Memoriali i Holokaustit në Berlin| Foto: kallxo.com

Holokausti, Çfarë Mësimi Mori Njerëzimi?

Duket sikur disa gjëra në jetë kthehen vazhdimisht. Siç është rasti i mureve që ngrihen dhe ato që bien. Është fundjanar dhe acar. Kjo datë kujton krimin më të madh të kohërave moderne- viktimat e Holokaustit. Më 27 janar të vitit 1945 ushtria ruse çliroi kampin famëkeq të Aushvic-it, ndërsa më 1966 presidenti gjerman, Roman Herzog, caktoi këtë ditë si ditë përkujtimi të Holokaustit ndaj hebrenjve. Më 2005 Organizata e Kombeve të Bashkuara këtë datë (27 janarin) e quajti “Dita Ndërkombëtare e Holokaustit”. Që atëherë, njerëz nga e mbarë bota, përkujtojnë qindra mijëra viktimat e nazistëve.

Mbaj mend një acar marsi vizitën në muzetë hebreje në Berlin Vjenë. Vizitorët me gjasë hyjnë plot kurreshtje e dalin të terrorizuar. Në qendër të Berlinit të sotëm historia e krimeve naziste flet me zë të lartë për krimet barbare, tmerrin e terrorin e ushtruar për një dekadë nga udhëheqësit gjermanë mbi hebrenjtë. Përkarshi Bundestagut, që çdo herë në këtë datë përkujton viktimat e Holokaustit, rrinë edhe vepra artistike që ngjajnë në varreza (Memoriali i Holokaustit), në kujtim të viktimave hebreje. “Një shenjë e marrëzisë së Gjermanisë së dikurshme në të cilën diktatura u zbatua egërsisht”, thotë dikush. Por marrëzitë e diktatorëve nuk kanë marrë fund me këtë histori.

Lufta, thotë Clausewitz, është vazhdim i konflikteve politike me mjete të tjera. Dhe luftrat në botë, akoma vazhdojnë. Në mes përplasjeve dhe luftërave që lindin prej trysnive dhe shndërrimeve që nuk arrijnë të përshtaten me strukturën e rregullt të një shteti apo të një tërësie shtetesh, ata që bien në lumin e gjakut janë çdoherë të pafajshmit.

Sa herë që flitet për përkujtim të luftërave,ka gjithnjë një përkujtim edhe për historinë tonë, që poashtu ishte e përgjakshme. Ndoshta 27 janari, dita botërore e përkujtimit të Holokaustit, është datë kur do të duhej të ndalemi, e në heshtje t’i kujtojmë miliona viktimat, ato të Holokaustit dhe  gjithë viktimat e rëna pas këtij shkatërrimi, pas të cilave bota sërish e sërish ka harruar dhe i ka përsëritur ato. Dhe jo vetëm.Dita Botërore e Holokaustit është data kur do të duhej kujtuar terrorin e dhimbjen që përjetuan të mbijetuarit, jo vetëm atë që shkaktoi terrori gjerman, por edhe regjime të tjera. Në këtë ditë do të duhej të ndalemi e të kujtojmë dhembjen e të gjithë familjarëve. Duhet të ndalemi e të mendojmë se sa shumë ka ndryshuar jeta e njeriut pas këtyre historive rrëqethëse. Kjo datë është një ditë në të cilën edhe kosovarët duhet të kujtojnë mbijetesën e tyre.

Kjo datë, përtej përkujtimit të Holokaustit, si tragjedia më e madhe e kohëve moderne, shënon përkujtimin e gjenocideve të mëdha qofshin ato në Bosnjë (Srebrenicë), Kosovë (Reçak, Krushë e Madhe… e shumë vende të tjera), apo vrasjet e tmerrshme që kanë ndodhur e vazhdojnë te ndodhin në Lindje.

Mund të jetë vetëm një datë simbolike, por një datë në të cilën bota do të duhej të mësojë duke përkujtuar, të mësojë duke njohur të shkuarën, të mësojë duke përkujtuar se gjenocidet ndaj qenies humane nuk ndodhin vetëm në një vend dhe në një popull, sepse për këtë ne vetë jemi dëshmitarë.

Njeriu si qenie humane është i krijuar për t’u mbijetuar ndryshimeve të mëdha. Por njeriu, i ndodhur mes përplasjeve dhe trysnive, është ai që bart, për kohë të gjatë, barrën e realiteteve tronditëse.

Derisa koha kalon dhe qytetërimet vazhdojnë tutje, edhe njerëzit vazhdojnë. Po çmimi i kësaj vazhdimësie është marramendës. Megjithatë, koha dhe totalitarizmat e shkatërrojnë kujtesën, por kujtesën e shkatërrojnë edhe ndryshimet e shpejta të shoqërive dinamike. Ato u ofrojnë individëve mundësi të shumta lirie dhe rritjeje shpirtërore, ato priren t’i çrrënjosin kujtimet, ato synojnë dhe shpesh arrijnë që historitë t’i fusin në muze. Edhe nëse vizitat në muze mund të jenë tronditëse, historitë mbeten të mbyllura aty.

Ndaj, ditët e përkujtimeve synojnë dhe pretendojnë t’i bashkojnë njerëzit dhe t’i relativizojnë ndryshimet, t’i vetëdijesojnë dhe të ngrenë zërin për të kujtuar se si e shkuara mund të na mësojë për ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt.

Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore kanë qenë një përplasje mes qytetërimeve e politikave gjermane, latine e sllave. Luftërat tjera po ashtu kanë qenë e janë përplasje mes qytetërimeve, politikave e ideologjive të ndryshme, ata që derdhen vazhdimisht në lumin spastrues të gjakut, janë njerëzit. Dhe ato, luftrat vazhdojnë.

Një ditë është pak për ta përkujtuar tmerrin e njeriut mbi njeriun, por shumë zëra janë zë i fuqishëm për t’ia kujtuar botës terrorin që vazhdon.