Prizreni

Historia e Problemeve në Qytetin Historik

Cilat janë detyrat e kryetarit e ardhshëm të Prizrenit?

Garës për të parin e komunës së dytë më të madhe në Kosovë, Prizrenin, me 178.112 banorë, i kanë hyrë 10 kandidatë.

NDËRLIDHUR

Kushdo që e merr besimin e qytetarëve më 22 tetor, ose katër javë më vonë në balotazh, për ta drejtuar Prizrenin e pret shumë punë e obligime para vetes.

Prizrenasit, kësaj radhe presin të kenë një kryetar i cili do t’ i kushtojë më shumë rëndësi transparencës dhe të ketë më shumë përgjegjësi para qytetarëve të tij.

Pos problemeve me transparencën, Prizreni po e humb Zonën Historike nga ndërtimet ilegale. Komuna e cila llogaritet të jetë si ma e bukura dhe ndër komunat më të vizituara nga turistët, ka mungesë të parkingjeve.

Edhe pse me mungesë të parkingjeve, Prizrenit nuk i mungojnë deponitë ilegale të mbeturinave.

Përkundër resurseve të mëdha të ujit, qytetarët vazhdojnë të kenë mungesa të ujit të pijshëm.

Komuna e dytë më e madhe në vend nuk ka çerdhe publike.

Për t’i zgjidhur këto probleme, Komuna ka 14,9 milionë euro në vit për t’i shpenzuar në investime kapitale.

Në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Prizren, në DebatPernime, qytetarët dëgjuan tetë kandidatët për kryetar të qytetit historik lidhur me zgjidhjet që ofrojnë për tejkalimin e problemeve ngase Zafir Berisha nga NISMA dhe Sencar Karamuço nga KDTP nuk ishin të pranishëm për të shpalosur programin e tyre para qytetarëve të Prizrenit.

Ndërtimet ‘Moderne’ në Zonën Historike

Debat Pernime për Prizrenin

Komuna e Prizrenit tash e 18 vite ka telashe ta ruajë Zonën Historike të Qytetit të Prizrenit.

Dukuria e ndërtimeve ilegale, mbindërtimeve, e uzurpimeve, e qe besa edhe ngritjes së aktakuzave është shtuar këto vitet e fundit.

Zona përreth Sheshit Shatërvan është emërtuar zyrtarisht nga shteti si Zona e Parë e Qendrës Historike të Prizrenit. Por në fakt ajo tashmë është shndërruar në zonë të parë biznesore nga njerëz që shpërfillin ligjin.

Gazeta Jeta në Kosovë pati zbuluar se shumë objekte biznesore që gjenden në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren kanë probleme me ligjin.

Ka biznese që kanë tejkaluar lejen e marrë nga autoritetet komunale, por ka edhe hotele që janë ngritur pa leje. Biznesmenët e fuqishëm të qytetit kanë mposhtur autoritetet komunale që nuk kanë treguar vullnet për të vendosur rend urbanistik në Zonën Historike të Prizrenit.

Gazeta JnK ka bërë hulumtim të gjatë me raste konkrete nga ndërtimet ilegale në zonën e parë të qytetit e cila është e mbrojtur me ligjin për qendrën historike, ku edhe prokuroria kishte filluar hetimet për këto raste. 

Edhe në vitin 2017, Zona e parë e qendrës historike ka vazhduar të degradohet madje edhe nga i pari i drejtorisë së Inspeksionit në Prizren, Bujar Hasani, ndaj të cilit në shtator të këtij viti, pas hulumtimit të gazetës Jeta në Kosovë, prokuroria ngriti aktakuzë, për dyshimet për uzurpim dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. 

Më e keqja e gjithë kësaj zone është fakti se pos ndërtimeve ilegale, e uzurpimeve të pronës, trashëgimia kulturore po vazhdon të shkatërrohet. Mos intervenimi i komunës së Prizrenit ka bërë që në këtë zonë historike, bash në objekte të trashëgimisë kulturore të humbë jetën një 4 vjeçare. 

Derdhja e Ujërave të Zeza në Lumbardh e Dri

Qyteti i Prizrenit dhe disa fshatra të tij që gjenden në zonën e Zhupës, duke përfshirë këtu edhe disa fabrika, ujërat e zeza po vazhdojnë t’i derdhin në lumin Lumbardh. Derdhje të ujërave të zeza vazhdon të ketë edhe në qendër të qytetit, mu aty ku ka më së shumti turistë, pra në Shatërvan, përskaj Urës së Gurit.

Pos në Lumbardh, shqetësuese mbetet derdhja e ujërave të zeza edhe në lumin Dri.

Dikur Nasheci ka qenë fshat turistik dhe shumë nga qytetarët e Prizrenit kanë ndërtuar vila atje, ndërsa sot, pos që nuk shkon asnjë turist edhe banorët e fshatit Nashec janë në zor nga ujërat e zeza që derdhen në lumin Dri. Madje ata ankohen se derdhja e madhe e ujërave të zeza ua ka dëmtuar edhe pronat familjare.

Ujërat e zeza i bëjnë lumenjtë e prizrenit të kundërmojnë. Foto: Kallxo.com

Mungesa e Parkingjeve

Komuna e Prizrenit konsiderohet të jetë njëra ndër komunat më të vizituara nga turistët. Problemi nga mungesa e parkingjeve vërehet veçmas gjatë sezonit të verës, atëherë kur vijnë mërgimtarët, sidomos gjatë muajit gusht që në qytetin e Prizrenit është i njohur organizimi i festivalit të filmit dokumentyar DokuFest.

Gjatë kësaj periudhe problem paraqesin hapësirat e pamjaftueshme të parkingjeve, qoftë për automjete të vogla apo edhe për autobusë nga ekskursionet.

Komuna, në disa pjesë të qytetit, herë pas here ka lëshuar njërin krah të rrugëve për parkingje me pagesë, por kjo nuk e ka zgjidhur problemin.

Mungesa e parkingjeve është problem i vazhdueshëm për komunën e Prizrenit. Në mungesë të parkingjeve për vetura në qendër të qytetit, qytetarëve i është pamundësuar edhe lëvizja e lirë nëpër trotuare.

Mungesa e Ujit

Ndonëse Komuna e Prizrenit ka burime të mjaftueshme të ujit, furnizimi me ujë mbetet njëri nga problemet kryesore dhe qytetarët vazhdojnë të ballafaqohen me reduktime të ujit.

Furnizimi jo i mirë me ujë vjen si pasojë e menaxhimit jo të mirë të ujit, sipas të dhënave të Hidroregjionit Jugor ka  humbje të mëdha në rrjet, si humbjet teknike ashtu edhe ato fizike të ujit, krejt kjo nga gypat e vjetruar.

Disa nga lagjet e qytetit të Prizrenit furnizohen me vështirësi, për shkak të pozitës së tyre gjeografike. Në situatë më të rëndë janë vendbanimet Dardania, Kurilla, Bazhdarhane, Tusuz dhe po ashtu edhe zona e Hasit.

Një pjesë e madhe e qytetarëve në Prizren, kanë probleme dhe ballafaqohen me reduktime të ujit, të cilët presin zgjidhje nga kryetari i ardhshëm.

Deponia Ilegale- mbeturinat

Deponia e hapur para disa vitesh në fshatin Zhur e destinuar për hedhjen e mbeturinave të ngurta është shndërruar në deponi të egër, në të cilën po hedhen nga persona të pandërgjegjshëm kafshë të ngordhura dhe eshtra të tyre, me ç’rast shpërndahet një erë tejet e rëndë dhe e keqe, e cila në masë të madhe po e ndot edhe ambientin.

Deponia e cila ndodhet buzë rrugës Prizren – Dragash, lëshon kundërmim të rëndë për banorët e asaj pjese dhe kalimtarët në atë zonë. Kundërmimi është shqetësim i vazhdueshëm në çdo sezon.

Sipas informatave të marra nga Gazeta JnK, mbeturinat hedhen nga pronarët e thertoreve të qytetit, për të cilët inspektorati komunal nuk ka ndërmarrë asgjë në këtë drejtim.

Deponi mbeturinash në Prizren. Foto: Kallxo.com

 Taksat Komunale

Taksat komunale, janë një prej burimeve kryesore që mbushin thesarin e komunës, mirëpo në raportin e auditorit dhe në atë të Institutit GAP thuhet se komuna e Prizrenit ka dështuar që t’i mbledhë ato.

Komuna e Prizrenit nga të hyrat vetjake të planifikuara, kishte arritur që të inkasojë vetëm 66%. Komuna nuk kishte arritur të kryej verifikimin e 1/3 së pronave të paluajtshme siç kërkohet me ligjin për tatimin në pronën e paluajtshme dhe udhëzimin administrativ në fuqi.

Të ardhurat nga tatimi në pronë, komuna i ka realizuar vetëm në 34.99%

Komuna për pronat e dhëna me qira për 2016 kishte planifikuar që të realizojë 1,350,000 euro, ndërsa kishte arritur të inkasojë vetëm 501,328 euro apo 37%.

Borxhi total ndaj komunës në fund të vitit 2016 ishte 15,567,347 euro.

Borxhi kryesor mbetet në inkasimin e tatimit në pronë në vlerë 6,808,003 euro, pastaj taksat nga veprimtaritë e biznesit 5,753,532 euro, të hyrat nga mbledhja dhe menaxhimi i mbeturinave 1,859,235 euro, dhënia me qira e tregjeve 455,577 euro, si dhe tarifat tjera prej 691,000 euro.

Për këto dhe shumë probleme tjera, qytetarët e Prizrenit presin që të marrin rrugën e duhur drejt zgjidhjes së tyre gjatë mandatit të ardhshëm katër vjecar.

Por Prizrenit pas 22 tetorit do t’i nevojitet një qeverisje komunale e cila, ndër tjera,, reflekton edhe përfaqësim të drejtë gjinor.

Në mandatin që po përfundon, në qeverisje komunale kanë qenë vetëm dy Drejtore, që është larg asaj që e kërkon ligji për përfaqësim gjinor në institucione.

Shumica e kandidatëve për kryetar të komunës së Prizrenit kanë premtuar në Debat Pernime se do ta respektojnë kuotën e kërkuar me ligj.

 

12 Tetor 2017 - 11:54

Petrit Kryeziu 12/10/2017 - 11:54
NDËRVEPRIMI50

Historia e Problemeve në Qytetin Historik

by Petrit Kryeziu
NA NDIQNI

Send this to a friend