Ikja si Shpëtim ose Kthimi me Shpresë

Të paktë janë ata kosovarë që s’e kanë provuar “gurbetin”. Populli shqiptar i Kosovës mund të thuhet se është “popull i diasporës”. Duke u përballur me pushtues të huaj dhe me veshtirësi të mëdha ekononike, emigrimi jashtë vendit për një kohë të gjatë ka qenë një ikje nga realiteti i vështirë dhe shpresë për jetë më të dinjëtetshme në Perendim. Me përfundimin e ketij pushtimi të gjithë menduan se drama e emigrimit për kosovarët përfundoi. Tashmë Zvicrrën do ta kemi në Ballkan e pikërisht në Kosovë, mendonim. Por ndodhi e kundërta. Trendi i emigrimit vazhdoi. Dhe tash në vitin 2012 kemi një gatishmëri të madhe për të ikur nga Kosova. Shumë njerez mund edhe të pyesin se si është e mundur që gatishmëria e kosovarëve, sidomos atyre që janë të rinj, për të ikuar jashtë vendit të jetë kaq e madhe? Si është e mundur që njerezit janë në gjendje të paguajnë shuma të mëdha parash (deri në 30 mijë euro) për të ikuar nga Kosova? Ku mbeti “Zvicërra e premtuar”?

A duhet dikush të mbajë përgjegjesi për dështimin e politikave ekonomike e sociale (nëse ka të tilla) në Kosovë, që kanë bërë që shpresat e kosovarëve t´i kthejnë në zhgënjim dhe që drama e emigrimit të vazhdojë. Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, jashtë vendit jetojnë prej 500 deri në 900 mijë kosovarë. Ndërkohë që po kaq vlerësohet të jetë numri i kosovarëve që do të deshironin të lëshonin Kosovën po që se një mundësi e tillë do të ju ofrohej. Shumë të rinj në formë proteste dhe të zhgenjyer me situaten politike dhe  nga pasiguria ekonomike të vetmen zgjidhje e shohin Perendimin. Por edhe kjo “rrugëzgjidhje” duket e pamundshme duke pasur parasysh që BE-ja i ka mbyllur dyert e saja në menyrë të hekurt për kosovaret. Për të rinj e të vjeter.

Ndërkohë që institucionet e Kosoves janë krejtësisht të papergjegjshme për këto shifra dhe për ”ambicjet” e të rinjve për të ikuar nga Kosova. Numri i të rinjeve në Kosovë që duan të leshojnë vendin është pothuajse më i madh sot, se sa që ka qenë viteve të 90-ta. Shpeshherë këto përpjekje për të ikur nga Kosova, kanë përfunduar me tragjedi. E gjithë kjo situatë do të dukej qesharake nese realiteti kosovar shikohet nga zyret luksoze në ndertesat e larta të Qeverise së Kosoves.

Në mënyren se si qeveriset Kosova duket sikur ajo mendon vetem për “proceset nëper të cilat po kalon vendi” dhe asnjëherë për “produkte” që do të duhej të prodhoheshin nga ato procese. Perderisa qeveritaret flasin natë e ditë për procese, qytetarët kërkojnë produkte konkrete. Nganjëherë të krijohet përshtypja se në Kosovë asnjëra nuk ekziston. As proceset e mirëfillta e as produketet. Kështu ka ngjarë me “procesin e privatizimit” që në fillim thuhej se do të ndikonte pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe në punësimin e njerezve. Ndërkohë që rezultatet e atij procesi vetëm pozitive nuk kanë qenë. Mandej për procesin e liberalizimit të vizave. Që prej vitit 2007, qeveritarët kosovarë janë duke foluar për “procesin” e liberalizimit te vizave. Që prej atij viti e deri më sot (që i bie 5 vJET), “procesi” i liberalizimit të vizave nuk e ka asnjë “produkt” konkret të prekshëm për qytetarët e Kosovës. Pervec tashmë që dihet se dialogu do të fillojë, por nuk dihet se kur i gjithë ky proces do të përmbyllet.

Madje paradoksalisht, kufijtë e BE-së për qytetarët e Kosoves janë shtrënguar. Në vitin 2007 arsyetimet e Qeverisë së atëhershme i mbeshtesin në faktin se Kosova nuk kishte Ministri të Jashtme, ndonese ky ishte proces lidhej me Ministrinë e Brendshme. Sot nuk mund të ankohen për shkak mungesës të ministrive. Sot kemi Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Integrimeve Europiane, Zv. Kryeministër për Marrëdhënie me Jashtë, por prapë mungon liberalizimi i vizave. Kjo situatë paradoksale nuk do t´i pengojë qeveritarët kosovarë të vazhdojnë të flasin me energji pozitive per “procesin” e liberalizimit të vizave dhe atë të integrimit europian, për procesin e privatizimit, e shumë procese tjera të “suksesshme”.

Si të kthehemi në Kosovë?

Javën e kaluar në konferencën “Tërheqja e investimeve nga diaspora”, organizuar nga Ministria e Diasporës, Oda Ekonomike dhe Organizata Ndërkombëtare për Migrim, katër Ministra të Qeverisë së Kosovës bënin thirrje për investime të diasporës në Kosovë. Ministrat përvec që thanë se diaspora kosovare ka një ndikim të mëdh në ekonominë e Kosovës, kur dihet fakti se remintancat kapin shifren e 511 milion euro në vit, ata bënin thirrje edhe për investime të ndryshme në Kosovë: energji, bujqësi, shërbime etj etj. Me fjalë të tjera ata po bënin thirrje që kosovarët ta lënin Perendimin dhe të ktheheshin në vendin e lindjes, për të investuar. Por sa është e mundur kjo gjë? Si e shohin njerezit e zakonshem ketë gjë?

Në fakt, kthimi në atdhe është ëndërr e shumë mërgimtarve që jetojnë në vende të BE-së dhe në vende e kontinente tjera. Dhe pyetja më e logjikshme në ketë moment do të ishte: “Pse nuk e bëjn ketë gjë ateherë”? Arsyea është e ngjajshme me atë pse shumë të rinj në Kosovë duan të lenë atë: në mungesë të perspektives ekonomike, në mungesë të kushteve të favorshme për investime, në mungesë të furnizimit të rregullt me energji, pastaj për shkak të nivelit të lartë të korrupcionit, në mungesë të stabilitetitit politik etj., shumë kosovar që jetojnë jashtë e ndrydhin cdo ditë ëndrren e tyre që të kthehen në Kosove. Ka disa kosovarë që nga idealizmi (zakonisht i fryer nga prinderit) tashmë e kane berë ketë gjë, pra janë kthyer në Kosovë. Pas disa perpjekjeve për të berë dicka në vendin e tyre kanë perfunduar në grupin e atyre kosovarëve që detyrë kryesore ja kanë parashtuar vetës të gjejn një menyrë me pak të dhimbshme që ta lëshojn Kosovën.

Duke qenë se shumë vite kanë jetuar në vende ku funksionon ligji, ku ka demokraci, ku shteti është në sherbim të qytetarit është e vështirë për ta, të gjejnë vetën në Kosovë. Madje ndjehen krejtësisht të pafuqishëm duke qenë së kanë vështirësi për të kuptuar ”rregullat e lojës” në Kosovë, ku duhesh të tregosh muskujt, të shtyhesh me nje zyrtar komunal me ditë të tëra për një leter të zakonshme, ta shohesh diskriminin që të behet përballë, që ta thirresh dajën, tezen apo hallen në menyrë që të kerkosh ndihme për një vend të zakonshem pune apo për të rregulluar ndonjë dokument të thjesht. Këto gjera kosovarët që jetojnë jashtë Kosovë i shohin, gjatë qëndrimeve për pushime në Kosovë dhe vështirësite e tyre shihen që prej aeroportit e deri tek shtëpitë e tyre. Pervec ketyre problemeve diaspora kosovare ndihet e “tradhetuar” dhe e manipuluar nga institucionet e Kosovës. Në mënyrë që të kemi kthim nga diaspora qoftë për të filluar biznes apo për atë që quhet “kthim i trurit” ku kosovarët që mbarojnë shkollime të larta akademike jashtë vendit, do të mund të ktheheshin për të forcuar institucionet e Kosovës, do të duhej që shumë gjëra të ndryshonin. Disa gjëra janë të mundshme të bëhen. Fillimisht do të duhej të ndërrohej qasja e shtetit ndaj tyre, duke ju ofruar lehtësira burokratike, mandej trajtimi i tyre do të duhej të ishte më dinjëtoz, e deri tek ndrrimi i sjelljeve të zyrtarëve lokalë nëpër komunat e Kosovës. Fatkeqësisht tani për tani modeli politik dhe ekonomik në Kosovë nuk lë shumë shpresë as për kosovarët që duan të kthehen në Kosovë, e as për ata që duan ta vazhdojnë jetën brenda saj.

(Autori jeton në Suedi, ku ka punuar si Zyrtar për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Këshillin Rajonal (Regionförbundet) në rajonin Småland në Växjö)