se çfarë i mban larg Kosovës, afaristët e vendeve të tyre. 

Ambasada Amerikane në një përgjigje dhënë Gazetës Jeta në Kosovë pohoi se investitorët amerikanë shohin rrezik për investime në Kosovë.

“Bizneset amerikane janë të kujdesshëm për shkak të asaj që përceptohet si nivel i lartë i korrupcionit dhe implementim i dobët i sundimit të ligjit që paraqet sfide për investim të mëtutjeshëm të huaj [në Kosovë”, thuhet në një përgjigje dhënë Gazetës Jeta në Kosovë.

Ndërkohë sipas Matthias Kieslerit, zëvendësambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, biznesmenët gjermanë janë të pakënaqur “me përpjekjet që Qeveria e Kosovës ka bërë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Po ashtu kanë vërejtje për prokurimin publik dhe për tenderët zyrtarë”. 

Ai përmend një anketë, që ka përfshirë mbi 1600 biznese gjermane, e publikuar vitin e kaluar që e rendit Kosovën në vendin e 18 nga 20 shtete pjesëmarrëse, sa i përket atraktivitetit për të investuar.

Nga anketa ku janë pyetur anëtarët e Dhomave Gjermane të Tregtisë në Evropën Qendrore dhe Lindore del se dobësitë kryesore të Kosovës janë problemet strukturore burokratike, mungesa e politikave dhe strategjive ekonomike, si dhe mungesa e sundimit të ligjit.

Po ashtu bizneset e pyetura kanë rekomanduar që Kosova të përmirësojë sistemin arsimorë.

 “Kur punëson njerëz nga këtu, ata nuk kanë përvojën në standardet e pritshme. Disa investitorë gjermanë është dashur të dërgojnë të punësuarit e tyre në Gjermani për t’i trajnuar, trajnim që ka zgjatur disa javë, ose edhe muaj,” thotë Kiesler.

Ndërkohë një raport i publikuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Këshilli i Prishtinës për Marrëdhënie me Jashtë tregon për rënie të investimeve gjermane në Kosovë.

Raporti tregon se në vitin 2010, 25 për qind të investimeve të huaja vinin nga Gjermania, ndërsa një vit më vonë investimet gjermane në Kosovë merrnin pjesë në totalin e investimeve të jashtme me vetëm 17 për qind. 

Ambasadorja e shtetit helvetik në Kosovë, Krystyna Marty Lang, shtet në të cilin ka numër të konsiderueshëm të diasporës kosovare thotë se marrëdhënia e fuqishme në mes të Zvicrës dhe Kosovës nuk është përkthyer ende në shifra të mira tregtare. 

Edhe ambasadorja Marty Lang përmend mangësitë për investime zvicerane në Kosovë dhe i sheh ato tek  sundimi i ligjit, prokurimi publik, procedurat doganore, lejet për biznese dhe të tjera.

Ajo shton se bizneset zvicerane si përparësi kryesore të investimeve në Kosovë, shohin fuqinë punëtore të lirë dhe njohjen e gjuhës nga vendasit.

Megjithatë, Bernard Nikaj, ushtrues detyre i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë mendon se Kosova ka bërë progres të dukshëm në reformimin e burokracisë në të bërit biznes dhe se rënia e investimeve të huaja ka ardhur edhe si pasojë e krizës ekonomike globale. 

“Viti 2008 e pas, e ka përfshirë gjithë ekonomie globale në një krizë dhe investimet e huaja duhet të shihen në një kontekst më të gjerë dhe nuk duhet shikuar vetëm nga masat që kemi ndërmarrë ne “, shpjegon Nikaj.

Por, e pranon se sistemi gjyqësor i Kosovës çalon.

“Gjithë sistemi gjyqësor ka mbetur sfidë për ekonominë ë Kosovës. Besoj qe kjo është sfida më e madhe që ne e kemi për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, shton Nikaj. 

Kosova nga viti 2012, brenda dy vjetësh ka përparuar për 40 vende në raportet e Bankës Botërore për lehtësirat e bërjes së biznesit, duke zënë vendin e 86 mes 189 shteteve. Vitin e kaluar ishte e 100-ta, ndërsa parvjet e 126-ta.

Turqia e sheh Kosovën si treg me rëndësi të madhe

Ndërkaq Esin Muzebeg, sekretar i përgjithshëm i Odës Tregtare Kosovaro-Turke, përmend sistemin gjyqësor, si arsye për ikje të investitorëve turq. 

“Ne nuk e dimë konkretisht pse disa investitorë kanë tërhequr interesimin e tyre për Kosovën, por sistemi gjyqësor mund të jetë njëri ndër elementet. Ne u tregojmë që vendimet në gjyq vonojnë dhe problemi tjetër është ekzekutimi i vendimit që ata i vlerësojnë si një risk”, sqaron Muzebeg. 

Megjithatë Turqia e sheh Kosovën si treg me rëndësi të madhe. Dy shtetet nënshkruan në shtator të vitit 2013 marrëveshjen për tregti të lirë, që do të mundësojë eksport dhe import më të lehtë. Turqia e pason Gjermaninë për nga pesha e investimeve në Kosovë.

Muzebeg shpjegon se kompanitë turke do të prodhojnë në Kosovë, për shkak të fuqisë më të lirë punëtore, ndërsa prodhimet do t’i shesin në Kosovë dhe vendin e tyre të origjinës. 

Ai tregon se janë rreth 400 kompani të vogla turke dhe rreth 40 deri në 50 kompani të tjera të mëdha dhe të mesme që funksionojnë në Kosovë, me rreth 7 mijë të punësuar, nëse përfshihen edhe punëtorët e KEDS-it.

Konzorciumi turk Limak-Çalik privatizoi rrjetin kosovar të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike më 17 tetor 2012, duke e blerë atë për 26, 3 milionë euro. 

Muzebeg thotë se investitorët turq nuk kanë raportuar probleme të mëdha gjatë bërjes biznes në Kosovë, por sipas tij shqetësimet kanë të bëjnë me prioritizimin e fushave ku duhet investuar. 

“Duhet të caktohen sektorët për investim. Në Kosovë kur pyesin ku mundem me investua, çfarë mundem të bëj në Kosovë, institucionet e Kosovës thonë ku të doni. Pra, qeveria duhet të identifikojë prioritetet, sepse nuk e ka bërë deri më tani”, thotë Muzebeg. 

Prania e kompanive turke në Kosovë nis nga infrastruktura rrugore.

Konzorciumi amerikano-turk Bechtel-Enka në vitin 2010 filloi ndërtimin e autostradës Morinë-Merdar, duke e sjellë këtë autoudhë më 26 nëntor 2013 deri në Prishtinë. 

I njëjti konzorcium që ka në përberje kompaninë turke Enka fitoi më 3 shkurt të këtij viti tenderin për ndërtimin e autostradës që lidh Kosovën me Maqedoninë.

Një konzorcium tjetër ai turko-francez, Limak-Aeroport de Lyon në maj të vitit 2010 mori me koncesion për njëzet vjet, Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, me obligimin që të investojë mbi 100 milionë euro në të. 

Muzebeg përmend edhe investimet e këtij shteti në sektorin bankar dhe atë të prodhimit të ëmbëlsirave. Kompania e prodhimit të çokolatave Kamila, sipas tij, tani më eksporton nga Kosova në 26 vende të ndryshme.

Turqia njohu pavarësinë e Kosovës më 18 shkurt, një ditë pas shpalljes së saj. Kryeministrat e dy vendeve në periudhën 2010-2013 janë takuar të paktën pesë herë. 

Kur vizitoi Prizrenin, një ditë pas përurimit të terminalit të ri të aeroportit të Prishtinës, kryeministri turk Erdogan tha: “Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi”, një fjali që nxiti reagime të menjëhershme pakënaqësie në Ministrinë e Jashtme të Serbisë. 

Po në Prizren, më 23 tetor 2013, Thaçi e quajti Erdoganin vëlla. Edhe Erdogani i kishte thënë vëlla Hashim Thaçit, në vitin 2010. 

 

Nuk dihet sa investime kanë tërhequr ambasadat kosovare

Gazeta Jeta në Kosovë për një javë kërkoi përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme për atë se sa kanë mundur të tërheqin investitorë të jashtëm, ambasadat kosovare prej momentit kur janë akredituar nëpër shtete të rëndësishme të globit. 

Gazeta u dërgoi pyetje edhe ambasadave në Amerikë, Turqi, Zvicër, Gjermani, Britani të Madhe, Itali, Austri, Holandë. 

Vetëm Akan Ismajli, ambasadori i Kosovës në ShBA, ka thënë fjalët e tij për këtë çështje. 

Ai thotë se ambasada është interesuar më shumë për bizneset e vogla dhe të mesme, pasi që siç tha, kompanitë e mëdha kërkojnë një qasje më të avancuar dhe treg të gjerë.

Ismaili po ashtu përmend edhe disa aktivitete që janë zhvilluar për të tërhequr investimet në Kosovë, siç janë konferencat për promovimin e investimeve, por nuk jep detaje se cilat kanë qenë rezultatet nga këto aktivitete. 

Akani nuk i është përgjigjur pyetjes së gazetës, për vlerën konkrete të investimeve amerikane në Kosovë, nga lobimi i ambasadës kosovare.

Albin Kurti, kryetar i Komisionit parlamentar për Politikë të Jashtme thotë se shumë pak kanë njohuri në komision për punën e ambasadave.

“Informatat që marrim në lidhje me performansën e ambasadave tona jashtë vendit janë ose nga mediat, ose nga qytetarët tanë në megrim”, shpjegon Kurti. 

 

Megjithatë, ai e pranon se nuk i ka kërkuar ndonjëherë ministrit Hoxhaj shpjegime për investimet e jashtme që mund t’i kenë sjellë në Kosovë, ambasadat kosovare nëpër botë.

“Investitorët e huaj që janë seriozë kanë hezitime shtesë për investime në Kosovë, kur e shohin që nuk po investojnë as bashkatdhetarët e vendit tonë. E kjo dihet shumë mirë përse: korrupsion, krim të organizuar, mungesë e sundimit të ligjit, brishtësi politike, etj”, thotë ai.