I Përkëdhelur dhe i Shkathtë

Ka mbërritur majat më të larta të pushtetit dhe është 42-vjeçar. Kosova dominohet nga të rinjtë dhe rrjedhimisht ata shpesh gjenden nëpër pozita vendimtare. Por, pak janë si Slobodan Petrovici – njeriu që rrëshqet me shpejtësi e forcë në politikë. Ai e kaloi gjithë këtë shteg brenda vetëm pesë vitesh.

Është mik i mirë i Kryeministrit Hashim Thaçi dhe i shumë ambasadorëve ndërkombëtarë të akredituar në Prishtinë. Atij i shkon muhabeti edhe me shefin e Zyrës Ndërkombëtare Civile, Pieter Feith.

Slobodan Petrovic është i përkëdheluri i të gjithëve. Ose, ndoshta, më shumë një realist i shkathtë.

Ka veshur kostum të zi, kravatë të zezë me pika të bardha, është i rruar e i qethur. Mjaft janë artistët për pamje e vepra radikale. I ulur në katin e trembëdhjetë të ndërtesës së Qeverisë, që dikur ishte ndërtesa e Rilindjes, Petrovic është tamam një zyrtar dhe ai e ka mësuar mirë protokollin. Me të vetmin përjashtim – cigaren që e pi aty dhe pa të cilën, krejt e kuptueshme, kafja nuk shkon.

I ka në qejf fotografitë. Shumë syresh i ka vendosur në muret dhe vitrinat e zyrës. Në njërën nga to duket së bashku me Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi. E ka vizituar disa herë Tiranën.

Si shumë kryeqytete të botës, edhe Prishtina është e zënë me punë. Koha mbase i ecë shpejt, sidomos Petrovicit,  i cili përveçse udhëheqë Partinë Liberale Serbe (SLS) është edhe Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.

Nëse Fondi Monetar Ndërkombëtar (IMF) e ka megjithëmend të minimizojë shpenzimet buxhetore, ndoshta do të duhej të shtynte përpara idenë që zyrtarët të mund të emëroheshin në dy poste. Thuhet se ideja e efiçiencës qëndron mbrapa organizimit në formë të shtetit.

Petrovic e mban flamurin shtetëror të Kosovës pas tavolinës së tij.

Ai lëviz nga karrigia kur fillon të përshkruajë kohën e fillimit të aktivizimit në politikë. Ishte viti 2006, kohë kur bisedimet për statusin nisën dhe Kosova humbi disa liderë të fuqishëm, kur Partia Liberale Serbe (SLS) u formua, në Graçanicë.

Thotë se nuk ka qenë lehtë. Nga serbët është përshkruar si ‘spiun’ që po i shërbente politikës kosovare, ndërsa nga shqiptarët është vlerësuar si i ‘dyshimtë’.

‘Kur kemi marrë pjesë për herë të parë në zgjedhje ka pasur obstruksione të mëdha dhe probleme, nga ato verbale, deri te ato fizike”, tregon Petrovic. “Qeveria e atëhershme e udhëhequr nga Vojislav Kostunica dhe ministri për Kosovën, Slobodan Samardzic, me njerëzit e tyre kanë penguar punën tonë dhe janë munduar të na eliminojnë politikisht dhe për këtë kemi pasur dalje të vogël të votuesve në zgjedhje”.

Bëhet fjalë për 2007’tën, vitin që atë dhe liderin e PDK’së Hashim Thaçi i bëri fituesit kryesorë. SLS e Petrovicit ndjek parime ‘liberale, pro-europiane dhe qytetare’. Ajo doli me një zë që u bë përfaqësuesi i serbëve që bashkëpunojnë me institucionet e vendit.

Petrovic thotë se në fillim nuk u besonte askush. Skeptikët thoshin se SLS është një parti kalimtare dhe formuar për të dështuar. ‘Tash jemi faktor relevant në shoqërinë kosovare’, thotë me krenari Petrovic.

Politikanët e tjerë serbë kanë interpretim të ndryshëm për rrugëtimin dhe rolin e Petrovicit. Mjekja e njohur dhe deputetja e Parlamentit, Rada Trajkovic, e cila jeton në Graçanicë komunën e re të cilën e drejton SLS, thotë se Petrovic nuk ka ‘përkrahje në popullatën serbe’.

“Nga një person që para 12 vjetësh ka punuar si rojë sigurimi në pallatin e ‘Boro Ramizit’ dhe pa kurrfarë arsimimi, tash është promovuar si një jurist e politikan i rëndësishëm duke ju falënderuar parave dhe duke marrë pjesë në projektin e asimilimit të serbëve”, akuzon Trajkovic.

“Ai financon veten, njerëzit afër tij dhe ata që e përkrahin përmes vjedhjes së votave në zgjedhje nga të cilat dalin si liderë të serbëve”, shprehet ajo.

Petrovic është mësuar me këso akuzash. Ai thotë se partia e tij ka marrë përgjegjësinë në mënyrë legjitime, në zgjedhje.

“Është lehtë kur je në opozitë dhe kritikon, ose të bëhesh patriot i rremë”, gjuan ai në drejtimin e kundërt. “Mirëpo duhet të marrësh përgjegjësinë, rolin udhëheqës dhe të zgjidhjes së problemeve. Ne kemi zgjedhur rrugën më të vështirë, por shumë të drejtë dhe humane”.

Ai thotë se serbët qeverisjes së partisë së tij ia kanë pa hajrin edhe me infrastrukturë, edhe me transfere sociale, me punësim etj.

“Kur kujtohem , para pesë vjetësh ka pasur gjëra të pakëndshme, mirëpo tash është ndryshe. Puna krijon siguri dhe besim te njerëzit”, shprehet Petrovic.

Fjalët më të mira për të i kanë edhe liderët shqiptarë. Bajrush Xhemajli, kryetar i komunës së Ferizajt, takohet shpesh me të si kryetar i asociacionit të komunave të Kosovës.

“Petrovic është komunikativ dhe kemi bashkëpunim shumë të mirë edhe si kryetar komune edhe si kryetar i asociacionit”, thotë Xhemajli. “Na ka rënë të rrimë edhe në dreka e darka, është tepër i shoqërueshëm. Punët që i thotë i kryen”.

Kështu, në kuvendin e fundit zgjedhor të SLS’së, në dhjetor të vitit 2008 mbajtur në fshatin Llapnasellë, Slobon Petrovic jo rastësisht u zgjodh kryetar.

Puna e Petrovicit në politikë nxori produktet e veta. Ai ka punuar në Postë-Telekomin e Kosovës (PTK) si drejtor për integrime nga viti 2007 deri në vitin 2010. Që nga viti 2008, ai është edhe anëtar bordit të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), që udhëheqë procesin më të rëndësishëm ekonomik në vend.

“Politika dhe rrethanat munden gjithçka të pranojnë”, nuk bindet Rada Trajkovic. “Pra nga një person i pashkolluar, bëhet një person i shkolluar , nga personi pa kurrfarë kualitetesh bëhet figurë politike. Kohët e këqija fatkeqësisht mund të krijojnë dhe promovojnë njerëz në mënyrë të gabuar”.

Nëse dikush do sqarim, në biografinë e tij në faqen zyrtare të Qeverisë, Petrovic shkruan se është jurist me profesion. Po ashtu, se vizioni i tij është demokratizmi i shoqërisë kosovare dhe standardi më i mirë për të gjithë qytetarët e vendit. ‘Është luftëtar për të vërtetën dhe respektimin e të drejtave të njeriut’.

SLS ka tetë deputetë në Parlament, një post zëvendëskryeministri, tri poste ministrash – atë të Kthimit, Pushtetit Lokal dhe të Punës dhe Mirëqenies Sociale – si dhe dy pozita zëvendësministrash. Ajo udhëheq edhe komunat Kllokot, Partesh, Graçanicë dhe Shtërpcë.

Jo vetëm që gjendja në këto komuna është përmirësuar, thotë Petrovic, por e ardhmja do të jetë edhe më e mirë për banorët e tyre.

Krenar Gashi, i institutit KIPRED, vlerëson se Slobodan Petrovic është politikan i moderuar, që ka arritur t’i befasojë të gjithë, e sidomos ata që e përqeshnin kur nisi një mendim alternativ politik në komunitetin serb në Kosovë. Ai thotë se besimi i serbëve lokalë për Petrovicin dhe partinë e tij do të varet nga puna që ata bëjnë në terren.

“Ende nuk i besojnë sa duhet. Mirëpo, kjo tash është në duart e tij dhe në duart e kryetarëve të komunave që partia e tij drejton në komunat që qeverisen nga SLS, pra jo bindjet, dogmat, urrejtja ose nacionalizmi”.

Petrovic duhet të ketë rritur edhe besimin në vetvete. Njerëzit diku duhet t’ia nisin të tregojnë se janë të gjallë. Dikur kishte bërë roje në ‘Boro Ramiz’ dhe thotë se ende është i pasionuar në shumë sporte. Aq shumë sa shtëpia e tij e ndërtuar së voni në Llapnasellë është fqinjë me qendrën e golfit ‘PRN Golf’.

Klas. Ky sport edhe shkon mirë me punën që ai bën sot. Pastaj qendra është vend perfekt çlodhje pas një dite të ngarkuar në Prishtinë. Dhe, s’do mend, politika vërtet është shumë e lodhshme.